Bullgaria ta tërheq veton për Maqedoninë e Veriut, bëri thirrje ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson 

Ish Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson, si pjesëmarrës në konferencën e Klubit euroatlantik në Sofje kërkoi nga autoritetet bullgare ta pezullojnë bllokadën e Maqedonisë për në Bashkimin Evropian, përcjellë Portalb.mk.

Kryetari i Klubit euroatlantik dhe ish ministër i punëve të jashtme të Bullgarisë, Sollomon Pasi e ka përkrahur thirrjen e Robertsonit dhe Maqedoninë e Veriut e quajti – “fqinji dhe miku ynë shumë i mirë”.

Siç ka njoftuar korrespondenti MIA-s nga Sofja, Robertson e ka përkujtuar Bullgarinë që nevojitet qasje më pragmatike ndaj rreziqeve gjatë mbrojtjes së vlerave të Aleancës Euroatlantike. Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s përkujtoi edhe në vlerat dhe standardet e Aleancës dhe të bashkimit euroatlantik dhe krizat e Ballkanit si dhe shtoi që zgjidhja e tyre është zhvilluar nëpërmjet perspektivës euroatlantike.

“Në vitin 2001, Maqedonia ishte në prag të konfliktit civil, mirëpo duke falënderuar intervenimin e NATO-s, BE-së dhe OSBE-së dhe personave meritorë sikur Boris Trajkovski, i njëjti u ndalua dhe u nënshkruar marrëveshje historike paqësore. Sot Maqedonia është vendi i 30-të anëtarë i NATO-s. Me këtë akt Bullgaria ka fituar stabilitet shtesë në kufirin e saj, për shkak se konflikti i përgjakshëm qytetar mund të paraqesë rrezik për paqen e të ndikojë në stabilitetin jashtë kufijve të Maqedonisë, në tërë rajonin”, theksoi Robertson.

Robertson përkujtoi që gjatë pranimit të Bullgarisë në NATO dhe BE, njerëzit kanë pritur anëtarësimi në këto organizata të ndihmojë në ndërprerjen e dhunës në rajon. Prandaj, sipas tij, vetoja e BE-së për Maqedoninë duhet të tërhiqet.

Në konferencën e Klubit Euroatlantik në Sofje morën pjesë edhe ministrat e ri për punë të jashtme dhe për mbrojtje të Bullgarisë Svetllan Stoev dhe Georgi Panajotov. Mysafir special në forum ishte presidenti Stevo Pendarovski.

Përndryshe Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button