Reforma e modelit zgjedhor parlamentar ende e mbyllur në sirtar, Prekopuca: Maqedonisë së Veriut i duhet sistem me 3 njësi zgjedhore

Rrethanat politike në Maqedoninë e Veriut kanë sjellë shpesh në tavolinën e bisedimeve të liderëve të vendit edhe temën e ndryshimit të modelit zgjedhor. Edhe pse mes partive politike në vend disa herë është biseduar për reformën zgjedhore dhe janë dhënë propozime të  ndryshme rreth asaj se cili model duhet të vendoset, iniciativat e deritanishme për të bërë një hap konkret deri më tani kanë dështuar, shkruan Portalb.mk.

Kohë më parë, deputetët e Lidhjes Demokratike, VMRO-Popullore, Partisë Liberale Demokratike dhe Lidhjes Socialdemokrate dorëzuan propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Kodit Zgjedhor, me të cilin, nëse miratohet, Maqedonia e Veriut do të ketë vetëm një njësi zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në vend të gjashtë njësive zgjedhore. Pavle Trajanov nga LD duke sqaruar këtë propozim, tha se, mbetet modeli proporcional, nuk do të ketë prag zgjedhor dhe llogaritja e deputetëve do të zhvillohet sipas formulës së D’Hondtit.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët qëndron pas kërkesës së saj për lista të hapura si prioritet për ndryshim në Kodin Zgjedhor, ndërkaq ata kërkojnë 8 njësi zgjedhore për fuqizim të votës shqiptare. Ata konsiderojnë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të domosdoshme që zëri i shqiptarëve në Kuvend, të rritet nëpërmjet rritjes së numrit të deputetëve që do t’i përfaqësojnë ata në Kuvend.

Nevojën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor e ka potencuar edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, i cili ka thënë se mbështet iniciativën për reforma në modelin zgjedhor në drejtim të tejkalimit të partiokracisë dhe llogaridhënies më të madhe nga partitë, veçmas gjatë financimit të fushatës zgjedhore, krijimit të hapësirës më të madhe për garë politike për ide të ndryshime politike dhe paraqitje më të mirë të qytetarëve si në nivel qendror ashtu edhe lokal.

Ish nënkryetar i KSHZ-së, Rexhep Prekopuca, në një deklaratë të dhënë për Portalb.mk, pajtohet se modeli aktual zgjedhor me 6 njësi nuk është i përshtatshëm dhe nevojitet që të ndryshimet. Ndryshe nga propozimet e lartë përmendura, Prekopuca vlerëson se Maqedonisë së Veriut i duhet sistem me 3 njësi zgjedhore.

“Mendoj se tre njësi zgjedhore do të ishte shumë më mirë se sistemi i tashëm dhe se sistemi me një njësi, se si do të ndahet ajo duhet të bëhet një analizë dhe në bazë të asaj analizës të përcaktohen kufijtë me të cilët nuk do të humbshin votat shqiptare. Sepse, tash edhe pse kemi sipas ligjit plus minus pesë përqind, në njësinë gjashtë ka shumë më tepër votues se sa njësitë tjera dhe nuk ndërmerret gati se asgjë në këtë aspekt që të nivelizohen votat. Duhet patjetër të ketë edhe prag zgjedhor, por nuk duhet të jetë as i ulët as i lartë sipas meje, duhet të gjendet një nivel i cili do të jetë i përshtatshëm për Maqedoninë e Veriut”, deklaroi ai.

Sipas tij, numri i deputetëve para së gjithash varet nga ajo sa parti garojnë në zgjedhje. Nëse kemi 1 ose 2 lista do të ketë më shumë deputetë shqiptar, por nëse ka shumë lista, vota do të shpërndahet dhe prapë se prapë do të humben votat shqiptare.

“Sipas meje modeli zgjedhor me lista të hapura është më i përshtatshëm, sepse listat e hapura sigurojnë përfaqësimin sa më adekuat dhe më të saktë të vullnetit të popullit. Sipas meje, mendoj se tri njësi zgjedhore duhet të ketë. Në raport me shqiptarët ka shumë faktor, së pari duhet të ndikojë të zvogëlohet numri i partive politike ose të bëhet bashkëpunimi i tyre. Ideale do të ishte të gjitha partitë politike të garojnë me një listë, mirëpo ajo është shumë vështirë të arrihet. Edhe kjo është në interes të votave të shqiptarëve, më në leverdi se si është tash, se sistemi i tashëm”, tha Prekopuca.

Sipas një analize të bërë kohë më parë për Portalb.mk, analisti Robert Nesimi ka vlerësuar se, në sistemin me një njësi garantohet barazia e votës dhe nuk ka djegie votash, prandaj secila votë hyn në kalkulimet gjatë ndarjes së mandateve. Në këtë mënyrë ky sistem garanton përfaqësim adekuat të të gjitha opsioneve politike. Por, nga ana tjetër ekziston rreziku që zona të tëra gjeografike të mbesin pa përfaqësim. Sa i përket numrit të deputetëve shqiptarë, në këtë analizë thuhet se në sistem me një njësi varet kryesisht nga dalja në zgjedhje e shqiptarëve dhe të tjerëve, numri i partive që garojnë në zgjedhje, vendosja apo mosvendosja e pragut e kështu me radhë. Nëse shqiptarët përsëri do të përbëjnë 20%-22% të trupit votues sikur tani, atëherë sistemi me një njësi jep 25-27 deputetë shqiptarë.

Që nga viti 2002,  zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut  janë mbajtur me sistem proporcional me ndarje të vendit në gjashtë njësi zgjedhore.

Për dallim nga sistemi i shumicës ku votohet direkt për një kandidat, në sistemin proporcional votohet një listë me emra kandidatësh. Në fund numërohen votat që ka marrë secila listë e pastaj mandatet ndahen proporcionalisht sipas votave. Ndarja mund të bëhet në mënyra të ndryshme, si me sistemin e mbetësit më të madh, mbetësit më të vogël etj. Por më i njohuri është i ashtuquajturi sistemi i D’Hondtit, që zbatohet për momentin edhe tek ne.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button