fbpx

Opozita shqiptare mirëpret vendimin e fundit të Presidentit Pendarovski

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, si një koalicion opozitar kanë përshëndetur qëndrimin e fundit të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në lidhje me ligjin për legalizimin e objekteve, duke e kthyer përsëri në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

“Vendimi i Pendarovskit edhe një herë konfirmoi atë që ne si opozitë shqiptare alarmuan si në fillim ashtu edhe në ditën e votimit. LSDM, BDI dhe VMRO-DPMNE tentuan që duke u fshehur pas qytetarëve të amnistojnë krimet urbane të Stevçe Jakimovskit, Llatasit dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të regjimit aktual dhe atij të kaluar”, deklarojnë nga opozita shqiptare, duke theksuar që duhet të ketë mbështetje për qytetarët, por amnisti për krimet urbane assesi!

Ligjin për legalizimin e objekteve, opozita e vlerësoi si Ligj me të cilin pushteti dhe opozita maqedonase tentuan të kontrabandojnë legalizimin e krimeve urbane. Ata kërkojnë të ketë legalizim për amvisëritë dhe jo për mafian e oligarkët e pushtetit, që uzurpojnë dhe shkatërrojnë pronën publike.

“Ky ligj duhet të ju shërbejë realisht qytetarëve dhe assesi nuk guxon ti keqpërdor hallet e qytetarëve për të ju shërbyer krimeve të politikës nga pushteti i kaluar dhe pushteti aktual”, vlerësojnë nga opozita, duke paralajmëruar që tani Ligji duhet të kthehet në Kuvend, të shqyrtohet në procedurë të rregullt dhe me pjesëmarrje të të gjitha organeve dhe aktorëve kompetent.

Ndryshe, Presidenti Stevo Pendarovski nuk ka nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Ai për këtë ka njoftuar kryeparlamentarin, Talat Xhaferi nëpërmjet një letre, ku ka dhënë argumente të tija të cilat flasin se me miratimin e këtij ligji nga ana e Kuvendit, janë shkelur disa nene të Kushtetutës.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut javën e kaluar me 72 vota “për” tre “abstenime” dhe pesë “kundër”, miratoi Ligjin e ri për përcaktimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka dorëzuar në Kuvend dy ligje për legalizim, njëri është ndryshim i ligjit të vjetër që kërkojnë të vazhdohet afati për legalizim për 5 vjet dhe sipas tij të punojnë në mënyrë shtesë komunat për 5 vite në lëndët e pranuara deri më tash për legalizim. Nën ligjin e vjetër, qytetarët nuk do të mund të dorëzojnë kërkesa të reja por, ato që janë dorëzuar deri më tani, ato të mund t’i punojnë. Ndërsa ligji i ri për legalizim që është gjithashtu në Kuvend, propozon që të mos mund të legalizohen ndërtesat, mbindërtimet dhe ndërtimet e zgjeruara të ndërtesave, si dhe të gjitha objektet në zonën e mbrojtur sipas UNESCO-s.  Ai ligj ka çmim më të lartë për 50 për qind nga vlera e shërbimeve komunale të komunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button