Evropa, politizimi i kulturës dhe mania identitare

Libri Identiteti i Europës: Shpirti i përbashkët i Unionit Europian (ISPN, Shkup, 2014; origjinali Die Identität Europas. Der EU eine Seele?, Frankfurt am Mein, 2004), i autorit të mirënjohur gjerman Thomas Meyer, që në gamën e punimeve të veta shkencore rrok tema si teoria e demokracisë, identiteti politik dhe ai evropian, pluralizmi kulturor-fetar dhe qytetaria, komunikim politik, fundamentalizmi politik si dhe historia dhe teoria e social-demokracisë,  merret me çështjen e spiritus movens-it dhe me atë të përfaqësimeve kolektive të Evropës si një makro-entitet; me maninë e identitetit që ngërthen çështjet e shekullit XXI në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare si konfliktet kulturore, krizat dhe globalizimi, politizimi i kulturës etj.  Bëhet fjalë për një tekst tepër të rëndësishëm për të kuptuar kthjelltë identitetin e Evropës, të kësaj hapësire sociale-kulturore-politike-ideologjike me një të histori të gjatë, me themele shpirtërore që kanë shërbyer në jetësimin e projektit të sotëm të Evropës moderne, të strukturuar politikisht në shekullin XX në një ngrehinë të mbiquajtur Unioni Evropian, që kohëve të fundit, po përballet me sfida të ndryshme, si kriza ekonomike, euroskepticizmi, ksenofobia e djathtizmi ekstrem në rritje e sipër (si p.sh. pas zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Evropian 2014), dilemat e Evropës së paqartë (F. Hollande), ato të përkufizimit të ardhmërisë së saj (Barosso), të kufijve të saj dhe (mos)zgjerimit, çështja e super-shtetit apo e Shteteve e Bashkuara të Evropës (V. Reding), çështja “më tepër a më pak Evropë”, e “Evropës më të kujdesshme”, bota post-evropiane (Pabst, 2014) e të tjera.

Kapitujt dhe nënkapitujt e kësaj vepre merren me tema të cilat lidhen me pluralizmin e identitetit, me mitin e Evropës, me demosin e legjitimitetin, me identitetin kulturor paramodern, modern e postmodern, me tjetërsinë, me çështjen e raporteve të religjionit me politikën, me binomin SHBA-Europë, me një problematikë shumë aktuale si Islami evropian (euroislami), integrimi, kushtetuta (origjinale) e Evropës, huazimet kulturore (shekullarizmi, nga Averroes) e kështu me radhë.

Vepra në fjalë pasqyron si diskursin polit(ologj)ik ashtu edhe atë sociologjik lidhur me një term shumëpërmasor siç është identiteti, një conditio sine qua non i mbijetesës së bashkësive sociale në saje të ndjenjës së përbashkësisë, parakusht edhe i demokracisë, ndërkohë kërcënimi më i madh i saj dhe i civilizimit. Meyer trajton edhe identitetin politik të Evropës si diçka e veçantë, por jo tërësisht unik, identitetet kulturore të Evropës që paraqesin një mozaik apo “karneval identitetesh të ndryshueshme” (Bartra), që nga qarqe të caktuara perceptohen një pykë që e çan trungun e përbashkët të idealit të paneuropianizmit. Autori vë nën vatër edhe vlerat si liria, paqja, dinjiteti njerëzor, barazia dhe drejtësia sociale, të cilat ndërlidhen me “etosin politik botëror” dhe me universalitë kantiane. Gama analitike e këtij punimi kap edhe identitetet “e arrnuara” të “shekullit ideologjik” dhe rrugëtimet e qërimit të qepës drejt bërthamës identitare, që shpeshherë shpien në ambis vetëperceptimor.

Autori flet edhe për divergjencat lidhur me konceptin e të mirës së përgjithshme dhe të të kuptuarit të marrëdhënieve mes qytetarëve dhe shteteve në njërën anë dhe të vetë qytetarëve mes vete në anën tjetër, nga provinienca të ndryshme si ajo e liberalëve, e demo-kristianëve, e republikanëve, e social-demokratëve, e anarkistëve etj. Vepra përveç pjesës teorike përfshin edhe të dhëna empirike nga sondazhe, hulumtime të ndryshme kuantitative që flasin për inxhineringun social pragmatik të UE-së si një krijesë që, në rastin më të mirë, mund të gjejë miratim racional apo vullnet për pjesëmarrje të kontraktuar, për të evituar antieropianizmin europian. Ai shtron tezën se interpretimet fundamentaliste dhe esencialiste të identitetit shpien kah ideja për kulturën primare që i rrezikon të drejtat e të tjerëve për identitetin vetjak, duke e ndërlidhur subjektin me “kulturat ardhacake” dhe integrimin përkundër getoizimit dhe krijimit të shoqërive paralele. Sipas Meyer Europa duhet të ketë një kujtesë kolektive vitale, të mos harrojë Aushvicin, fashizmin, komunizmin, duke nënvizuar qndrimin e Kaganit për papjekurinë e kontinentit të vjetër që i përmbahet iluzionit të Kantit për mundësinë e rendit të pastër juridik botëror, përkundër SHBA-ve që vërejnë gjendjen reale përplasëse të gjërave dhe në bazë të saj ndërtojnë strategjinë e vet globale.

Libri përmbyllet me pohimin se për ardhmërinë e Unionit Europian më i rëndësishëm është identiteti politik e jo ai kulturor, duke shpalosur kështu idenë për një Europë të hapur, liberale, jashtë skemave të ekskomunikimit të tjetërsive kulturore, nga njëra anë duke shënjuar se prerjet e kirurgjisë sociale si “ne”-“ata”, “Oksidenti”-“Orienti”, europianizmi-aziatizmi, protoeuropiani-qytetari “i kushtëzuar” janë të dëmshme për qeniesimin e vetë europianit të shekullit XXI, dhe nga ana tjetër duke nënvizuar rëndësinë e transkulturalizmit, të tolerancës aktive dhe të etikës politike përkundër hybris-it si ndjenjë destruktive.

Ky libër, me një instrumentarium të fortë metodologjik dhe shkoqitje të thuktë të pikëpamjeve të autorëve më të shquar bashkëkohorë të lëmës (Habermas, Verba, Arendt, Bourdieu, Putnam, Castells, Rorty) ka gjetur recipientin e vet, është shndërruar në doracak të mësimdhënësve, studiuesve, studentëve për disiplinat shkencore si studime evropiane, shkencat politike, diplomacia, filozofia politike, filozofia e kulturës, sociologjia e të ngjashme. Ai plotëson një zbrazëtirë të literaturës lidhur me trekëndëshin Evropa natyrale-identiteti-UE dhe të nxisë debate e publikime të reja në këtë fushë! E gjithë kjo për të njohur si Evropën ashtu edhe veten në kuadër EUtopisë, të këtij arcanum-i të kohës sonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button