fbpx

RMV, Bytyqi në Forumin e investimeve të odave për Ballkanin Perëndimor: Përmes dialogut dhe bashkëpunimit të ndërsjellë të përpilojmë politika me të cilat do të bëjmë rajon konkurrues

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi me ftesë të bashkëkryesuesve të Forumit të investimeve të odave (KIF) për Ballkanin Perëndimor, Marko Çadezh dhe Branko Azeski, sot mori pjesë në mbledhjen e Bordit drejtues të KIF-it e cila u zhvillua në hapësirat e Odës ekonomike të Serbisë në Beograd, njofton Portalb.

Nga Kabineti i zëvendëskryeministrit informojnë se në mbledhje, kryetarët e gjashtë odave ekonomike nga rajoni dhe anëtarët e KIF (Oda ekonomike e Maqedonisë së Veriut, Bashkimi i odave ekonomike të Shqipërisë, Oda e tregtisë së jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës, Oda ekonomike e Malit të Zi, Oda ekonomike e Serbisë dhe Oda ekonomike e Kosovës) dhe Bytyqi kanë diskutuar për politikat e investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe potencialet për rritjen e atraktivitetit të rajonit si një destinacion investimesh.

Bytyqi ka theksuar se politika dhe politikanët duhet të jenë gjithmonë në shërbim të ekonomisë dhe qytetarëve, ekonomia është shtytësi i ekonomisë dhe pa bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet biznesmenëve dhe qeverive, nuk mund të bëhen hapa seriozë kur bëhet fjalë për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendeve dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Njëherit, zëvendëskryeministri vuri në dukje se që nga fillimi i krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, deri më sot, ai theksoi se është e nevojshme të krijohet rajon konkurrues, në vend të konkurrencës midis vendeve në rajon.

“Që nga fillimi i krizës ekonomike për shkak të Covid-19, kam theksuar se sfida që kemi para nesh është se a thua ne si vende të rajonit duhet të konkurrojmë me njëri-tjetrin apo të punojmë për ta bërë atë një rajon konkurrues. Kam besimin se e ardhmja e vendeve dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor është në intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe krijimin e një rajoni më konkurrues në drejtim të ekonomisë globale. Një sfidë e madhe është akoma Covid-19 dhe periudha pas Covid do të jetë kyçe për ne si qeveri për të bërë kushte për zhvillimin ekonomik, dhe së bashku me odat ekonomike të bëjmë një hap të fortë përpara dhe t’u bashkëngjitemi zinxhirëve me vlerë globalë të furnizimit. Sot, së bashku me Forumin e investimeve të odave dua të inicoj një dialog të gjerë për të harmonizuar politikat për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor, me të cilin në vend që të konkurrojmë, ne do të krijojmë një platformë dhe mundësi të përbashkët për të tërhequr kompani të reja të huaja, por dhe të mundësojmë krijimin e zinxhirëve me vlerë të ndërmarrjeve të huaja në Ballkanin Perëndimor. Në këtë mënyrë do t’u mundësohet edhe më të vegjëlve, por edhe më të mëdhenjve të jenë pjesë e ekonomisë globale dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë në zhvillimin e rajonit”, potencoi Bytyqi.

Marko Çadezh, kryetar i Odës ekonomike të Serbisë dhe Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut kanë thënë se në mbledhje u diskutuan tema shumë të rëndësishme ekonomike për rajonin, me fokus të veçantë në intensifikimin e aktiviteteve për tërheqjen e investimeve në rajon, promovimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor si një destinacion tërheqës investimi, si dhe promovimin dhe stimulimin e eksportit të produkteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në tregjet ekzistuese dhe të reja. Ata kanë theksuar se kryetarët e odave ekonomike nga rajoni diskutuan gjithashtu edhe për prezantim të përbashkët në panairet me famë botërore në Shangai (SIAL) dhe një nga panairet më të mëdha në botë Dubai Expo 2020, ku të gjashtë vendet do të shfrytëzojnë hapësirën e përbashkët dhe do të promovojnë sektorë/degë të cilat përfaqësohen në të gjashtë vendet me aftësinë për t’u lidhur me kompani të tjera globale dhe të suksesshme.

Në mbledhjen e Bordit drejtues të Forumit të investimeve të odave për Ballkanin Perëndimor, u vendos që të formohet edhe Departamenti për promovimin e eksportit dhe tërheqjen e investimeve, me çka do të mundësohet edhe një pikë për të gjitha kompanitë e interesuara për realizimin e investimeve në ndonjë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button