Tetovë, premtimi 8 vjeçar për parking në kate rrezikon të mos realizohet as këtë mandat

Mjetet punuese të kompanisë “Eurovia” për ndërtimin e parkingut në kate në Tetovë ngelën në gjysmë të rrugës ndërsa premtimi tetëvjeçar i kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi, rrezikon të ngelet i paplotësuar edhe gjatë këtij mandati, kështu për Portalb.mk e konfirmoi zëdhënësi i kësaj komune, kjo për shkak se në adresën e komunës së Tetovës deri tani kanë arritur dy peticione nga banorët, një nga ata që dëshirojnë ndërtimin e parkingut dhe tjetri nga ata që e kundërshtojnë, kompromis ende nuk ka, shkruan Portalb.mk.

Një nga projektet më të përfolura dhe nga vetë kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në fushatat parazgjedhore të të dy mandateve, ishte premtimi për ndërtimin e një parkingu në kate në Tetovë.

Pas tetë vitesh vetëm premtime, disa muaj më herët për herë të parë u ndërmor diçka në këtë drejtim por, nuk është marrë pëlqimi i banorëve, në lagjen ku pritet të ndërtohet ky parking në kate, gjegjësisht pas restorantit Tivoli.

Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës potencuan se arsyeja e mos fillimit të punëve për ndërtimin e këtij parkingu janë dy peticionet nga banorët e asaj lagje, peticione këto, që janë të kundërta me njëra tjetrën ndërkaq kompromis mesa banorëve nuk ka dhe deri tani nuk është realizuar asnjë takim për ta gjetur atë.

“Janë duke u shqyrtuar parashtresat e banorëve.  Për momentin ka arritur edhe një peticion tjetër nga banorë që duan te ndërtohet parkingu. Do të tentojmë të ulemi me të dyja palët te gjejmë kompromis” deklaruan nga komuna e Tetovës.

Të pyetur për atë se a rrezikon që ky premtim tetëvjeçar i kryetares Arifi të ngelet pa u realizuar gjatë këtij mandati, nga komuna e Tetovës nuk e mohuan këtë mundësi, duke shtuar se ka qindra njerëz të cilët e kundërshtojnë atë.

“Nuk e di a do mund të arrijmë marrëveshje sepse janë qindra njerëz të nënshkruar” thanë për Portalb.mk nga komuna e Tetovës.

Portalb.mk siguroi peticionin e banorëve që kundërshtojnë ndërtimin e parkingut:

Sipas banorëve, edhe pse ky parking pritet të ndërtohet në oborrin e tyre, askush nga autoritetet komunale nuk i ka informuar ata paraprakisht ndërsa procedura ka rrjedhur në formë jotransparente.

“Kryetarja Arifi pa procedurë dhe në mënyrë jotransparente është marrë me këtë punë, ka zgjedhur kompaninë e cila do të obligohet të ndërtojë parking në kate për parkim të veturave në lokacionin e vetëm në qendrën e qytetit e cila mund të shfrytëzohet për ndërtimin e një parku dhe parkingu nëntokësorë, për rreth 1000 banorë të cilët jetojnë aty. Vlera e parkingut në kate është rreth 824 mijë euro” shkruan në ankesën e banorëve të lagjes.

Sipas tyre, ka shkelje të disa neneve të ligjit për ndërtim si dhe të ligjit për ambient jetësorë, edhe atë bëhet fjalë për “shkelje të nenit 3, 8, 10, 13, 43, 71, 72 si dhe të nenit 136 të ligjit për ndërtim si dhe shkelje të nenit 22, 22-a, 22-b, 23, 26, 26-a, 28 të ligjit për ambient jetësorë nga ana e kryetares të komunës së Tetovës, Teuta Arifi, si porositës”.

 

This slideshow requires JavaScript.

Cili do të jetë kapaciteti i këtij parkingu dhe sa ka kushtuar?

Nga kompania e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij parkingu në kate, informojnë se bëhet fjalë për gjithsej 180 hapësira parkimi dhe se do të jetë parking njëkatësh, gjegjësisht kati përdhes dhe dyshemeja.

“Zona që mbulohet është 2200 m2 me rreth 180 hapësira parkimi. Hapësira për parkim është në dy nivele. Kati përdhes dhe dyshemeja” informuan për Portalb.mk nga “Eurovia”.

Nga “Eurovia” premtuan se punët do të fillojnë gjatë muajit prill ndërsa parkingu njëkatësh pas restorantit “Tivoli” në Tetovë, sipas tyre pritet të përfundojë në shtator të vitit 2021.

Polemika të shumta ka pasur nga qytetarët në lidhje me kushtueshtimin e këtij projekti, ky parking njëkatësh taksapaguesve tetovarë ju ka kushtuar gjithsej 820.000 euro, që i bie për një vendparkim, është paguar 4.555 euro..

Sa për informatë, vitin e kaluar në komunën e Kumanovës u përurua parkingu i parë në kate, i cili ka kapacitet për gjithsej 80 vetura ndërsa ka kushtuar 240.000 euro, që i bie 3.000 euro për një vendparkim.

Ky është vendi ku pritet të ndërtohet parkingu:

This slideshow requires JavaScript.

Ky projekt premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nga viti 2013

Projekti i parkingjeve nëntokësore apo në kate ngelet premtim i parealizuar i kryetares Arifi, edhe pse i njëjti është premtuar nga viti 2013 kur për herë të parë kjo e fundit kandidoi për postin e kryetares së komunës së Tetovës.

“Unë e shoh Tetovën me infrastrukturë efikase rrugore, parkingje nëntokësore dhe linja të rregullta të transportit publik” tha Teuta Arifi në vitin 2013.

Të njëjtin premtim kryetarja Arifi e përsëriti edhe në fushatën parazgjedhore të vitit 2017, e cila tha se këto parkingje do të zgjidhnin problemin e komunikacionit në Tetovë

„Ngarkesa e komunikacionit është një prej problemeve më të mëdha që i ka qyteti. Ne kemi themeluar ndërmarrjen Parkingjet e Qytetit dhe sadopak kemi arritur të zvogëlojmë tensionin në qytet dhe jemi në projektim të zgjerimit në mandatit që vjen pikërisht zonave të parkingut. Mendoj që edhe garazhet në kate do të zgjidhin këtë problem” tha Teuta Arifi  Top Tema në vitin 2017.

Ndryshe, këto nuk janë projektet e vetme të parealizuara në fushën e lehtësimit të komunikacionit në Tetovë, si në fushatën parazgjedhore të vitit 2013 ashtu edhe në vitin 2017 kryetarja Arifi kishte premtuar hapjen e bulevardit “Blagoja Toska”, sigurimin e autobusëve për Transport Publik si dhe hapjen e dy bulevardeve tjera, nga të cilët, deri tani është bërë vetëm vazhdimi i bulevardit industrial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button