RMV, prindërit kundër digjitalizimit: Përmes referendumit do t’i shpëtojmë fëmijët tanë

Iniciativa qytetare “Libra dhe mësim duhet të ketë” sot mbajtën protestë para Ministrisë së Arsimit, për të kundërshtuar iniciativat ligjore të cilat parashohin digjitalizim të teksteve shkollore. Protestat janë mbajtur në më shumë qytete, ndërsa i kanë organizuar prindërit të cilët refuzojnë që fëmijët e tyre të mësojnë nga tableti, transmeton Portalb.mk.

“Shkojmë para së gjithash fillimisht në referendum, edhe atë do të shkojmë në referendum të obligueshëm, jo në konsultativ dhe do t’i shohim qëndrimet e të gjithë prindërve. Akademik, profesor, mësimdhënës, profesionist pensionist më lusin dëshpërimisht, na lusin nevev prindërve t’i shpëtojmë fëmijët tanë dhe ajo na nxit të shkojmë përpara me qëllim që ta ndalojmë këtë propozim ligj. Protestohet në më shumë qytete dhe do të dëgjohet zëri i qytetarëve. Politika të mbahet anash fëmijëve tanë, sot dëgjohet zëri i prindërve. Nuk duam monolog, duam të dëgjohet pakënaqësia jonë, duam dialog”, deklaroi njëri nga prindërit, pjesëmarrës në protestat e sotme.

Nga Ministria e Arsimit veç më kanë deklaruar se nuk do të dorëhiqen nga miratimi i ligjit të ri për tekstet shkollore për arsim fillor dhe të mesëm

“Me programet e reja mësimore, nxënësit vihen në qendër të sistemit arsimor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës i kupton dilemat që i kanë prindërit. Ndryshimet do të fillojnë nga vjeshta në klasën e parë dhe të katërt”, deklaruan dje nga MASH.

Ministria e Arsimit ka propozuar Ligji për libra dhe materiale të tjera didaktike, i cili parashikon digjitalizimin e librave. Ligji fillimisht është kthyer nga Kuvendi dhe i njëjti do të rikthehet , por jo në Komisionin për Arsim dhe Shkencë, por në Komisionin për Çështje Evropiane, pasi do të dërgohet me flamur evropian. Kjo do të thotë që opozita s’mund ta bllokojë ligjin me amendamente dhe diskutime pafund ndaj të njëjtave.

Digjitalizimi i librave shkollorë ka ngritur polemika të ndryshme. Në Facebook është hapur një grup me emrin “Libra dhe mësim patjetër të ketë” i cili ka afër 76.000 anëtarë të cilët janë kundër këtij propozim ligji. Nëpërmjet këtij grupi u organizua edhe bojkoti i mësimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button