Jovanoviq: Të rinjtë në Ballkanin Perëndimor e kanë dëshirën që të bëjnë diferencën

Vladica Jovanoviq, Udhëheqëse e Projektit për Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), përshkruan projektin “Rinia e frymëzuar nga paqja” i cili është lansuar kohët e fundit. Portalb.mk ju sjell intervistën me të.

Cili është misioni dhe vlerat e RYCO-s që ju i përfaqësoni?

RYCO promovon pajtimin, besimin, bashkëpunimin dhe dialogun në Ballkanin Perëndimor përmes mbështetjes dhe financimit të projekteve që i bashkojnë të rinjtë e rajonit.

Ne mbështesim interesat e rajonit dhe të të rinjve dhe besojmë se të rinjtë duhet të krijojnë një kulturë të lëvizshmërisë, shkëmbimit ndërkulturor dhe pajtimit. Ata gjithashtu duhet të jenë kontribues aktivë në zhvillimin demokratik, prosperitetin shoqëror dhe ekonomik, si dhe në integrimin evropian të rajonit gjithnjë e më të hapur të Ballkanit Perëndimor, kurse qeveritë në Ballkanin Perëndimor duhet të sigurojnë mbështetje proaktive për shkëmbimet rinore dhe angazhimin e të rinjve në mbarë rajonin.

Ajo që po bën RYCO në këtë drejtim është sigurimi i mbështetjes për realizimin e një vizioni të tillë, duke e pasur pajtimin si vlerë qendrore. Ne besojmë se ndërtimi i pajtimit të vërtetë dhe të qëndrueshëm përfshin një proces që bashkon individë, grupe dhe shoqëri të rënduara nga barra e konflikteve të kaluara ose të tashme dhe nga përfaqësime dhe perceptime negative të ‘tjetrit’. Ne jemi të bindur se vetëm përmes përjetimeve të përbashkëta, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të vazhdueshëm, mund të ndërtohen rrugë të reja për pajtimin e të rinjve që përndryshe do të mbeteshin në grackën e të kaluarës së krijuar nga gjeneratat paraardhëse.

Çka e frymëzoi RYCO-n për ta iniciuar fushatën Rinia e Frymëzuar nga Paqja?

E shohim gjatë gjithë kohës se të rinjtë e rajonit kanë më shumë të përbashkëta dhe më pak gjëra që i ndajnë, dhe donim ta paraqisnim ndikimin që kemi pasur përmes projektit që RYCO po zbaton së bashku me tri agjenci të OKB-së – UNDP – Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNFPA – Fondi për Popullsinë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF – Fondi për Fëmijët i Kombeve të Bashkuara, me mbështetjen financiare të Fondit për Ndërtimin e Paqes të Kombeve të Bashkuara. Në këtë mënyrë, ne shpresojmë t’i frymëzojmë të tjerët të ndjekin hapat tonë dhe të mbështesin iniciativat që i bashkojnë të rinjtë dhe u japin atyre mjetet dhe fuqinë të ndikojnë për ndryshim pozitiv.

Përgjatë këtij projekti, kemi dëshmuar sa e fuqishme është dëshira e të rinjve për të bërë diferencën në rajon. Ata duan një të ardhme të qetë, të begatë dhe të sigurt në Ballkanin Perëndimor. Është detyrimi i të gjithëve ne që t’i mbështesim në këtë përpjekje. Nuk kemi më kohë për të humbur.

Foto nga Ryco/Facebook

Pse është i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal i të rinjve që shkon përtej barrierave etnike, gjuhësore dhe kulturore?

Ndërkohë që paragjykimet dhe stereotipet vazhdojnë t’u japin formë qëndrimeve dhe sjelljes në Ballkanin Perëndimor, dhe kultura e ndarjes nuk u shërben interesave të rinisë, rajonit apo Integrimit Evropian, bashkëpunimi që shkon përtej barrierave etnike, gjuhësore dhe kulturore është thelbësor për kapërcimin e sfidave të sotme.

Rajoni ynë ka kaluar një periudhë të trazuar në dekadat e fundit dhe ne të gjithë po i shohim pasojat e vendimeve të gabuara që janë marrë. Nëse duam ta ndryshojmë këtë realitet dhe ta bëjmë Ballkanin Perëndimor një vend ku të rinjtë vendosin të qëndrojnë, të jetojnë dhe të shohin të ardhmen e tyre, duhet t’i lëmë pas këto narrativa të vjetra nacionaliste dhe të ndërtojmë të reja – narrativa bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të përbashkët. Vetëm përmes bashkëpunimit ne ecim përpara dhe përparojmë si rajon.

Cila është qasja e RYCO-s për trajtimin e mosbesimit mes të rinjve të rajonit dhe për promovimin e dialogut ndërkulturor?

RYCO është e ngritur mbi besimin se duke ndërtuar mirëkuptim mes njerëzve, veçanërisht atyre që kanë përjetuar konflikt dhe si rezultat kanë pësuar marrëdhënie të dëmtuara me fqinjët e tyre, ata njerëz do të bëhen më të hapur për vazhdimin e dialogut, për tejkalimin e mosmarrëveshjeve të tyre, për pajtimin dhe ndërtimin e kauzave të përbashkëta si qytetarë aktivë. Duke ndihmuar të rinjtë të angazhohen me njëri-tjetrin në fusha të shqetësimit dhe interesit reciprok, ata zhvillojnë njohuri ndërkulturore, forcojnë shkathtësitë e tyre, rrisin perspektivat e tyre sociale dhe ekonomike, dhe arrijnë përmbushjen personale.

Përmes këtij projekti, ne mbështetëm mbi 40 aktivitete që i bashkuan të rinjtë e rajonit. Shumica dërrmuese e të rinjve që morën pjesë dhe i organizuan këto aktivitete raportuan përvoja pozitive të bashkëpunimit me bashkëmoshatarë nga rajoni, si dhe u shprehën se tani kanë dëshirë të vazhdojnë përfshirjen në të ardhmen në përpjekjet e bashkëpunimit rinor, se këto aktivitete janë të rëndësishme për qëllimet e tyre të ardhshme, dhe se pas pjesëmarrjes në aktivitetet e financuara nga RYCO janë rritur njohuritë e tyre në lidhje me pajtimin, lëvizshmërinë dhe bashkëpunimin rinor.

Ne besojmë se kjo është një shenjë e qartë se qasja jonë po jep rezultate dhe se të rinjtë e konsiderojnë të rëndësishme dhe të vlefshme.

Foto nga Ryco/Facebook

Cilat janë mundësitë që RYCO u ofron të rinjve në rajon?

RYCO përqendrohet në krijimin e mundësive për të rinjtë për angazhim në aktivitete që ndërtojnë mirëkuptimin dhe pajtimin e ndërsjellë në domenet qytetare, sociale, arsimore, kulturore dhe sportive. Kjo nënkupton se ne mbështesim aktivitete të shumta ku të rinjtë mund të udhëtojnë, të takojnë bashkëmoshatarët e tyre nga rajoni dhe të diskutojnë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ne mbështesim aktivitete të tilla si vizitat studimore, punëtoritë, eventet sportive dhe kulturore, shkollat verore etj. Ne i mbështesim dhe u ofrojmë të rinjve çdo shans të mundshëm për t’u takuar dhe për të gjetur pikat e përbashkëta për ndryshimin e rajonit.

Rajoni në të cilin jetojmë është plot paragjykime dhe stereotipa, edhe pse konfliktet ndodhën më shumë se 20 vjet më parë. Çka po bën RYCO për të rritur bashkëpunimin e qëndrueshëm rajonal, ndërtimin e paqes dhe pajtimin mes të rinjve?

Asnjë agjenci, organizatë ose strukturë tjetër rajonale nuk është e pozicionuar për të siguruar atë që RYCO mund të ofrojë për të rinjtë e rajonit. Nuk ekziston asnjë iniciativë tjetër ndërqeveritare që mund të ushtrojë një nivel të tillë të ndikimit social dhe politik në mbështetje të RYCO dhe objektivave të veta. Asnjë strukturë tjetër rajonale nuk e ka shtrirjen e programimit ose qasjen thelbësore për politikëbërësit, dhe kjo është natyra unike e RYCO-s. Pra, RYCO është duke e përdorur në formë strategjike këtë mundësi të jashtëzakonshme që e kanë krijuar gjashtë qeveritë e rajonit.

Thënë kjo, ne po provojmë lëvizshmërinë e të rinjve për pajtim, ne po punojmë me qeveritë dhe të rinjtë për të ndërtuar momentum në nivelin e politikave për një mjedis mundësues për lëvizshmëri të tillë, por gjithashtu po punojmë me financuesit, partnerët operacionalë dhe akademikë për ndërtimin e vlerës dhe shkallës, si dhe me publikun dhe mediat për të nxitur një mjedis në të cilin të rinjtë mund të begatojnë dhe ta përmbushin potencialin e tyre.

Cilët janë arritjet në këtë drejtim?

Në më pak se katër vjet të ekzistencës sonë, kemi investuar më shumë se 2.500.000 euro në shkëmbime rinore përmes mbështetjes së mbi 350 organizatave dhe shkollave të mesme në rajon. Këto kanë bashkuar më shumë se 5,000 të rinj përmes programeve të tyre inovative dhe plot ndikim.

Sidoqoftë, shifrat flasin vetë, por ajo për të cilën jemi më krenarë në punën tonë janë miqësitë që të rinjtë kanë krijuar përmes këtyre programeve. Këto miqësi janë diçka që sigurisht do ta ndryshojë rajonin dhe mënyrën si e parashikojnë të rinjtë të ardhmen e tyre. Kjo është arsyeja pse do të vazhdojmë të investojmë dhe ta zgjerojmë mbështetjen tonë për shoqërinë civile, shkollat e mesme, universitetet dhe, sidomos, për të rinjtë.

Foto nga Ryco/Facebook

Ju përmendët që RYCO nuk punon vetëm me të rinjtë. Si mund të kontribuojnë mësimdhënësit e shkollave për ndërtimin e paqes, zgjidhjen e konflikteve dhe dialogun ndërkulturor në rajon?

Duke qenë se të rinjtë e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në institucionet arsimore, mësimdhënësit kanë ndikim të madh në botëkuptimet dhe shkathtësitë e të rinjve. Ata janë ndër individët më të rëndësishëm në jetën e të rinjve.

Duke e ditur këtë, ne e dimë që mësimdhënësit e pajisur me njohuri dhe mjete të mira, janë në pozicionin më të mirë për të punuar me të rinjtë për temat e ndërtimit të paqes, zgjidhjes së konflikteve dhe dialogut ndërkulturor në rajon. Kjo është arsyeja pse përmes këtij projekti ne organizuam sesione trajnimi për mësimdhënësit nga i gjithë rajoni, si dhe u siguruam mjete dhe njohuri të cilat ata tani mund t’i përdorin në klasat e tyre për të trajtuar këto tema.

Ne tashmë kemi shumë reagime pozitive nga mësimdhënësit që i kanë kryer këto seanca trajnimi. Ata na thonë se tani janë më të pajisur për të filluar diskutimet rreth temave të përmendura dhe se të rinjtë me të vërtetë dëshirojnë t’i diskutojnë ato. Ne do të vazhdojmë të investojmë në këto aktivitete, sepse besojmë që mësimdhënësit e mirë japin mësim, kurse mësimdhënësit e shkëlqyeshëm gjithmonë mësojnë për vete dhe i zbatojnë njohuritë e reja në klasat e tyre. Rajoni ka nevojë për më shumë nga këta mësimdhënës të shkëlqyeshëm.

A ka ndonjë gjë që RYCO dëshiron t’ua dërgojë si mesazh kyç të rinjve të Ballkanit Perëndimor, mësimdhënësve të tyre, shoqërisë civile dhe të gjashtë qeverive të rajonit?

Ne jemi ata që e kemi të ardhmen tonë në duart tona. Si do të duket kjo e ardhme varet ekskluzivisht nga ne. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i bashkojmë forcat dhe përpjekjet tona për t’u siguruar të rinjve mundësitë për t’u zhvilluar vetë, por edhe për t’i dëgjuar në mënyrë aktive nevojat e tyre. Për fundi, por jo më pak e rëndësishmja, të rinjtë duhet të përfshihen në çdo fazë të çdo politike që krijohet për ta. Siç themi zakonisht në organizatën tonë, nuk do të funksionojë kurrë krijimi i politikave për të rinjtë pa praninë e të rinjve. Pikërisht kjo është arsyeja pse ne themi që një rajon më i mirë fillon me rininë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button