Intervistë me deputeten Shaini: Nëse nuk ke nënshtetësi në vendin ku jeton për gjysmë shekulli ndjehesh i përjashtuar dhe i huaj (VIDEO)

Problemit shumëvjeçar me mungesën e nënshtetësisë të shumë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duket se më në fund po i vije fundi. Së fundmi, është ndërmarrë një hap më serioz në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështje me propozim ligjin e dorëzuar nga ana e Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Megjithatë, vite me radhë, qytetarë të shumtë të këtij vendi janë ballafaquar me këtë problematikë, duke u shkaktuar edhe shumë probleme në jetën e tyre të përditshme. Edhe pse kanë lindur apo kanë jetuar këtu që nga pavarësia e shtetit, apo edhe më herët, qytetarët nuk kanë mundur të pajisen me këtë dokument, ndërsa arsyet për këtë nuk u janë thënë.

Madje, ka pasur raste kur e tërë familja ka poseduar nënshtetësi, ndërsa një person i vetëm në familje nuk ka mundur të nxjerrë këtë dokument.

Një rast të tillë, e ka treguar në intervistë për Portalb.mk edhe deputetja e Alternativa-s, Safije Sadiki Shahini, nëna e së cilës 72 vjeçare, me vite të tëra endet nëpër dyert e institucioneve por deri më tani nuk ka pasur sukses që të pajiset me nënshtetësi. Shaini deklaroi për Portalb.mk se kjo gjë i ka shkaktuar shumë problem nënës së saj.

“Sigurisht se e kemi përjetuar shumë rëndë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për nënën time, por për shumë nëna dhe baballarë të këtij vendi të cilëve u është mohuar e drejta elementare siç është marrja e shtetësisë. Nëna ime sigurisht se ka kaluar nëpër shumë procedura për t’u pajisur me shtetësie, ndër ata kanë qenë 10 vend qëndrime, pastaj i është kërkuar që të hyjë edhe në provim të gjuhës maqedonase. Nëna ime ka aplikuar disa herë për të marrë nënshtetësinë dhe është refuzuar. Pastaj edhe në provimin e gjuhës maqedonase herën e parë nuk e ka kaluar, sigurisht se ajo është 72 vjeçare dhe ka problem me gjuhën maqedonase, pastaj edhe për së dyti ka hyrë në provim në gjuhën maqedonase dhe e ka kaluar. Tash ende nuk e ka nënshtetësinë, presim derisa të kryhen të gjitha procedurat që ta marrë nënshtetësinë”, deklaroi Shaini.

Ajo tha se asnjëherë nuk u është dhënë sqarim se pse i refuzohet nënës së saj në nënshtetësia.

“Sigurisht se mospajisja me nënshtetësi ka paraqitur probleme dhe vështirësi të mëdha, si për nënën time ashtu edhe për shumë nëna dhe baballarë të këtij vendi. Do të thotë nëse ti nuk ke nënshtetësi në një vend në të cilin ke jetuar gjysmë shekulli, atëherë ndjehesh i mohuar, i përjashtuar, i huaj. Dua të ceki disa vështirësi që i hasin shumë nëna dhe baballarë të këtij vendi, janë për shembull me sigurimin shëndetësor, të drejtat sociale, gjithashtu problem në arsim gjithkund dhe shpresojmë me ligjin e ri, të gjitha këto padrejtësi të cilat i kanë përjetuar gjithë këto persona me probleme të ngjashme do t’i kalojnë dhe do të mbeten në të kaluarën”, tha ajo.

Deputetja tha se, në familjen e saj vetëm nëna ka qenë pa nënshtetësi, mirëpo njohin raste të tjerë të cilët i kanë dëgjuar apo janë njerëz të cilët i njohin dhe të cilët e kanë pasur të njëjtin problem.

“Me probleme të këtilla zakonisht ata të cilët nuk kanë nënshtetësi nuk kanë edhe librezë shëndetësore dhe të gjitha kontrollet, të gjitha vizitat te mjeku duhet t’i bëjnë privat. Gjithashtu problemi më i madh është te vdekja, sepse institucionet shëndetësore gjithashtu edhe shërbimet e varrimit, të gjithë këto persona i quajnë si të huaj, edhe pse gjysmë shekulli kanë jetuar në këtë vend”, theksoi ajo.

Shaini deklaroi se nuk janë ankuar nëpër institucionet relevante në lidhje me këtë, pasi kanë vlerësuar se kjo është një çështje politike.

“Jo nuk jemi ankuar. Sepse ne, nuk e kemi ditur se kjo është çështje juridike por, politike sepse nëna ime dhe shumë nëna dhe baballarë të këtij vendi të cilët kanë pasur problem me marrjen e nënshtetësisë është më shumë për shkak të përkatësisë etnike asgjë më shumë dhe këtë nuk mendoj se mund ta zgjidhë as avokati i popullit”, tha ajo.

Shaini pret që me ligjin e ri i cili pritet të miratohet së shpejti në Kuvend, përfundimisht të zgjidhet kjo çështje për shumë qytetarë të këtij vendi.

“Prej ligjit presim që të zgjidhet problemi gati 30 vite i shumë shqiptarëve dhe shumë qytetarëve të këtij vendi. Dmth ata të cilët e kanë përjetuar diskriminim dhe padrejtësi gjatë gjithë këtyre viteve do të pajisen me nënshtetësi dhe gjithçka që kanë përjetuar do të mbetet vetëm një kujtim i hidhur i tyre”, theksoi deputetja Shaini.

Edhe pse ajo vlerëson se me këtë ligj, nuk mund të kompensohet koha që mijëra qytetarë kanë humbur apo vështirësitë që ata kanë hasur gjatë periudhës kur nuk e kanë poseduar këtë dokument, ajo thotë se ky ligj të paktën do të zgjidh një problem të tyre që për ata njerëz që janë në moshë, të paktën vdekjen ta kenë në mënyrë dinjitoze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button