UT-ja e ka obligim ligjor që dyshimet për plagjiaturë t’i denoncojë në Prokurorinë Publike, dokumentet kanë “shëtitur” në institucione jokompetente për 3 muaj

Institucioni më i lartë “mbikëqyrës” i arsimit të lartë, gjegjësisht Inspektorati i Arsimit thotë se nuk është kompetent për të vërtetuar nëse kanë bërë plagjiat profesorët e Universitetit të Tetovës që janë të përfshirë në akuzat e “Veritas” për vjedhje të punimeve shkencore. Avokati Valentin Pepeljugovsi thotë se në raste kur ka dyshime për plagjiat nga ana e profesorëve të tyre, universitetet e kanë për obligim rastet t’i dërgojnë në Prokurorinë Publike, dhe më pas gjykata përkatëse të vendosë në qoftë se bëhet fjalë për plagjiaturë apo jo. Por, në këtë rast Universiteti i Tetovës vazhdon të heshtë ndaj pyetjeve tona për rastin në fjalë, shkruan Portalb.mk.

Kanë kaluar tre muaj nga kur disa profesorë të Fakultetit të Mjekësisë në UT u akuzuan se kanë kryer veprën penale – plagjiaturë. Përderisa qytetarët kanë pritur zbardhjen e rastit, “dokumentet” për plagjiaturat e mundshme janë shëtitur në dyert e institucioneve të cilat thonë se nuk janë kompetente për të vërtetuar në qoftë se një vepër shkencore është apo jo plagjiaturë.

Menjëherë pas akuzave publike për plagjiaturë të mundshme nga ana e disa profesorëve, nga Inspektorati i Arsimit pati hetim disa ditor në Universitetin e Tetovës. Sipas hetimit, u konstatua se vetëm për dy profesorë ka bazë juridike për hetim të mëtutjeshëm, megjithatë më pas, u shprehën se edhe këta profesorë nuk janë plotësisht me faj sepse nuk kanë përfituar juridikisht nga punimet për të cilat akuzohen se i kanë vjedhur. Sot, nga Inspektorati deklarohen se nuk janë kompetent për të kontrolluar plagjiaturat.

Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.
Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

“Për të kontrolluar punën e plagjiaturës ne nuk jemi kompetent dhe nuk jemi profesionist për këtë, puna jonë është inspektimi i ligjshmërisë dhe procesit të punës së universitetit. Për temat në fjalë, ata nuk janë lëndë inspektimi për arsye se nuk ka përfitime juridike, nuk janë bërë për zgjedhje dhe emërim” tha për Portalb.mk, Ardian Musliu, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

Për të thjeshtëzuar lexuesve, në momentin kur thuhet se me një punim shkencor profesori nuk ka përfituar juridikisht, d.m.th. se i njëjti nuk e ka shfrytëzuar atë punim shkencor për t’u zgjedhë profesor i gradës më të lartë apo për të mbrojtur temën e doktoratës dhe kështu me radhë.

Nga Inspektorati i Arsimit nuk përgjigjen në qoftë se mund të shpallet e mbyllur kjo lëndë dhe profesorët e akuzuar të amnistohen pa u ngritur një procedurë konkrete kundrejt tyre si dhe në qoftë se ata si inspektorat ndjejnë përgjegjësi për këtë.

Prej tek Inspektorati, te Ministria e Kulturës

Humbja e kohës për zbardhjen e këtij rasti vazhdoi me dërgimin e punimeve të dyshimta në Ministrinë e Kulturës, që rezultoi se as kjo e fundit nuk është kompetente. Nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk konfirmuan se me datë 6 prill nga Inspektorati i Arsimit kanë pranuar një kërkesë të tillë, megjithatë, potencuan se ata nuk janë kompetent për të vërtetuar origjinalitetin e një punimi shkencor as dhe kur kërkesa për këtë vjen nga një institucion tjetër.

Irena Stefoska
Irena Stefoska

“Po, me datë 6 prill nga Inspektorati i Arsimit na dërguan letrën për të vërtetuar në qoftë se bëhet fjalë për plagjiaturë, ata kanë menduar se ne jemi kompetent për këtë, por jo, ne ju përgjigjem se nuk bëjmë diçka të tillë. Megjithatë, në qoftë se Ministria për Punë të Brendshme dorëzon padi penale, autorët e plagjiaturës do të përgjigjen penalisht për këtë” thanë përmes bisedës telefonike nga ministria e Kulturës.

Nga kjo ministri, në një përgjigje me shkrim, duke cituar nene të Ligjit për të drejtat autoriale dhe Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore treguan se nuk janë kompetentë për punime shkencore por për akte të tjera.

Megjithatë, dokumentet është dashur të dërgohen në tjetër vend

Për të qartësuar atë se kush është dashur të veprojë dhe ku qëndron përgjegjësia për mosveprim, gazetari i Portalb.mk bisedoi me avokatin Valentin Pepeljugovski, ai potencoi se Universiteti përkatës është dashur që rastin menjëherë ta dërgojë në Prokurorinë Publike.

Valentin Pepeljugovski, avokat.
Valentin Pepeljugovski, avokat.

“Në qoftë se një Universitet apo fakultet ka informacion se është kryer çfarëdo shkelje e të drejtës të autorit – plagjiaturë, ka obligim që të njëjtën ta paraqesë te Prokuroria Publike. Megjithatë, për mbrojtje të të drejtave morale dhe këmbim të dëmit shkohet përmes ankesës private, edhe atë civile dhe penale. Gjegjësisht, të drejtën e pronës intelektuale, përfshirë edhe ato autoriale dhe që janë të lidhura me atë janë të drejta private dhe për këtë autorët dhe bartësit e të drejtës janë të obliguar që të kujdesen për ata” potencoi Valentin Pepeljugovski, avokat.

Sipas avokatit, kompetencë veprimi në raste të tilla ka policia dhe Prokuroria Publike, pas denoncimit nga ana e Universitetit, ndërkaq pas mbylljes së rastit dhe vendimit të plotfuqishëm gjyqësor, sipas Pepeljuvoskit, ngelet në dorën e Këshillit Mësimor Shkencor të fakultetit përkatës të veprojë.

“Kompetent për të vepruar janë Policia dhe Prokuroria Publike, me qëllim që të iniciojnë procedurë penale para gjykatës themelore. Pas aktgjykimit të plotfuqishëm, Këshilli Mësimor Shkencor është i obliguar të ngrit procedurë për marrjen e titullit shkencor, nëse në bazë të asaj magjistron ose doktoron, ose ka marrë titull shkencor”, shtoi Pepeljugovski.

Valentin Pepeljugovski gjithashtu potencoi se nuk është patjetër të jetë vërtetuar plagjiatura në mënyrë që institucionet e lartpërmendura të veprojnë, shtoi se ata mund të ndërmarrin masa edhe kur ka indicie për diçka të tillë ndërkaq në fund kompetente është gjykata përkatëse.

“Institucionet nuk e kanë të ndaluar në momentin kur do të dyshojnë për diçka të tillë të ndërmarrin vetiniciativë. Megjithatë, kur do të ketë aktgjykim të plotfuqishëm me të cilën vërtetohet ekzistimi i plagjiaturës ata patjetër e kanë të veprojnë sipas ligjit. Përndryshe, për të vërtetuar në qoftë se një vepër është plagjiaturë, kompetente janë gjykatat” shtoi Pepeljugovski për Portalb.mk.

Këto janë punimet për të cilat profesorët e lartpërmendur akuzohen nga “Veritas” se i kanë vjedhur

Nexhbedin Beadini – klikoni KËTU për të parë hulumtimin e parë të vjedhur të tij, ndërsa klikoni KËTU për të parë hulumtimin origjinal. Klikoni KËTU për të parë hulumtimin e dytë të vjedhur nga ana e tij ndërsa klikoni KËTU për të parë hulumtimin origjinal. Klikoni KËTU për të parë hulumtimin e tretë të vjedhur nga ana e tij ndërsa klikoni KËTU për të parë hulumtimin origjinal. Beadini është nga fshati Kamjan i Tetovës dhe aktualisht i punësuar si profesor i biologjisë së qelizës dhe gjenetikës humane, në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës. Tre punime të tij, sipas NIRCAU, kanë rezultuar të jenë plagjiaturë.

Sheqibe Beadini – klikoni KËTU për të parë hulumtimin e parë të vjedhur të saj, ndërsa klikoni KËTU për të parë hulumtimin origjinal. Ajo është bashkëshortja e të lartpërmendurit, ajo është aktualisht e punësuar si profesoreshë e Biokimisë dhe Fiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tetovës, punimi i saj, sipas hulumtimit të NIRCAU, ka rezultuar gati tërësisht plagjiaturë.

Ndryshe, Vetëm për dy nga shtatë profesorët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, të akuzuar për plagjiaturë mund të ketë elemente për këtë vepër të kundërligjshme, të tjerët ende janë studentë të ciklit të tretë dhe nuk e kanë mbrojtur disertacionin e doktoraturës, kështu vlerësoi raporti i Inspektoratit të Arsimit pas hetimit për disa ditë në Universitetin e Tetovës, i cili përfundoi nga fundi i muajit prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button