Sali Berisha: Vendimi i DASH-it nuk ka bazë konkrete

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas vendimit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së që i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë, shkruan REL.

Në reagim Berisha thotë se lajmin për ndalimin e hyrjes së tij në SHBA e kishte mësuar nga mediat. Ai tha se gjatë 30 viteve të tij në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë të tij, “nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj korrupsioni tjetër”.

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë kërkoi bërjen publike të çdo dokumenti që e përfshin atë në korrupsion, ndërsa shtoi se në pushtet dhe jashtë tij ka mbrojtur vetëm interesin publik kombëtar.

“Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjaret e mi”, shkruan Berisha.

Ish-kryeministri shprehet se qeveria e tij ka ndërmarrë një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dokumentuar kjo dhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA-së, teksa shton se vendimi i fundit nuk mund të lëkundë kurrë admirimin e tij për kombin e madh e mik amerikan.

“Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri. Po kështu unë kam mbështetur reformën në drejtësi e te gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë”, tha Berisha.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button