Ministri i jashtëm portugez dhe Varhelji, sot në Sofje dhe Shkup për zgjidhje të ngërçit mes dy vendeve

Ministri Portugez i Shtetit dhe Punëve të Jashtme, Augusto Santos Silva, në emër të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, do ta vizitojnë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut sot më 21 maj, për të diskutuar për çështje në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së me autoritetet e të dy vendeve, njofton Portalb.mk.

Sipas agjendës, në mëngjes, ata do të jenë në Sofje për të takuar Presidentin Rumen Radev, si dhe kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të qeverisë së re, ndërsa pasdite, në Shkup, do të takohen me presidentin Stevo Pendarovski, si dhe kryeministrin Zoran Zaev së bashku me zëvendëskryeministrin dhe me ministrin e Punëve të Jashtme.

“Fillimi zyrtar i negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është prioritet kryesor për BE-në dhe Konferencat e para Ndërqeveritare me të dy vendet duhet të organizohen sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të Kornizave Negociuese nga Këshilli”, thonë nga Zyra e BE-së në Shkup.

Gjatë vizitës pritet të diskutohet për një rrugëdalje të mundshme nga bllokimi në të cilin ra integrimi evropian i Maqedonisë pas vetos nga Bullgaria. Megjithëse në Sofje ka qeveri teknike dhe vendi po përballet me zgjedhje të reja, vlerësimi i shumë vendeve anëtare të BE-së, përfshirë presidencën portugeze, është se nëse nuk ka asnjë lëvizje në qershor, procesi mund të mbetet i bllokuar në plan afatgjatë. Kjo, nga ana tjetër, është e dëmshme për besueshmërinë dhe interesat e BE-së në rajon dhe ndikon negativisht në stabilitetin dhe demokracitë e brishta në Ballkanin Perëndimor.

Misionin ndërmjetësues të Portugalisë të hënën në një intervistë për “360 Gradë”  e njoftoi zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov.

“Ka sinjale më të fuqishëm për angazhim të presidencës portugezepër pasi këtu diplomacia pas dyerve të mbyllura jep më shumë shanse, nuk e di se sa e mençur është të them, por është e drejtë të them se ne presim angazhim të zgjeruar nga presidenca portugeze e cila ka vullnet të mirë. Gjeografikisht ata janë larg, pozicioni i tyre si ndërmjetësues i sinqertë është i qartë, ata duan sukses dhe duan ta përfundojnë atë që filloi presidenca gjermane dhe ta zbatojnë vendimin e Këshillit nga marsi i vitit 2020”, tha Dimitrov për 360 Gradë.

Të Shtunën, përsëri sipas informacioneve të kësaj medie, në Shkup do të udhëtojnë tre ministrja të BE-së – shefat e diplomacive të Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë. Ardhja e tyre në vend është pjesë e nismës më të zgjeruar për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut – miratimi i kornizës negociuese dhe caktimi i konferencës së parë ndërqeveritare.

Kryeministri Zoran Zaev sot në paraqitjen e tij për “Brifingun e mëngjesit” tha se presidenca portugeze po përpunon një strategji të tërë me të cilën do të paraqitet para Sofjes dhe Shkupit.

“Besoj se kjo do të ndodhë deri në fund të kësaj jave. Ata i dinë linjat tona të kuqe, ne ishim në Bruksel dhe iu thamë: Nëse prekni identitetin dhe gjuhën maqedonase, na hiqni nga negociatat. Askush nuk ka folur kurrë për identitetin. Ne po flasim si qeveri përmes presidencës portugeze dhe komisionerit të BE-së Varhei. Pres që Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, i cili kryeson me BE-në, dhe komisioneri të shkojnë në Sofje deri në fund të javës dhe të vijnë këtu dhe të paraqesin zgjidhje për të cilën kanë punuar për pesë ose gjashtë muaj”, shtoi Zaev.

Zaev, dje dhe pardje, kishte një seri takimesh me të parët e Unionit. Mesazhi që ai dërgoi ishte se Maqedonia e Veriut është e gatshme për bisedime, por jo me koston e identitetit dhe gjuhës dhe se kredibiliteti i BE-së është në pyetje është lejon çështje jo parimore, bilaterale të pengojnë procesin e integrimit evropian.

Përndryshe Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button