Zylbeari: Gazetarët duhet të promovojnë multikulturalizëm, e jo të jenë megafonë partiak

Vlerat evropiane nuk janë vetëm të Evropës, ato duhet të jenë edhe vlerat tona. Ne si media duhet të jemi profesionistë dhe të raportojmë në mënyrë të paanshme. Gazetarët duhet të bëjnë tema që promovojnë multikulturalizmin, e jo të shërbejnë si megafonë të partive politike. Gazetarët e vërtetë janë ata që respektojnë kodin, kurse ka shumë “gazetarë” që zbatojnë ndonjë agjendë dhe thjesht bëjnë zhurmë. Gazetari është zëri i të pafuqishmëve, deklaroi Elida Zylbeari kryeredaktorja e Portalb-it në panelin e organizuar nga CIVIL: “Multikulturalizmi dhe vlerat evropiane në media”.

Sipas saj, shumica e mediave të vendit janë mono-etnike dhe ka shumë pak mbulim të komuniteteve të tjera etnike, përveç nëse ka ndonjë tragjedi, incidente më serioze ose eventualisht festa fetare dhe kaq.

“Sikur të jenë një etnitet që jeton në ndonjë planet tjetër, e jo si njerëz që jetojnë së bashku dhe që përdorin të njëjtat shërbime, thithin të njëjtin ajër, etj. Sistemi është ndërtuar si i tillë, dy ose tre bashkësi etnike nuk përzihen shumë dhe nuk kanë njohuri për njëri-tjetrin, kurse stereotipet që shfaqen më pas përhapen në rrjetet sociale dhe vetëm e konfirmojnë atë. Gazetarët që vijnë nga një mjedis i tillë, do të punojnë në atë media që është monoetnike, do të vazhdojnë të konfirmojnë atë në të cilën besojnë. Nuk ka tolerancë dhe mirëkuptim për shkak të faktit se ata nuk e dinë gjuhën/fenë dhe nuk e njohin njëri-tjetrin”, tha Zylbeari.

Një problem tjetër i thekruar, sipas redaktores së Portalb-it, është se nuk ka përkthim në gjuhën e komuniteteve të tjera, por ekziston përkthim në anglisht. Dhe kjo, siç shprehet ajo, jo sepse i urrejnë ose kanë kundërshtim, por se as nuk e mendojnë një gjë të tillë.

“Ky është një shembull i keq. Kjo padituri dhe injorim na çon të kemi lajme vetëm të njëanshme ose lajme që nuk janë të gjera dhe nuk kanë interes për të gjithë. Interesi publik është publik pasi jetojmë në një shtet multietnik. Duhet të ketë vazhdimisht lajme dhe informacione që ta informojmë komunitetin tjetër se po përballemi me të njëjtat probleme. Edhe nga kjo anë e botës edhe nga ana tjetër ka kriminelë dhe njerëz të mirë. Kur krijuam Portalb-in, ne krijuam një urë midis dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, që të mund të përkthejmë dhe themi atë që po ndodh në publikun maqedonas, atë turk, shqiptar, te të gjitha komunitetet. Për shembull, nëse ka ndonjë problem në komunën e Strugës, duhet të raportohet në të gjitha gjuhët me qëllim që të gjithë të informohen, dhe problemi të mos injorohet nga dikush, u shpreh Zylbeari.

Përmes kësaj qasjeje, pra raportimit edhe për komunitetet e tjera, konsideron ajo, të gjithë do të ndjehen pjesë e padrejtësisë, drejtësisë ose pjesë e atij sistemi. Ndërsa shfaqja e mediave online vetëm sa e ka theksuar edhe më shumë këtë boshllëk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button