Selektimi i mbeturinave është investim i shtrenjtë, komunat e Maqedonisë nuk mund ta mbulojnë vetë

Një fuçi për hedhurina prej 120 litra kushton 10 euro. Në kushte kur nuk bëhet selektimi, nevojitet vetëm ajo enë për hedhje të hedhurinave, ndërsa nëse bëhet selektim i hedhurinave, atëherë do të nevojiten minimum tre lloj kontejnerësh të ndryshëm në të cilët qytetarët do të duhet t’i hedhin mbeturinat, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kjo do të thotë se duhet të blihen automjete të veçanta komunale për grumbullim të hedhurinave të selektuara, numër shtesë i punonjësve, shpenzime shtesë për karburant, amortizim dhe pjesë rezervë, pajisje për trajtim mekanik-biologjik të hedhurinave dhe ngjashëm. Kështu shkurtimisht komunat dhe ndërmarrjet publike komunale i përshkruajnë shkaqet për të cilat në Maqedoni bëhet selektim minimal i hedhurinave.

Nga ADKOM, Shoqata kompanive për shërbime komunale ku bëjnë pjesë ndërmarrjet publike nga vendi, për “Meta.mk” sqarojnë që një sistem i plotë për grumbullim, transport, selektim dhe deponim të hedhurinave (ndërtim i deponisë bashkëkohore, blerje e mjeteve të reja komunale dhe enëve të specializuara për hedhurina) për çdo rajon veçmas të vendit do të kushtonin mbi 30 milionë euro.

“Mund të konstatohet që procesi i selektimit të hedhurinave është punë e shtrenjtë që kërkon mjete financiare”, thonë nga ADKOM.

Lidhur me burimet e financimit, nga shoqata theksojnë që duhet të kërkohen në fonde nga BE-ja, ku përvoja pozitive të vendeve tjera si shembulli i Sllovenisë, tregojnë që BE mund t’u ndihmojë meqë komunat vet janë të pafuqishme për të investuar në menaxhimin me hedhurinat.

Nga ADKOM përkujtojnë që edhe në disa komuna të vendit, lartësia e faturave për hedhje të hedhurinave për qytetarët dhe kompanitë nuk ka ndryshuar më tepër se 15 vite.

“NP në këto komuna e ka zmadhuar vëllimin e punës, kanë bërë investime në pajisjeve të reja (automjete, enë për hedhurina, kanë filluar procese të selektimit të hedhurinave)”, thonë nga ADKOM.

Ata presin edhe ndihmë nga shteti, që mund të sigurojë mjete shtesë për projekte të reja me të cilat në komunat do të ishte zmadhuar përqindja e hedhurinave të selektuara. Në pjesën e linjave kreditore, nga ADKOM konsiderojnë që ato nuk duhet të harrohen, mirëpo gjatë kësaj duhet të mendohet edhe në rentabilitetin financiar për tërheqje të kredive për themelim të sistemeve për selektim të hedhurinave.

Nga ADKOM pohojnë që thuajse të gjitha komunat në vend bëjnë selektim të letrës së hedhur dhe plastikës së hedhur, ndërsa viteve të fundit është filluar edhe me selektim të qelqit të hedhur. Mirëpo, problem ka me plasmanin e sasive të selektuara nga ana e ndërmarrjeve publike komunale.

Nga ADKOM konsiderojnë që duhet të bëhen ndryshime në rregulloren ligjore të vendit, në pjesën e selektimit të detyrueshëm të hedhurinave. Më tutje, duhet të përshpejtohet formimi i qendrave rajonale për menaxhim me hedhurinat dhe transferimi i tyre në nivel rajonal, si dhe përshpejtim i proceseve për hapje të deponive rajonale. Njëkohësisht, nevojitet edhe fushatë për selektim të hedhurinave përmes të gjitha institucioneve, e cila do t’i përfshijë mediat, rrjetet sociale, organizatat joqeveritare, shtetin dhe institucionet lokale.

Të dhënat statistikore tregojnë përqindje të ulët zhgënjyese të hedhurinave komunale që janë selektuar nga qytetarët dhe kompanitë në Maqedoni. Kjo ndodh në kushte të rritjes së vazhdueshme të sasisë së hedhurinave komunale që e krijojmë si vend gjatë viteve të fundit.

Nga viti 2014 deri sot, përqindja e hedhurinave të përziera komunale që grumbullohen nëpër komunat është nga 83,4 deri 89 përqind, nga të cilat, sasi të mëdha përfundojnë në deponitë komunale, të cilat edhe ashtu me përjashtim të “Drisllës” së Shkupit dhe deponisë së ndërtuar para pak kohe të Gjevgjelisë, nuk i plotësojnë kushtet elementare për deponi të hedhurinave.

Njëjtë si në nivel nacional, shifrat për kryeqytetin lidhur me vitin 2020 tregojnë që vetëm 0,3% e hedhurinave të grumbulluara komunale nga NPK “Higjiena komunale” – Shkup kanë qenë të selektuara si letër, plast dhe qelq, të cilat më tutje kanë përfunduar në kompanitë për riciklim të hedhurinave. Shembull i rrallë pozitiv në vend është komuna Prilep, e cila vite me radhë është lider në lidhje me selektimin e hedhurinave. Nga gjithsej 28.000 deri 31.000 tonelata hedhurina që krijohen gjatë një viti, Ndërmarrja publike komunale “Komunalec”nga Prilepi ka arritur të selektojë dhe të shesë ndërmjet 1.200 dhe 13.000 tonelata materiale të selektuara të hedhurinave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button