Nuk është e sigurt se në qershor do të fillojnë negociatat me BE-në, Osmani: Po bëjmë përpjekje maksimale që kjo të ndodhë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi sot se, nuk dëshiron të rrisë pritshmëritë e qytetarëve se qershori është i sigurt për fillimin e negociatave, sepse kjo nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e Bullgarisë. Mirëpo, siç u shpreh ai, mund t’i rrisë prithshmëritë e njerëzve se do të bëjnë përpjekje maksimale për të gjetur një zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Ai tha se nesër ministri i Jashtëm i Portugalisë, do tua prezantojë një propozim në lidhje me këtë, duke shtuar se vendi është i gatshëm për t’u angazhuar për të gjetur një zgjidhje e cila do të respektojë qëndrimet e të dyja palëve në këtë proces.

“Edhe përkundër të gjitha spekulimeve të kryesimit me Unionin se Portugalia nuk do ta ketë prioritet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut por edhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, kjo u tregua si e gabuar. Mund të them se jam dëshmitar i një angazhimi serioz proaktiv të kryesimit të Portugalisë nga dita e parë të ndërmarrjes së atij kryesimi. Tentime serioze që të gjenden mënyra si të tejkalohen dallime, me qëllim që ky proces të filloj në kuadër të kryesimit të tyre. ky angazhim vazhdon edhe tani. Nesër jemi në pritje të ministrit të Jashtëm, i cili shpresojmë se do të vijë me propozim ide si të tejkalohet kjo bllokadë dhe si të kthehemi në situatë të besimit mes dy palëve që të mund vazhdojë edhe procesi i negociatave, por edhe të vazhdojë procesi i implementimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Paralelisht me këtë, ne kemi vendos komunikim me Qeverinë e re bullgare, vlerësoj se edhe me këtë qeveri mund të bisedohet edhe për këto çështje, përkrah asaj që është zyrtare. Kështu që, shpresojmë edhe në propozimin, megjithatë edhe në komunikim direkt që e kemi me qeverinë bullgare”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se, janë të përgatitur për t’u inkuadruar në biseda thelbësore me presidencën, me palën bullgare, për shkak se vlerësojnë se qershori është i papërsëritshëm në kontekst të mundësive që ofron për fillimin e negociatave.

“Unë jam  i vetëdijshëm se edhe pala bullgare është e vetëdijshme, unë veç më kam krijuar kontaktin me qeverinë atje dhe po tentojnë që në të gjitha format ta racionalizojmë debatin dhe të gjejmë mënyrë se si të dalim nga kjo bllokadë. Po tentojmë në çdo mënyrë ta kthejmë besimin dhe qëndrimet se mënyra e vetme që raportet të kthehen në normale mes dy vendeve është t’i kthehemi marrëveshjes. Marrëveshjes do t’i kthehemi nëse e mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare, ku do të bëjmë prerje të asaj që është implementuar deri më tani nga marrëveshje dhe do të bëjmë plan aksional për atë që duhet ta implementojmë në periudhën e ardhshme”, theksoi ministri Osmani.

Përndryshe Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button