fbpx

Edukimi sjell ndryshime, lidh njerëzit dhe hap horizonte të mirëkuptimit, vlerësoi në intervistë Elida Nuri

Ne po e zhvillojmë këtë intervistë, sepse OKB-ja është duke punuar ngushtë me RYCO në një projekt të përbashkët. Pse e mbështetni RYCO dhe misionin e saj?

Në RYCO e kemi gjetur një partner të fortë, sepse është një organizatë ndërqeveritare që e promovon dhe forcon pajtimin, besimin, bashkëpunimin, paqen dhe dialogun në Ballkanin Perëndimor përmes programeve të shkëmbimit midis të rinjve, me një fokus në aktivitetet arsimore, kulturore, civile dhe sociale; një subjekt që udhëhiqet nga të rinjtë që bën çdo përpjekje për t’i promovuar programet e shkëmbimit ndërkulturor midis të rinjve dhe bashkëpunimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, që ne besojmë se do t’i sjellin dobi, ndërtimit të paqes dhe pajtimit në këtë nënrajon, që janë aq të nevojshme dhe që promovohen aq shumë nga OKB-ja në mbarë botën, nga një këndvështrim që bazohet në të drejtat e njeriut.

Si i kontribuon puna e RYCO drejt arritjes së OZhQ-ve?

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ-të) janë objektiva afatgjata për të cilat kanë dakord të gjitha qeveritë dhe shoqëritë, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor. Të shtatëmbëdhjetë OZhQ-të do të arrihen vetëm nëse të gjithë popujt, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile punojnë së bashku. Ne besojmë se RYCO, përmes misionit dhe ndërhyrjeve të saj për të rinjtë dhe me ta, e ka një rol të fortë për ta luajtur në arritjen e OZhQ16, përkatësisht për të promovuar shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, për të siguruar qasje në drejtësi për të gjithë të rinjtë, e posaçërisht për ata me të cilët është e vështirë të kontaktohet apo për grupet e cenueshme, dhe për ta ofruar një model të institucionit efektiv, llogaridhënës dhe gjithëpërfshirës, me ndihmën e OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të tjera.

Pse për OKB-në ia vlen që të mbështetet dialogu ndërkulturor dhe bashkëpunimi ndërkufitar dhe pse këto çështje janë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor?

OKB-ja është e shqetësuar se mungesa e përparimit në ndërtimin e besimit, dialogut konstruktiv dhe pajtimit që një kohë të gjatë në Ballkanin Perëndimorpërbëjnë rreziqe të mëdha për stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Kështu, bazuar edhe në tempin e krijuar nga strategjia e angazhimit të BE-së e vitit 2018 për Ballkanin Perëndimor, e cila prioritet e ka pajtimin, si thelbësor për sigurimin e paqes së qëndrueshme në rajon, OKB-ja është e përkushtuar që ta shtojë angazhimin dhe veprimin e saj për të ndihmuar në trajtimin e sfidave strukturore dhe sfidave të tjera që ndërlidhen me to. Përpjekjet e përbashkëta me RYCO për dialog ndërkulturor dhe bashkëpunim ndërkufitar janë në përputhje me prioritetet e OKB-së për parandalimin dhe ruajtjen e paqes, si dhe me Agjendën 2030 dhe OZHQ-të, dhe e plotësojnë punën e akterëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë (BE-së, OSBE-së dhe të tjerëve) me kapacitetet e saj programore dhe të tjera në të gjitha shtyllat e paqes dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit.

Çfarë dëshironi të arrini në fund me fushatën Rini e Frymëzuar nga Paqja dhe projektin në kuadër të cilit realizohet kjo fushatë?

Ne vërtetë shpresojmë se të rinjtë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë do të frymëzohen nga ajo që moshatarët e tyre kanë bërë dhe arritur përmes projektit tonë të përbashkët, duke treguar se të gjithë jemi aq të ngjashëm dhe se kemi kulturë dhe art shumë më të bukur, lidhje të përjetshme dhe më shumë gjëra të përbashkëta, në vend që të mbesin të ngujuar në të kaluarën dhe të ndarë nga historitë e vjetra apo gjuha e urrejtjes. Ne besojmë se të rinjtë munden dhe do ta bëjnë ndryshimin.

Njëra nga ngjarjet e fushatës e parasheh ndriçimin/ndritjen e shkollave në komuna ndërkulturore në tërë rajonin. Cili është mesazhi që mëtoni ta përçoni përmes këtij aktiviteti?

Epo, shkolla është simbol i arsimit dhe mundësisë. Arsimi sjell ndryshime, arsimi i lidh njerëzit, arsimi u hap horizonte të tëra mirëkuptimi, solidariteti e respekti reciprok të gjithëve, pa asnjë diskriminim për shkak të përkatësisë etnike, gjuhës, gjinisë apo seksit si dhe përkatësisë shoqërore apo ekonomike. Një arsim që ofrohet në mënyrë adekuate dhe cilësore në moshë të hershme formon të rinj të qytetëruar dhe ndërton individë që do ta krijojnë një mjedis më tolerant dhe më të kuptueshëm për vetveten dhe për të tjerët në komunitetin e tyre. Prandaj, shkollat dhe mësimdhënësit luajnë rol të rëndësishëm, pavarësisht se ku ndodhen në rajon. Ata të gjithë duhet të jenë të sigurt dhe në vende paqësore, të jenë në gjendje që të rinjve t’ua ofrojnë shkathtësitë jetësore, t’u ofrojnë qasje, të jenë përfshirës, t’i pranojnë të gjithë pa asnjë diskriminim, prandaj shkollat duhet të jenë drita pozitive për të ndriçuar.

RYCO i mundëson edhe shkëmbimet ndërkulturore për të rinjtë në rajon. Cilat janë dobitë e këtyre shkëmbimeve dhe mundësitë për përfituesit e mundshëm sipas mendimit tuaj?

Siç e përmenda më lart, ne besojmë se shkëmbimet e tilla u ndihmojnë të rinjve që të kuptojnë më mirë dhe të shohin vetë se moshatarët e tyre jetojnë në mjedise të ngjashme dhe përballen me të njëjtat çështje dhe sfida, ndërsa shpresojmë se bashkimi mes tyre dhe bashkimi e forcave të përbashkëta të tyre do t’u japin atyre më shumë ide për të gjetur zgjidhje afatgjate për gjeneratën e tyre. Ata mund të krijojnë rrjete të përbashkëta, të mësojnë nga njëri tjetri, ta frymëzojnë njëri tjetrin dhe të dalin me ide inovative për një rajon më të mirë.

A po planifikon OKB-ja që ta vazhdojë bashkëpunimin me RYCO?

Për OKB-në, të rinjtë, përkatësisht arsimimi dhe edukimi i tyre në një ambient të sigurt, paqësor, pranues dhe përfshirës, është objektiv i vazhdueshëm, meqë të rinjtë janë grup në cak të ndërhyrjeve të OKB-së dhe partnerëve në zbatimin e ndërhyrjeve të tilla. Prandaj, RYCO, si organizatë rinore me mandat dhe mision të qartë për bashkëpunim dhe ndërtim të paqes, do të vazhdojë të jetë partner kyç në Ballkanin Perëndimor për të ndërtuar shoqëri paqësore dhe të qëndrueshme në rajon.

Për fund, cili është mesazhi që do të donit t’ua dërgonit të rinjve të rajonit?

Flisni me njëri tjetrin, dëgjojeni njëri tjetrin, bashkëpunoni dhe pranojeni njëri tjetrin pa asnjë paragjykim! Jini ndryshimi që i duhet rajonit!

Elida Nuri, analiste e avokatisë dhe komunikimit në UNFPA, Shqipëri, i nënvijëzon avantazhet që bashkëpunimi i të rinjve i sjell në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

‘Kjo intervistë është zhvilluar në kuadër të “Mbështetjes së LidershipitKolektiv të Ballkanit Perëndimor për Pajtim”, projekt ky i përbashkët midis OKB-së dhe RYCO, i financuar nga Fondi i OKB-së për Ndërtim të Paqes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button