Adem Kastrati – kronikani i Mollës së Kuqe

Kam pasur një rrugë formimi plot therra… Si fëmijë ruaja bagëtinë dhe gdhendja shkopinj, u jepja atyre forma të ndryshme, kurse në pamundësi për të blerë ngjyra pikturoja më dhera… Unë kam përdorur prore figura që janë në disproporcion me realitetin. Figurat e mia nuk janë monotipike për të qenë naive. Ato kanë unin e tyre, kanë shpirt… Tek unë shprehet optimizmi, stoicizmi, qëndresa… Jam ruajtur sa kam mundur nga ndikimet e të tjerëve… Kam përjetësuar fshatin, folklorin dhe tërë pasurinë që ofronte ajo jetë plot dhembje e idil…

Janë këto fjalët e piktorit Adem Kastrati që shpërfaqin botën motivore/ tematike të pikturave unikate, formimin dhe krijimtarinë e tij shumë të veçantë.

Pikturat e Ademit të shpijnë në fëmijërinë e hershme të artistit, në folklorin e pasur burimor shqiptar, në gojëdhënat, baladat e legjendat, në mitet dhe përrallat e pleqve të vendlindjes. Arti i tij lidhet funde krye me temat e atdheut, me peizazhet e vendlindjes, me pamjet që iu ngulitën përsijeta në tru e shpirt dhe që ai i barti gjer në fund të karrierës prej piktori të suksesshëm. Kodrinat bleroshe, tufat e dhenve, barinjtë e vegjël, njerëzit që punojnë tokën, peizazhet rurale, idilet baritore, tema e madhe e nënës së preokupuar me fëmijët e saj, djepi që përkundet nga dora amnore, nuset që çojnë bukën në arat me grurë, vizatuesit e vegjël, krushqit, dasmat, bisedat përreth sofrës…, përbëjnë një botë të virgjër e plot jetë, plot vuajtje dhe idil  brenda vetes.

Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbarsura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajtoi fshataren, këtë qenie të drejtpërdrejtë, që i jep kuptim jetës edhe kur punon, edhe kur dëfrehet, edhe kur i këndon ninulla fëmijës së saj në djep… Gratë e tij janë me tipare karakteristike – me sy të mëdhenj e plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për Adem Kastratin ishin pasqyra të shpirtit dhe vullkaneve të brendshme, dritare që shpalojnë botën e figurave, momentet e thella, gjendjet psikike, tmerret e kohërave të paekuilibruara… Gjinjtë e mëdhenj të saj, ndërkaq, simbolizojnë plleshmërinë, sigurinë, jetën…

Femrës nënë dhe mirëmbajtëse të jetës së familjes piktori i kushtoi vëmendje parësore. Figura e saj është e bukur dhe joshëse, e vyeshme, e kujdesshme, e pathyeshme, humane e mëshirëplote – qenie e sakrificës që vë në lëvizje jetën, që e zbukuron, që i jep asaj kuptim e gjallëri. Ai e ka përjetësuar atë në të gjitha pamjet e mundshme: në punë, në treg, në ndejë, në lojë, në aheng e gazmend, në çaste ekzaltimi, të etur për pak ledhatim e përkujdesje…

Burrat ndërkaq duken të rëndë, sepse, sipas piktorit, këtë e kanë traditë. Ata janë të tillë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur luajnë në dasma… Ata e kanë të rëndë edhe bukurinë fizike.

Sado që gjërat i shihte me përmasat reale, kur ishte në pyetje fëmijëria e kaluar në fshatin e lindjes, piktori kaplohej shpesh nga ndjenjat romantike. Ngado që shkonte ndiqej nga fyejt e barinjve, kambanat e bagëtive, cicërimat e zogjve, aromat e ahishtave, krojet me ujë të ftohtë, gurgullimat e përroskave, që krijonin bashkë botën harmonike, simfoninë përrallore të Adem Kastratit. Asgjë nga fëmijëria e kaluar në fshatin e lindjes nuk u shlye nga kujtesa e tij. Imazhet e saj ai i barti përgjithmonë me vete, i mikloi si fëmijën, ua veshi rrobat më të çuditshme dhe ua dha jetën, frymën dhe shpirtin e tij. Ai i kurseu ato nga teprimet e mundshme dhe gjestikulacionet patetike, duke iu shmangur folklorit dhe etnografisë dhe duke u munduar të shpalojë nga brenda fuqinë psikike, shpirtërore dhe fizike të heronjve të tij.

Frymëzim të veçantë gjeti në dasmat fshatare dhe vallet e rënda të malësorëve që i gjejmë në pikturat me dasmorë, me karvanë të gjata krushqish, të prirë nga bajraktarët me shervete të kuqe të lidhura në krahun e majtë, pas të cilëve radhiten këmbësorët e mefterët (daullexhinjtë dhe zurlaxhinjtë), kalorësit dhe seksanet (kuajt e ngarkuar me pajën e nuses) dhe, gjithsesi, nusja në kalë të bardhë, e mbuluar me duvakun e kuq ngjyrëgjaku.

Adem Kastrati përjetësoi në pëlhurat e tij pothuajse të gjitha anët e bukura dhe ndeshtrashat e vendlindjes dhe njerëzve të fshatit. Madje edhe në pikturat me ambiente qyteti (që janë më të rralla) ndihet aroma e fshatit, bota me përmasat e shpirtit të piktorit. Dallohen realizimet e bukura me turmat e nisura drejt fshatit, që japin imazhin e atyre që tentojnë të braktisin jetën monotone të asfaltit e të zhurmës.

Tablotë e tij janë shpesh të mbushura me fëmijë, të cilët piktori i solli në pëlhura me tërë universin e tyre të pabrenga. Ata japin shpesh krye në pikturat e Ademit, duke zgjatur kokat kurrioze nga prehri i ngrohtë të nënave dhe gjysheve. Ata janë të dashurit e Ademit, ndaj i lëvaren për qafe edhe tek autoportreti.

Në galerinë e madhe të motiveve të artistit atipik për nga krijimtaria zënë vend dhe pamjet e dimrit, kur fshatari pushon fizikisht e psikikisht, netët e gjata me burra e muhabete pa fund, lojërat me filxhanë, tingujt melankolikë të kavallit… Ademi e donte shumë dimrin, ndaj peizazhet dimërore i pikturonte vetëm në atë stinë. Thoshte: Dimrin pa borë nuk e dua, sikur nuk i dua pranverat pa lule, verat pa fryte, vjeshtat pa vjelje, shtëpitë pa fëmijë dhe dasma… Dimri me borë e stuhi ngjall nostalgji të madhe tek unë, për fëmijërinë time, rininë time, sa që i përjetoj shumë thellë shpirtërisht si momente. Prandaj, kur bie borë, që të përjetoj sa më mirë ato momente, dal e eci nëpër qytet duke lejuar t’më rrahin bora e furtuna… E gjithë kjo më rikthen shpirtërisht në të kaluarën e pakthyeshme…

Motivet i gjente gjithandej ku bëhej jeta e gjallë e njeriut të zakonshëm dhe ku sigurohej ekzistenca e tij: në festa, në rrugë, në çajtore, në treg, në ara… Janë të shumta pëlhurat gati realiste me të cilat përjetëson momentet e korrjes së grurit të pjekur, lindjen dhe rritjen e fëmijëve në arën e bukës, ku nënëloket kultivonin jetën e larë me djersën e shpresës.

Adem Kastrati e deshi jetën dhe besonte në njeriun. Ai ishte i bindur se pamjet rrëqethëse të fëmijërisë së hershme që lidheshin me golgotën e karvanëve të pafund të bashkëvendësve të shkulur me dhunë nga vatrat e të parëve, ishte vetëm një kujtim i hidhur që s’mund të përsëritej kurrë. Mjerisht, në vitet e fundit të jetës ai qe dëshmitar i tragjedisë njerëzore të Bllacës, të cilën e përjetoi si një gjëmë përmasash të veçanta që ia ndryshoi konceptet mbi gjërat dhe natyrisht kushtëzoi këndvështrime të reja të piktorit mbi fenomenet e kësaj bote. Ky ekzod biblik i përmasave të papara, kjo tragjedi njerëzore që të step e të lë pa tekst, për piktorin fliste më shumë se historitë e botës bashkë, ndaj iu imponua si motiv i frymës së fundit të jetës.

Përndryshe, udhën e tij prej piktori Adem Kastrati e nisi me modelime pëllumbash e qengjash të brishtë me baltën shumëngjyrëshe të vendlindjes, për të kaluar më pas në atë fazën e parë të krijimtarisë së tij që zgjati deri kah viti 1962, të njohur si e kaluemja e hidhur, sepse në ato piktura pasqyrohet vuajtja, skamja, shtypja e regjimeve antipopullore e përjetuar dhe e parë nga syri i mprehtë i piktorit. Në fillet e punës së tij si artist, ai pikturoi skelete dhe lule të venitura, pemë të thyera të vëna pranë figurave njerëzore…, që përbënin një botë të tërë dramatike të mbuluar me hijen e së keqes.

U muar pak edhe me tematikën e Luftës së Dytë Botërore – betejat, stuhitë dhe njerëzit e përthekuar nga acari dimëror. Megjithatë, realizimin e plotë e arriti me teknikën e pikturimit me dherat ngjyrëshpirti të vendlindjes. Përmes kësaj teknike ai ia doli të ringjallë me shumë sukses një botë të vjetër, të lënë peng si amanet nga të parët.

Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Maxhetorja”, “Baçica”, “Defatorja”, “Vektorja”, “Baresha”, “Lypësja”, “Nëna dhe fëmija”, “Duke i dhënë gji fëmijës”, “Imazh fëmijërie”, “Femrat duke u larë në hamame”, “Mikpritja”, “Vaji për Rexhën”, “Djali gjarpër”, “Rrushe Rexha”, “Ndarja e fundit”, “Refugjati me fëmijët”, “Xhehenemi i Bllacës”, pikturat me motive legjendash popullore: “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Krushqit e ngurosur”…

Ai përdori ngjyrat e dheut në mënyrë shumë autentike, pa asnjë përzierje tjetër artificiale, duke arritur kësisoj të përfaqësojë jetën e njerëzve të tij, asaj bote të lidhur për tokën stergjyshore, me tërë mbamendjen dhe korpusin e madh të vlerave shpirtërore. Ngjyrat e dheut, të tërhjekura e disi të shuara në vetvete, na bëjnë ta ndjejmë prezencën e kohërave të shkuara, të vëmë kontakt emocional me to. Peizazhet e dashura të vendlindjes ai i barti në pëlhura me teknikë, stil dhe zhanër origjinal. Përmes realizimeve harmonike kompozicionale dhe përmes toneve specifike të dherave të Karaçevës së tij ai ia doli të gërshetojë botën reale me atë imagjinative dhe t’i japë vendlindjes ngjyrën e fëmijërisë.

Kjo mënyrë autentike e shprehjes së botës së brendshme përbën njërën nga shtyllat e suksesit të pikturës së tij të pakategorizueshme që nuk shembëllen me rymat dhe rrugët e panumërta artistike dhe që vetëm në shikim të parë del e ngjashme me pikturën e ashtuquajtur naive. Të vërtetën rreth kësaj më së miri e ka sqaruar vetë piktori në shënimet e tij të shumta, në intervistat e panumërta dhënë mediave të shkruara e elektronike: Pikturat e mia nuk i takojnë artit naiv. Unë nuk i trakoj plotësisht asnjërit drejtim. Nuk më interesojnë stilet, ndaj pikturoj në mënyrën time. Tematika e pikturave të mia është fshati, kurse si formë është paraqitja reale e dhënë përmes fuqisë dhe gjuhës karakteristike te pikturës. Njeriu i shkolluar , që i di ligjet e të pikturuarit nuk mund të bëjë art naiv… Pikturat e mia nuk mund të jenë naive sepse nuk kane veç anën vizuele, po edhe fuqinë shprehëse, me plot botë psikologjike brenda vetes…

Risi tjetër e Adem Kastratit është përdorimi i vijave të gërryera në pikturë, për të cilat thotë se, bashkë me sytë e figurave të pikturuara me kujdesin maksimal, janë dy elementet qenësore e karakteristike të veprave të tij. Pikturat janë plot kontraste interesante ndërmjet figurës dhe sfondit, pa aplikuar fare hijen, i bindur se ajo i takon skulpturës dhe pikturave me figura statike. Ai punonte me skica – bënte vija në sipërfaqen e një lloj dheu që e ngjitte pastaj në pëlhurë. Ishin këto vijat e para që më pas nuk mund të përmirësoheshin. Përndryshe, vijat e gërryera të Ademit janë përdorur në artin e lashtë vetëm në qeramika dhe në skulptura.

Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti të jetë i veçantë, si rrallë ndonjë tjetër. Pikturat e tij kanë tipare karakteristike përmes të cilave mund ta njohin edhe adhuruesit me shije më modeste. Ato përplotësojnë njëra-tjetrën dhe janë pjesë e një mozaiku të madh që vazhdon të jetë unikat në artin e pikturës.

Merre si ta marrish, pikturat me porosi humane të Adem Kastratit përbëjnë lejenjoftimin më të mirë të një të kaluare dhe një bote që s’është më. Për shumëkë ai është kronikani më i mirë i Mollës së Kuqe, piktori më atipik i universit shqiptar, ku vijnë e gjejnë veten edhe universe të tjera, duke qenë se natyra njerëzore është një, kurse udhët e qytetërimeve relativisht të ngjashme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button