fbpx

Boçvarski: Ligji për legalizimin e objekteve pa leje nuk është ideal, por do të kërkojmë zgjidhje për përmirësimin e tij

Refuzimi i Presidentit Pendarovski për të nënshkruar dekretin mbi Ligjin për legalizimin e ndërtesave të paligjshme do të përdoret për diskutime me qytetarët, deputetët dhe ekspertët, si të përmirësohet legjislacioni, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski. Ai përsëriti pikëpamjen se qeveria nuk do të heqë dorë nga qëllimi i saj për gjetjen e një mënyre për legalizim të mijëra ndërtesave të paligjshme, të cilat besojnë se do të zgjidhin problemin e qytetarëve, të cilët nuk kanë arritur t’i legalizojnë shtëpitë e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Qytetet si Shtipi, Strumica, Velesi kanë nga 2-3 mijë objekte, sipas vlerësimeve të tyre, të cilat nuk e kanë zgjidhur statusin e tyre ligjor. Këta janë kryesisht bashkëqytetarët tanë të cilët arritën të ndërtojnë një çati për familjet e tyre. Prandaj, Qeveria është më e përgjegjshme me Kuvendin, të kërkojmë mënyra, që të mos i vëmë problemet nën qilim. Ky ligj u miratua në një diskutim me deputetët, por mundësia kushtetuese që e shfrytëzoi Presidenti është një tjetër mundësi që ta diskutojmë në publik me deputetët dhe ekspertët, të gjejmë zgjidhje për t’i ndihmuar qytetarët. Ligji nuk është ideal, ka dobësi dhe pika të forta, por do të gjejmë zgjidhje që të përmirësohet. Gjithçka tjetër është e papranueshme për shtetin, të mbyllim sytë ndaj problemeve, ose më e keqja ta lëmë në status quo”, tha Boçvarski.

Me qëndrim të ngjashëm u shpreh dje edhe Kryeministri Zaev, i cili tha se ka vend për diskutim në lidhje me Ligjin, të cilin Presidenti Pendarovski refuzoi ta nënshkruajë dhe e ktheu në Kuvend për ri-miratim.

Në shpjegimin dërguar Presidentit të Kuvendit, Pendarovski deklaroi se Ligji është antikushtetues, shkel vlerat themelore dhe inkurajon mosrespektimin e ligjeve.

“Fakti se me këtë ligj legalizohet procedurat antiligjore të personave fizik dhe juridik për ndërtim të paligjshëm, që është vepër penale sipas Kodit Penal, i vendos në pozicion të pabarabartë subjektet juridik dhe cenon sigurinë publike. Një procedurë e tillë është në kundërshtim me nenin 9, paragrafi 1 nga Kushtetuta me të cilin është përcaktuar se qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve. Jam i bindur se ligji i miratuar jo vetëm që i vendosë qytetarët në pozicion të pabarabartë, duke privilegjuar ata të cilët nuk kanë respektuar rregullat juridike në dëm të qytetarëve të ndërgjegjshëm të cilët gjatë ndërtimit të objekteve kanë vepruar në përputhje me rregulloret e vlefshme, por stimulon edhe më shumë mosrespektim të rregulloreve juridike. Stimulimi i mosrespektimit të rregulloreve juridike u shkakton dëm të përhershëm të gjitha përpjekjeve që ta ndërtojmë shtetin tonë si shtet demokratik”, theksoi Pendarovski.

Sipas Pendarovskit, një pjesë e ligjit, i cili u miratua në 11 maj me 72 vota “për” nga shumica e deputetëve nga qeveria dhe opozita, parashikon amnisti të fshehur, e cila është gjithashtu antikushtetuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button