fbpx

Prishtinë, dyshime për ngacmim seksual të një të miture në oborr të shkollës, Nagavci: Rasti do të trajtohet me prioritet

Në një video të publikuar nga Syri.net, pretendohet se në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë ka ndodhur një rast i sulmit seksual në mes të nxënësve (të mitur). Për rastin, KOHA ka kontaktuar Policinë e Kosovës që ka thënë se për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

“Nga zyrtarët e shkollës kemi pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit. Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndërkaq nga drejtoria e kësaj shkolle kanë thënë se me rastin janë duke u marrë qe dy javë. Sipas drejtorisë, nga autoritetet rasti s’është cilësuar si keqtrajtim seksual, ndërsa për të “familjarët s’kanë dashur të iniciojnë rast”.

“Rasti po trajtohet brenda shkollës”, është thënë nga drejtoria e kësaj shkolle.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka qenë e paqasshme.

Lidhur për pretendimet për ngacmimin ndaj një të miture në një shkollë në kryeqytet, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ende s’kanë informata zyrtare, mirëpo do ta trajtojnë rastin me prioritet dhe kujdes të veçantë. Nagavci ka shkruar se është me rëndësi të ketë bashkëpunim të plotë mes shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale dhe institucioneve të tjera.

“Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eliminojmë dukuritë negative nga shkollat dhe shoqëria jonë. Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre”, thuhet tutje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button