Përfitimet e të rinjve nga integrimi në Bashkimin Evropian

Si një i ri në të njëzetat e mia, që i takon një vendi i cili nuk është pjesë e BE-së, do të thoja se integrimi në BE është një nga ëndrrat më të mëdha për pothuajse çdo të ri që jeton në Maqedoninë e Veriut. Personalisht kam pasur rastin të studioj për një semestër në një vend të BE-së, ku atje kuptova rëndësinë faktike që BE-ja ka për të rinjtë dhe përfitimet që kjo e fundit sjell. Rinia e BE-së ka dukshëm më shumë mundësi dhe përparësi sesa ato të rinj që nuk janë pjesë e këtij unioni. Përvoja ime ma ka dëshmuar këtë, sepse kam pasur momente ku  jam ballafaquar me situata ku nuk kisha mundësitë që kishin kolegët e mi nga BE-ja. Është shumë më e lehtë të kuptosh rrënjën e përfitimeve që siguron integrimi në BE dhe të numërosh ato, kur ke provuar jetën në një vend të BE-së personalisht. Përparësitë e integrimit në BE janë të panumërta, megjithatë ato më të rëndësishmet kur bëhet fjalë për rininë, sipas mendimit tim janë: arsimi cilësor, punësim i të rinjve, përfshirja, shkëmbimet, mënyra e jetesë më e mirë dhe shumë më tepër, të cilat janë elementet themelore që e ndërtojnë një shoqëri të shëndoshë.

Si fillim, integrimi në BE nënkupton lëvizje të lirë brenda vendeve anëtare. Kjo do të kontribuonte menjëherë në arsimin cilësor, studentët do të kishin mundësinë të studionin në çdo vend të BE-së që ata dëshirojnë; në të njëjtat rrethana si studentët vendas. Për më tepër, kjo do t’u jepte më shumë mundësi universiteteve tona, si dhe akademikëve tanë për t’u angazhuar në programe të ndryshme. Kjo tregon në mënyrë aktive se sistemi arsimor këtu do të përmirësohej ndjeshëm.

Së dyti, integrimi në BE nënkupton punësimin e të rinjve dhe mundësi më të mira për karrierë. Në vendin tonë të rinjtë vuajnë nga papunësia dhe mungesa e perspektivave të punës. BE-ja e mbështet pikërisht këtë dhe ka programe më të mira dhe më të sofistikuara për punësimin e të rinjve. Për këtë arsye, shumë të rinj nga vendi jonë migrojnë në vendet e BE-së, me shpresën për të gjetur një punë  më lehtë dhe më të mirë. Në këtë kontekst, Integrimi i Maqedonisë së Veriut paraqet se të rinjtë jo vetëm që do të kishin arsim cilësor, por ne gjithashtu do të kishim më shumë mundësi karriere brenda, si dhe jashtë vendit tonë, gjë që sigurisht do të minimizonte migrimin. Për më tepër, me njohuritë dhe krijimtarinë tonë, do të ishte më e lehtë për ne të zbatonim idetë tona dhe të kontribuonim në zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë.

Së treti, anëtarësimi në BE do të na siguronte përfshirje në fusha të ndryshme, veçanërisht në politikë dhe vendimmarrje. Ku, ky është edhe një nga problemet më të mëdha në vendin tonë, sepse për shkak të sistemit politik që kemi; të rinjtë nuk janë të përfshirë sa duhet në politikë. Ne duam që zëri ynë të dëgjohet dhe jo njerëzit e tjerë të marrin vendime për ne; ne duam të përfshihemi në vendimmarrje dhe në politikat rinore. Meqenëse BE-ja ka programe të veçanta të politikave rinore dhe përfshirje për të rinjtë, integrimi në BE është opsioni më i mirë për zgjidhjen e këtij problemi, ku ne mund të kontribuojmë dhe të vendosim për të ardhmen tonë vetë.

Së katërti, shkëmbimet rinore luajnë një rol të rrëndësishëm në zhvillimin tonë personal dhe profesional. Ne si të rinj gjithmonë dëshirojmë të jemi aktivë. BE-ja, brenda strategjisë së vet ofron mijëra shkëmbime dhe programe të të rinjve, ku të rinjtë mund të angazhohen dhe të bashkëpunojnë me kolegët e tyre nga vende të ndryshme të Evropës. Si rezultat, ne mund të fitojmë aftësi të ndryshme të tilla si: të menduarit në mënyrë kritike, tolerancën, zgjidhjen e problemeve, pavarësinë, kreativitetin, etj; gjë që do të kontribuonte në gjetjen e rrugëve tona individuale në tregun e punës. Shkëmbimet e të rinjve kanë një ndikim të madh në ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve midis vendeve dhe kulturave, sipas sfondit historik dhe kulturor aktual të vendit tonë; kjo do të ishte një dorë shumë e mire dhe një faktor thelbësor në përmirësimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e konflikteve tona me shtetet fqinje.

Duke përmbledhur gjithçka që theksova më lartë, unë besoj se të rinjtë janë e ardhmja e Evropës dhe vetë BE-ja është një shtëpi e sigurt për ne. Anëtarësimi në BE ka më shumë përfitime dhe mundësi sesa ato që përmenda më sipër. Integrimi në BE jo vetëm që do të sillte një mënyrë jetese dhe sistem më të mirë, por do të ishte gjithashtu një motivim shumë i madh për çdo të ri që jeton këtu. Qëllimi ynë si shoqëri duhet të jetë të kontribuojmë drejt ndryshimit të sistemit të vendit tonë, përmes politikave rinore të cilat më pas do të na hapnin rrugën tonë për në BE; ku të rinjtë mund të flasin, të veprojnë dhe të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Nëse duam gjenerata të ardhshme  “më të shëndetshme”, duhet të veprojmë tani!

Shkruan: Fisnik Xhelili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button