Fuqia e armatimit bashkëkohor

Shpikjet e shekullit XXI – dronët, anijet pa ekipazhautomjetet e sofistikuara pa drejtues dhe inteligjenca artificiale – do të na fusin në një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vendet në botë nuk do të jenë në gjendje të ushtrojnë ndikim gjeopolitik pa armatim të avancuar dhe të zhvilluar teknikisht.

Historia e luftës dhe e armiqësive daton që nga ditët e civilizimit të hershëm njerëzor. Shtiza, harku dhe shigjeta u zëvendësuan me armë zjarri dhe municione, kurse armët dhe municionet me pajisje ushtarake të teknologjisë së lartë. Përparimet në teknologji kanë çuar në shpikjen dhe përdorimin e armëve bërthamore, armëve hapësinore, raketave, avionëve të padukshëm, armëve të drejtuara me lazer, armëve elektromagnetike, sulmeve kibernetike-elektronike, nëndetëseve, dronëve, inteligjencës artificiale dhe më shumë. Veprimet moderne ushtarake përfshijnë veprime propagandistike-psikologjike me elemente të provimit të epërsisë teknologjike përmes hapësirës kibernetike, për të cilat kemi folur tashmë. Forcat e NATO-s kanë filluar ta shqyrtojnë seriozisht këtë fenomen për t’i përfshirë dronët dhe armët autonome si pjesë të armatimit të tyre.

Shpikjet e shekullit XXI – dronët, anijet pa ekipayh, automjetet e sofistikuara pa drejtues dhe inteligjenca artificiale – do të na fusin në një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vendet në botë nuk do të jenë në gjendje të ushtrojnë ndikim gjeopolitik pa armatim të avancuar dhe të zhvilluar teknikisht.

Një historik i shkurtër i zhvillimit të teknologjisë ushtarake

Me kalimin e viteve, përveç armëve ka evoluar edhe mënyra e përdorimit të tyre. Në shekullin e XV, mburojat e çelikut, të kombinuara me përdorimin e një shtize të rëndë, garantonin që luftëtari të kishte një mundësi më të madhe për të mbijetuar edhe pa kalorës me mburoja, ushtria nuk do të kishte arritur një fitore vendimtare në fushën e betejës. Kjo pasohet nga përmirësimi i rrethimit, por edhe aftësia e fortifikimit si dhe lindja e fortesave/kështjellave, të krijuara posaçërisht për t’i bërë ballë bombardimeve të artilerisë.

Kliford Roxhers (Clifford Rodgers) zhvilloi idenë e revolucioneve të njëpasnjëshme ushtarake në periudha të ndryshme, së pari, revolucionin e këmbësorisë në shekullin e XIV, së dyti, revolucionin e artilerisë në shekullin e XV, së treti, revolucionin e kalave/fortesave në shekullin e XVI, së katërti, revolucionin e armëve të zjarrit midis viteve 1580 dhe 1630 dhe së fundmi, revolucionin e pestë, rritja e përmasave të ushtrive evropiane përmes mobilizimit midis viteve 1650 dhe 1715. Në mënyrë të ngjashme, Xhefri Parker (Jeffrey Parker) zgjati periudhën e revolucionit ushtarak deri në vitin 1800, periudhë në të cilën evropianët fituan epërsinë mbi pjesën tjetër të botës. Me kalimin e kohës, arritjet teknologjike u bënë më të rëndësishme. Në epokën industriale kishte konflikte të tilla si Beteja e Sadovës, në të cilën zotërimi i artilerisë luajti një rol vendimtar në verdiktin e betejës.

Së shpejti, mitralozët, granatat dhe topat u bënë më të zakonshëm në mesin e ushtarëve dhe u përdorën në luftë. Me rritjen e distancës së veprimit të eksplozivëve dhe bombave, njësitë ushtarake bëheshin gjithnjë e më të prekshme. Artileria, marina, njësitë e helikopterëve dhe avionët ishin teknologjitë e ardhshme ushtarake të përparuara që u përdorën në operacionet bashkëkohore të shekullit të XX-të. Qysh në vitin 1915, ushtria britanike kishte përdorur fotografi ajrore për të planifikuar një sulm në Betejën e Nju Çapell (New Chapel).

Që nga vitet 1940-ta, përgatitja për një konflikt ushtarak bazohet në armët e shkatërrimit në masë. Gara për armatim përfshinte sisteme të reja armatimi, armë bërthamore dhe biologjike, si dhe sisteme të kompjuterizuara për kontrollin e sistemeve raketore. Gara për hapësirën (gjithësinë) ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Sovjetik dhe së fundmi edhe Kina është ende aktuale. Ndërsa tanket ishin të pranishme në Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore, teknologjia e blinduar ushtarake mori vrull me fillimin e Luftës së Ftohtë.

Avioni pavarur pa pilot X-47B, i zhvilluar nga Nortrop Gruman (Northrop Grumman) në bashkëpunim me Agjencinë e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes të SHBA-ve

Shumë nga teknologjitë që shihen sot zakonisht në frontet kryesore të luftërave, të tilla si automjetet e blinduara me materiale kompoziti, topa e kalibrit të lartë dhe sistemet e avancuara të shënjestrimit, janë zhvilluar në atë kohë. Është karakteristike që pas vitit 1945 ekziston një mungesë e madhe e konflikteve të drejtpërdrejta ushtarake midis fuqive të mëdha. Ndër operacionet kryesore ushtarake ishin Lufta Indo-Pakistaneze e vitit 1971, Lufta Iran-Irak e viteve 1980-1998 dhe Lufta e Gjirit midis viteve 1990-1991.

Lufta kundër terrorizmit që nga fillimi i këtij mijëvjeçari ka qenë një fushatë shumëdimensionale me fushëveprim pothuajse të pakufizuar. Dimensioni i saj ushtarak ka përfshirë luftëra të gjata në Afganistan dhe Irak, operacione të fshehta në Jemen dhe gjetkë, programe të ndihmës ushtarake për regjime bashkëpunuese dhe rritje të shpenzimeve ushtarake. Një demonstrim i fuqisë teknologjike arrihet përmes sulmeve kibernetike ose duke marrë pjesë në ushtrime të shumta detare dhe tokësore në rajone të tensionuara. Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara në shekullin XXI kanë formuar forcat e tyre të hapësirës/gjithësisë, të cilat në këtë kohë shërbejnë kryesisht për luftime kundërelektronike dhe spiunazh të ndërsjellë.

Lufta e dronëve

Luftërat që do të pasojnë nuk do të jenë aspak të ngjashme si ato që kemi njohur deri më tani. “Në ato luftëra epërsi do të kenë “Predator-i” amerikan, “Bajraktar-i” dhe “Akinci” turk, si dhe “Harup-i” izraelit. Por të tjerët që bëjnë dronë, të tillë si Kina, Rusia, Irani, India dhe Pakistani, nuk duhet të nënvlerësohen. Në korniza botërore, marrëdhëniet gjeopolitike tashmë kanë lëvizur me shfaqjen e gjigantëve të teknologjisë së re në këtë fushë siç janë Turqia dhe Irani.

Në muajin shtator të vitit 2019, kryengritësit jemenas nga fisi Husi, të mbështetur nga Irani kryen sulmin e parë të njohur dhe të koordinuar me dronë mbi dy impiante të prodhimit të naftës në Arabinë Saudite, pasi më parë shkatërruan sistemet e mbrojtjes ajrore saudite.

Turqia në operacionet e saja konvencionale ushtarake ka përdorur dronët e saj në fushëbetejat libiane, siriane dhe azerbajxhanase. Provë e kësaj është konflikti njëjavor ushtarak midis ushtrisë turke dhe siriane në muajin mars të vitit 2020, në të cilën u përdorën një numër i madh dronësh të tipit “Bajraktar” dhe për një javë ishin shkatërruar disa qindra automjete të blinduara dhe pajisje të ushtrisë siriane.

Pak më vonë, fushëbeteja në Libi ndryshoi plotësisht brenda pak muajsh, me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të mbështetur nga Turqia që filloi një operacion ushtarak kundër gjeneralit rebel Haftar. Planet e Haftar-it dhe atyre që e mbështetën atë jo vetëm që nuk u materializuan, por veprimet e sinkronizuara të dronëve turq shkaktuan një kolaps të plotë të forcave të Haftar-it dhe një ndryshim të hartës së Libisë. Qeveria e njohur ndërkombëtarisht shpejt rimori shumë nga territoret e humbura dhe bazat ushtarake.

Ushtria armene e cila ishte vendosur në territoret e pushtuara të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak u bënte sulme të rënda këmbësorie forcave ushtarake të Azerbajxhanit. Por, për kohë të shkurtër gjërat ndryshuan. Në vetëm disa ditë, “Bajraktar-i” turk dhe “Harup-i” izraelit me goditje të sakta i shkaktuan dëme të pariparueshme mbrojtjes së forcave armene. Kjo çoi në nënshkrimin e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe dorëzimin e pjesës më të madhe të Nagorno-Karabakut në duart e Azerbajxhanit, i cili shpalli fitore. Dronët turq ishin vendimtar në këtë operacion ushtarak 6-javor.

Madje edhe Rusia e fuqishme shikonte pafuqishëm dronët e përparuar të Turqisë që shkatërruan të paktën 23 sisteme kundërajrore „Pancir“ të prodhuara nga Rusia. Megjithëse mbrojtja ajrore po përpiqej të zbulonte fluturaket armike me radarët e saj, mjetet gjithnjë e më moderne anti-elektronike dhe sabotimet e radarëve zvogëluan shanset për t’i rrëzuar ata. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara aktualisht po punojnë shumë për të gjetur një mënyrë për të rrëzuar dronët dhe më pas për t’i kapur ato.

Forcat e NATO-s në vitet e ardhshme do të përpiqen të përparojnë në këtë fushë. Ata parashikuan fluturimin e parë të „Eurodron-it“ në vitin 2025, kurse shpërndarja e këtij droni të përparuar do të fillojë në vitin 2028. Marrëveshja aktuale parashikon 20 sisteme “Eurodron” për disa vende evropiane (Gjermani, Francë dhe Spanjë), që është larg nga sasia e nevojshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në dhjetor të vitit të kaluar se ai mbështeste përdorimin e dronëve të armatosur për të mbrojtur jetën e ushtarëve, duke këmbëngulur në blerjen e një teknologjie të tillë për operacionet e ardhshme të NATO-s tha. Forcat e NATO-s, prandaj kanë nevojë për aleatin e tyre Turqinë për sa i përket përdorimit taktik të dronëve, por përveç kandidatit për në NATO, Ukraina, vendet e tjera anëtare nuk kanë shprehur nevojën për të blerë dronët turq.

Kriza gjeopolitike në Evropë dhe veçanërisht në Mesdhe, në periudhën e ardhshme do të varet kryesisht nga marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara-Evropës-Turqisë. Kina, Rusia dhe Irani do të përpiqen të imponojnë ndikimin e tyre përmes teknologjisë së avancuar dhe demonstrimit të epërsisë ushtarake me dronë. NATO-ja do të duhet të gjejë një mënyrë sa më shpejt të jetë e mundur për t’u marrë me kërcënimet e operacioneve ushtarake nga distanca, për të ndihmuar anëtarët teknologjikisht më pak të zhvilluar që të sigurojnë mbrojtjen e duhur.

Operacionet bashkëkohore ushtarake në doktrinën e tij do të përfshijnë një numër në rritje të dronëve dhe automjeteve të pavarura, kurse burimet dhe mundësitë do të varen nga progresi teknologjik dhe shkencor i një vendi.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button