Osmani – Mazi: Prolongimi i mëtejmë i nisjes së negociatave dëmton kredibilitetin e BE-së

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani gjatë konferencës së përbashkët për media me kryenegociatorin e Republikës së Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi pas takimit që realizuan në Shkup, tha se procesi i zgjerimit të BE-së bazohet në parimin e meritave individuale, shkruan Portalb.mk.

Duke folur mbi çështjen e ngritur së fundmi rreth mundësisë për procese të ndara të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në BE, Osmani tha se vendet ecin me dinamikën që i imponojnë vetë dhe nuk duhet ta pengojnë njëra tjetrën, por vendet mund ta ndihmojnë njëra tjetrën. Megjithatë, sipas tij, rrugëtimi i përbashkët i dy vendeve drejt anëtarësimit në BE, do t’i jepte një dinamikë të re rajonit.

“Unë mendoj se rrugëtimi i përbashkët krijon sinergji në rrugëtimin e dy vendeve dhe krijon një dinamikë të re në rajon. Por, parimi është i tillë, parimi është në kuadër të vlerësimit individual dhe kjo nuk varet prej dëshirës tonë, por varet prej vendimit të Bashkimit Evropian. Ne nuk duam ta mbajmë peng Shqipërinë për shkak të çështjeve tona që i kemi ose që e ka një vend anëtar me ne, as që duam Shqipëria të na mban peng ne. Dhe ajo që themi ne tash është se dyja vendet i kanë plotësuar kushtet. Nuk do të ishte mesazh i mirë Maqedonia e Veriut tani nuk fillon bisedimet se atëherë humb parimi i kondicionalitetit. Principi kryesor i cili ka transformuar këtë rajon ka qenë nëse ju realizoni, realizojmë edhe ne”, deklaroi Osmani.

Sipas tij, në samitet e ardhshme që pritet të mbahen muajve në vijim, BE e ka shansin që të tregoj në vepër kredibilitetin e saj.

“Samitet e ardhshme të verës të Bashkimit Evropian paraqesin shans të papërsëritshëm, për shkak se Bashkimi Evropian do të tregoj në vepër kredibilitetin e procesit të zgjerimit dhe me atë do ta ruajë idenë si motor kryesor në ndryshime pozitive në rajon. Shkëmbyem përvoja për mënyrën në të cilën janë formuar strukturat negociatore në dy vendet, përparësitë dhe dobësitë e modeleve të ndryshme si dhe rolin e rëndësishëm në Ministrinë e Jashtme në procesin e negociatave. Metodologjia e re parasheh udhëheqje më të fuqishme politike me vet negociatat, rol më të madh të vet vendeve anëtare në monitorimin dhe vlerësimin e procesit të negociatave, me çka roli i rrjetit diplomatik në kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian merr një rëndësi dhe përgjegjësi shtesë, por merr edhe për nevojën e udhëheqjes më të suksesshme të negociatave”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, kyenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi tha se dy vendet kanë përmbushur kushtet për fillim të negociatave meritojnë që të fillojnë këtë proces. Sipas tij, prolongimi i mëtejmë i mbajtjes së konferencës ndërqeveritare, dëmton kredibilitetin e BE-së.

“Anëtarësimi i vendeve tona nuk duhet të pengohet, ai duhet të përshpejtohet si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë, të mos ketë më vonesa. Vonesat praktikisht na bëjnë të gjithëve humbës. Do të jetë në dëm të Shqipërisë besimi i qytetarëve në këtë proces të zgjerimit dhe do ta dëmtojë kredibilitetin e BE-së. Procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë sipas principit të vjetër të Bashkimit Evropian ndaj meritave. Shqipëria ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe kushtet e Komisionit për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Prolongimi për një datë të pacaktuar nga marsi i vitit 2020 në qershor të këtij viti, nga qershori në dhjetor, nga dhjetori në qershor e rrit lodhjen dhe dëmton kredibilitetin. Ardhmëria e vendeve tona në Bashkimin Evropian është çështje e madhe gjeostrategjike, politike edhe për vendet tona edhe për Bashkimin Evropian, për një hapësirë më të mirë demokratike dhe hapësirë evropiane. Ne shohim drejt ardhmërisë së gjeneratave tona të reja”, tha Mazi.

Kutjojmë se, eurokomisari për zgjerim Oliver Varheji deklaroi së fundmi se, Bashkimi Evropian mund t’i fillojë negociatat e inkuadrimit me Shqipërinë para Maqedonisë së Veriut, nëse nuk gjendet zgjidhje e përbashkët e pranueshme me Bullgarinë për kontestin historik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button