Stërvitja “Defender Europe 21”, mbërrijnë në Shqipëri 267 ushtarë amerikanë

Në Shqipëri ka mbërritur një kontingjent prej 267 ushtarësh amerikanë në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 21”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” trupat amerikanë janë pritur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ndërkohë, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të tjerë të ushtrisë amerikane dhe zyrtarë shqiptarë.

Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë publikuar në rrjetet sociale, ushtarët janë nga Skuadra e 53-të Luftarake e Brigadës së Këmbësorisë.

Në një deklaratë gjatë pritjes, gjeneralmajor Begaj tha se “Defender Europe 21” është një stërvitje historike.

“Ne si vend pritës sot pritëm 267 trupa amerikanë të cilat janë pjesë e kësaj stërvitjeje të madhe. Është një ngjarje historike jo vetëm për ushtrinë, por edhe për vendin tonë”, theksoi Begaj.

– Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 21”

Sipas autoriteteve shqiptare, 28.000 trupa shumëkombëshe do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, në 12 vende.

Sipas autoriteteve shqiptare, në stërvitje marrin pjesë trupa nga Shqipëria, Turqia, SHBA-ja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kanadaja, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia dhe vende të tjera.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të përfaqësohen në stërvitjen që ka filluar disa javë më parë me rreth 1.000 trupa.

Në stërvitjen e përbashkët shumëkombëshe do të angazhohen trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, anije, avionë, helikopterë, sisteme raketash patriot dhe automjete joluftarake.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button