Radev: Qeveria e përkohshme bullgare është e gatshme të zhvillojë dialog aktiv me RMV-në

Qeveria e Përkohshme e Bullgarisë është e gatshme të zhvillojë dialog aktiv me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe të diskutojë mundësitë për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, tha presidenti bullgar Rumen Radev në takimet me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe kryeministrin e Portugalisë, Antonio Kosta dje në Bruksel, transmeton Portalb.mk.

Siç qëndron në kumtesën e kabinetit të Radevit, ai shtoi se përparimi në procesin e integrimit evropian duhet të bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut dhe respektimin e plotë të kritereve të Kopenhagës për anëtarësimin në Union. Në takim, siç theksohet temat kryesore ishin mundësitë për përparim në miratimin e kornizës së negociatave dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Na duhen shembuj pozitivë në marrëdhëniet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe dialog dypalësh i drejtpërdrejtë dhe i hapur për të zgjidhur problemet. Çdo vendim i mundshëm për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE me Republikën e Maqedonisë së Veriut do të analizohet dhe harmonizohet me kujdes me deklaratën e parlamentit bullgar dhe pozicionin kornizë të vendit tonë për zgjerimin e BE-së dhe Procesin e stabilizim-asociimit nga tetori i vitit 2019”, deklaroi Radev.

Presidenti bullgar e vlerësoi si shenjë të mirë festimin e përbashkët të vëllezërve Kirili dhe Metodi nga delegacionet e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në Romë dhe bëri thirrje për vullnet politik nga Maqedonia e Veriut për të arritur rezultate konkrete.

Në Bashkimin Evropian janë duke bërë përpjekje maksimale që deri në fund të muajit qershor të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për të dyja shtetet, çështja e hapjes së negociatave ka ngelur në Këshillin e BE-së ku Bullgaria ka bllokuar miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe si pasojë, disa shtetet tjera, nuk kanë dashur që të miratohet as ajo për Shqipërinë.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe rrugëdalje nga kjo situatë Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, Augusto Santos Silva, në emër të Presidencës së radhës së BE-së dhe Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësisë, Oliver Verhelyi, të premten më 21 maj vizituan Sofjen dhe Shkupin.

Ata, zhvilluan takime me krerët e dy vendeve, në kuadër të përpjekje për tejkalim të ngërçit. Përveç kësaj ata erdhën me një propozim për të dyja vendet, të cilin e hodhi poshtë Bullgaria, kurse kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev beson se propozimi i presidencës portugeze është bazë e mirë për arritjen e një zgjidhjeje lidhur me kontestin me Bullgarinë. Ai ka thënë se presidenca dhe ministri i jashtëm i Portugalisë, Augusto Santos Silva, kanë ofruar një propozim ku përfshihen pritshmëritë e të dyja palëve.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button