fbpx

RMV, pas helmimit në çerdhen e Kumanovës, Ministria sjell vendim që majonezi mos t’ju shërbehet më fëmijëve

Pas rastit, ku një fëmijë u helmua në një çerdhe të Kumanovës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka marrë vendim që të revidojë të gjitha normativat dhe standardet e ushqimit të fëmijëve në çerdhet e Maqedonisë së Veriut, do të përgatiten receta të reja dhe majonezi nuk do të jetë pjesë e tyre, njofton Portalb.

Qëllimi, siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, është të “avancohen të njëjtat dhe të jenë në pajtim me nevojat për rritje dhe zhvillim të drejtë të fëmijëve”.

“Nën revizionin e tërësishëm do të jenë edhe recetat për përgatitje të shujtave për fëmijë të cilat shfrytëzohen në institucionet për edukim të fëmijëve, me qëllim që të avancohen dhe të jenë në përputhje me hulumtimet më të reja për ushqim të shëndetshëm, por edhe për nevojat e fëmijëve në pjesën e vlerave nutricioniste”, thuhet mes të tjerash në njoftim.

Nga Ministria theksojnë se udhëzimet për shujtat fëmijërore në çerdhe janë përgatitur nga Enti republikan për amvisëri, duke bërë me dije “se për fat të keq një kohë të gjatë nuk janë ndryshuar”.

Nga atje premtojnë se recetat e reja do të përgatiten nga ekspertë të fushës, ndërkaq majonezi nuk do të shërbehet më në çerdhe.

Sa i takon rastit konkret, helmimit në çerdhen “Angell Shtajçe” në Kumanovë, tregojnë se informacionet fillestare të vërtetuara në Qendrën për shëndet publik, tregojnë se “helmimin ka ardhur nga majonezi i prodhuar në fabrikë i cili ka qenë në paketim origjinal”.

“Majonezi aspak nuk është shfrytëzuar si ushqim primar, por në sasi të vogla nën 10%, si shtesë gjatë përgatitjes të pashtetës së freskët nga tuna dhe mishit të pulës. Me udhëzimet e reja për përgatitje të ushqimit, majonezi do të hidhet poshtë në tërësi”, njoftojnë nga Ministria.

Nga MPPS premtojnë se për rastin konkret do të ketë edhe përgjegjësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button