Presidenti çek i kërkoi falje Vuçiqit për bombardimin e ish-Jugosllavisë

Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman, kërkoi falje për bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi, në vitin 1999.

Zeman priti të martën në Pragë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Dua t’i kërkoj falje popullit serb”, tha Zeman në prani të Vuçiqit, transmeton REL.

Vuçiq tha se, nga ky moment, populli serb do t’i konsiderojë çekët “jo vetëm si popull mik, por edhe si popull vëllazëror”.

“Populli serb nuk do t’i harrojë këto fjalë të Zemanit. Do të jemi përjetësisht mirënjohës, sepse këtë që e tha ai rreth bombardimeve, nuk e ka thënë askush tjetër”, tha Vuçiq.

Zeman ka qenë kryeministër në vitin 1999 dhe Qeveria çeke, si shtet anëtar i NATO-s, e ka mbështetur ndërhyrjen e aleancës ushtarake në ish-Jugosllavi.

Fushata ajrore e NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave ka pasur për qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.

Pas fushatës, që ka zgjatur 78 ditë, ushtria serbe është tërhequr nga Kosova.

Zeman tha se mbështetja për sulmet e NATO-s ishte rezultat i “mungesës së guximit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button