fbpx

Pandemia rriti çmimin e banesave në Maqedoninë e Veriut, derisa 135 mijë banesa janë duke u ndërtuar

Gjatë vitit 2020, në Maqedoni të Veriut u rrit çmimi i banesave. Pavarësisht kësaj, sipas të dhënave të Entit shtetëror të Statistikave, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2020 janë shitur 10 për qind më shumë banesa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Ngritje të çmimeve ka pasur vetëm në dy muajt e parë pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Banka Popullore thotë se çmimet e banesave në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2020 janë shtrenjtuar për 3 për qind. Ndërkaq, agjencitë e patundshmërive thonë se në disa komuna të Shkupit, siç janë Gjorçe Petrov dhe Gazi Baba, çmimi i banesave të reja është rritur deri në 10 për qind. Për momentin, mbi 135 mijë banesa janë në procesin e ndërtimit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës, në Komunën Qendër të Shkupit, gjatë vitit 2020, një metër katror i një banese ka kushtuar 62 mijë e 778 denarë apo 1 mijë e 30 euro. Megjithatë, metri katror për banesat e reja ka kushtuar mbi 1 mijë e 350 euro.

Salim Hasani, drejtues i sektorit të ndërtimtarisë në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, që po ashtu është edhe udhëheqës i një kompanie ndërtimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar mbi 7 mijë banesa kanë mbetur pa shitur. Por, ai thotë se kjo nuk ka ndodhur për shkak të rënies së kërkesës për blerje, por se këto banesa nuk kanë pasur lokacion atraktiv ose nuk kanë qenë të ndërtuara me material cilësor.

Ndërkaq, Nikolla Vellkovski nga Grupi për Ndërtim, që funksionon në kuadër të Odës Ekonomike, thotë se një arsye tjetër që ka kontribuar në rritjen e kostos së ndërtimit, është edhe mungesa e mjeshtërve, ku një numër i madh i tyre, siç thotë Vellkovski, janë larguar nga vendi.

Po ashtu, shtrenjtimin e çmimeve, sipas Vellkovskit e dikton edhe rritja e kërkesës për blerjen e banesave në kryeqytet

Agjencitë e patundshmërive gjithashtu thonë se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ka rritur kërkesën e shtëpive dhe banesave jashtë zonave urbane. Në rrethinë të Shkupit, por edhe në qytete turistike, siç është Ohri, çmimi i banesave, gjatë pandemisë është rritur nga 700 euro për metër katror në 760 euro.

.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button