RUTINIZIMI I VDEKJES (II)

Vdekja sado e frikshme dhe e tmerrshme të duket e ka dimensionin e vet humanizues, këshillëdhënës, e bën njeriun më fragjil kur i kujtohet, s’e lë të faraonizohet, ia tregon fundin e pashmangshëm, e ulë përtoke, e bën më modest. I tregon atij se ç’qenie e vogël dhe e pafuqishme është, e shtyn të solidarizohet me të tjerët, të mos mendojë vetëm për veten, e çegoizon atë. Ia jep leksionin më të fuqishëm: “Ke fillim dhe ke mbarim”. “Jeto sa të jetosh, ngado që të kthesh, vdekatar je”. “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen” (Kur’ani) Vdekja e tjetrit na  e ftohë jetën, na i këput këmbët dhe shpresat e a pfundëta. Por edhe fatalizmi dhe zezënia e krijuar nga kumtuesit e vdekjes nuk krijon shumë ambient për jetë normale. Narracioni që në epiqendër ka frymën e fundit, llogarinë, ndëshkimin, ferrin ta bën jetën ferr qysh këtu. Ky është skaji tjetër, ekstremi tjetër përkarshi shoqërisë hedoniste, sensualiste. Imagjinoni të dëgjoni një fëmijë të njomë, 5-6 vjeç, që ju këndon “Më hidhni dhe mbi varrin tim!” Edhe këngët fetare të viteve të fundit, ilahitë, pjesa dërrmuese godasin nga teli i vdekatarisë. Në rregull, kultura jonë, vdekjen e kupton si natyrshmëri, nga e cila na ndan një frymë apo ndërprerje fryme, por deprimimi masovik, defetizimi i turmave përmes mesazheve tepër dëshpërimtare nuk është diskurs i qëlluar. “Jeta qenka bosh”, “Vdekja”, “Shtrati im është dheu”, “Ah moj jetë”, “Kjo jetë është shumë e shkurt”, “Pse erdhe n’dynja?” janë disa nga tekstet që këndohen nga ilahistët dhe që kanë një ritëm që të ndrydh vullnetin për jetë. Një rinist shtimjan në rrjetet sociale para do kohe pati komentuar si vijon: S’e di a kemi naj ilahi shqip qe osht e gzushme, edhe ato për bajram i kemi diqysh si tu vajtu.” Shyqyr Zotit që ka edhe të atillë që frymojnë ndryshe: “Mos u dëshpëro, bashkë do ta kalojmë edhe këtë sprovë!” ka shkruar në mars një dijetar shqiptar lidhur me Covid-19. Bukuritë dhe dhuntitë e jetës janë të pakrahasueshme me shëmtitë dhe sprovat e saj. Në jetë ka vend edhe për kënaqësi, shijime gjërash të bukura, por edhe për eremitëri, edhe për asketizëm, pa teprime, pa ekstreme. Covid-19 na e riaktualizoi vdekjen, na e solli më afër, e bëri atë të dukshme. Por kjo s’është arsye për ta mallkuar jetën.

Nëse doni që të jeni të lumtur, kënaquni me atë që keni. Kujtoni gjërat e mira, por jini të gatshëm edhe për të papritura. Gëzojuni gjërave të vogla, që të mund të keni një çast, ditë, javë, vit të lumtur! Mos pritni mrekulli, vetë bëni mrekullirat e jetës. Me atë që keni. Besoni se në jetë, por mos harroni se një ditë do të ikni. Patjetër! Mundohuni të leni gjurmë që të jeni gjallë edhe pas vdekjes, ngase disa njerëz vdesin përgjithmonë, s’u mbetet gjurmë, kurse disa të tjerë janë të pavdekshëm, ndonëse fizikusi i tyre është tretur, është bërë pjesë e hirit, pluhurit të dheut. Lumturinë e keni brenda vetes, edhe në këto kohëra kur jemi bërë një me vdekjen. Secili prej nesh ka një mision dhe gjasat për ta përmbushur atë i kemi deri në çastin apo frymëmarrjen e fundit! Rutinizimi i vdekjes na ka mësuar të mos të shohim shumë larg, të gjejmë prehjen te gjërat që kemi që s’ua kemi ditur vlerën në periudhën para 2020-ës. Për të mësuar më tepër lidhur me dyshen vdekja-shoqëria bashkëkohore, ju sugjeroj ta lexoni veprën e Tony Walterit, Death in Modern Times (Vdekja në kohërat moderne), të botuar më 2020 nga SAGE Publications. Dhe për fund: Të mos i shqetësojmë njerëzit me lajme dhe foto, video rreth të vdekurve tanë! Janë bërë rrjetet sociale si skena të defilimit të të vdekurve. Theksi duhet të vihet te të gjallët dhe te përgëzimet, te sukseset dhe të arriturat e të gjallëve të mirë që afirmojnë misionin tonë në këtë botë dhe në univers në përgjithësi. Shkuarja përtej është e pashmangshme, e verifikuar empirikisht, këtë e dimë të gjithë, andaj për të shijuar mirësitë e pavdekësisë atje, duhet bërë më të mirën e mundshme këtu.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button