fbpx

Pendarovski nuk ka nëshkruar dekretin për Ligjin për legalizimin e objekteve pa leje: Është kundër Kushtetutës dhe interesit publik

Presidenti, Stevo Pendarovski nuk ka nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Ai për këtë ka njoftuar kryeparlamentarin, Talat Xhaferi nëpërmjet një letre, ku ka dhënë argumente të tija të cilat flasin se me miratimin e këtij ligji nga ana e Kuvendit, janë shkelur disa nene të Kushtetutës, transmeton Portalb.mk.

“Vendimin tim që të mos e nënshkruaj dekretin për shpalljen e Ligjit e kam sjell në bazë të analizave të detajuara të tekstit të Ligjit, me çka kam vërtetuar se teksti i Ligjit është në kundërshtim me disa prej vlerave themelore të Kushtetutës, si dhe me dispozita ligjore të cilat dalin apo janë në lidhje me vlerat themelore të Kushtetutës. Gjithashtu, vlerësoj se teksti i Ligjit nuk arsyetohet nga shoqëria, përkatësisht nuk është në drejtim të mbrojtjes dhe promovimit të interesit publik, që është detyrë themelore e pdo institucioni të pushtetit publik”, thuhet në njoftim.

Pendarovski vlerëson se fakti se me këtë ligj legalizohet procedurat antiligjore të personave fizik dhe juridik për ndërtim të paligjshëm, që është vepër penale sipas Kodit Penal, i vendos të pozicion të pabarabartë subjektet juridik dhe cenon sigurinë publike.

“Një procedurë e tillë është në kundërshtim me nenin 9, paragrafi 1 nga Kushtetuta me të cilin është përcaktuar se qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve. Jam i bindur se ligji i miratuar jo vetëm që i vendosë qytetarët në pozicion të pabarabartë, duke privilegjuar ata të cilët nuk kanë respektuar rregullat juridike në dëm të qytetarëve të ndërgjegjshëm të cilët gjatë ndërtimit të objekteve kanë vepruar në përputhje me rregulloret e vlefshme, por stimulon edhe më shumë mosrespektim të rregulloreve juridike. Stimulimi i mosrespektimit të rregulloreve juridike u shkakton dëm të përhershëm të gjitha përpjekjeve që ta ndërtojmë shtetin tonë si shtet demokratik të bazuar në sundimin e së drejtës dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarëve”, ka theksuar Pendarovski.

Pendarovski u ka bërë thirrje deputetëve, pavarësisht përkatësisë politike që të mendojnë edhe njëherë para se të vendosin sërish për këtë tekst të Ligjit.

“Si president i shtetit jam betuar se do t’i respektoj dhe mbrojë Kushtetutën dhe ligjet. Ai detyrim nënkupton jo vetëm respektim formal dhe zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve, por edhe shumë më shumë, promovim të kulturës juridike. Kultura juridike është pasqyrë e të gjitha bashkësive të civilizuara, ndërsa sundimi i së drejtës dhe mbrojta e interesit publik është princip i të gjitha shteteve demokratike. Mbi të gjitha, sundimi i së drejtës është kushti themelor për realizimin e qëllimit strategjik të shtetit tonë për integrim në Bashkimin Evropian, për realizimin e së cilit kanë punuar dhe punojnë të gjithë presidentët e deritanishëm, përbërjet parlamentare dhe qeveritë. Si një demokrat i bindur dhe legalist besoj në udhëheqjen e politikës në kufijtë e së drejtës dhe për këtë nuk mund të pajtohem që nga padrejtësia të krijojmë drejtësi. Fatkeqësisht, ligji i miratuar është shembull për një sjellje të tillë”, ka thënë Pendarovski.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut javën e kaluar me 72 vota “për” tre “abstenime” dhe pesë “kundër”, miratoi Ligjin e ri për përcaktimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka dorëzuar në Kuvend dy ligje për legalizim, njëri është ndryshim i ligjit të vjetër që kërkojnë të vazhdohet afati për legalizim për 5 vjet dhe sipas tij të punojnë në mënyrë shtesë komunat për 5 vite në lëndët e pranuara deri më tash për legalizim. Nën ligjin e vjetër, qytetarët nuk do të mund të dorëzojnë kërkesa të reja por, ato që janë dorëzuar deri më tani, ato të mund t’i punojnë. Ndërsa ligji i ri për legalizim që është gjithashtu në Kuvend, propozon që të mos mund të legalizohen ndërtesat, mbindërtimet dhe ndërtimet e zgjeruara të ndërtesave, si dhe të gjitha objektet në zonën e mbrojtur sipas UNESCO-s.  Ai ligj ka çmim më të lartë për 50 për qind nga vlera e shërbimeve komunale të komunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button