Sali Berisha paralajmëroi padi ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka thënë se akuzat e ngritura ndaj tij nga Departamenti i Shtetit të SHBA janë “shpifje publike” dhe tha se avokati i tij po përgatit padi ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, raporton REL.

“Nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se unë, jam po kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive, prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral, dhe të respektuar siç është Franca, që të ngrejë ndaj Antony Blinken një padi direkte për shpifje publike. Do të paditet nga Gjykata Korreksionale e Parisit, në të cilën është ngritur padia nga avokati im”, tha ai.

Në konferencën për media në Tiranë, Berisha tha se vendim i DASH-it i ka cenuar dinjitetin, por tha se do vijojë të bëjë përpjekjet e tij për të qartësuar çdo gjë që lidhet me akuzat e ngritura.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme për mua se marrëdhëniet me SHBA-në, por mbi të gjitha është dinjiteti njerëzor, dinjitetit është thelbi i njeriut të lirë, jam përpjekur gjithë jetën ta ruaj, më është cenuar si kurrë më parë, por këtë do ta qartësojë deri në fund. Unë do të vendos dinjitetin tim në vend”, tha ai.

Një ditë më parë Departamenti i Shtetit i SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitime dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.

“Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara e arsyetojnë vendimin me faktin se, i njëjti është në vazhdën e riafirmimit të përkrahjes së SHBA-së, për reformat kryesore politike dhe institucionet demokratike të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button