Më shumë pikëpyetje se përgjigje për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani

Rreth 10% e ushtrisë amerikane është tërhequr tashmë nga Afganistani. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, zyrtarët e mbrojtjes i lanë të mërkurën ligjvënësit me më shumë pyetje se përgjigje, ndërsa Shtetet e Bashkuara po i afrohen afatit të 11 shtatorit, të caktuar nga Presidenti Biden, për tërheqjen e plotë, shkruan VOA.

Ndërsa forcat amerikane kanë filluar tërheqjen nga Afganistani, drejtuesit e Pentagonit nuk u dhanë ligjvënësve përgjigje se do të zgjidhen disa probleme që vazhdojnë.

“Dëgjojmë të thoni se ‘po punojmë për këtë’. Mendoj se duhet të ishte zgjidhur përpara se të njoftonit se do të largoheshit”, tha ligjvënësi Mike Rogers, nga Komisioni për Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ndër pikëpyetjet pa përgjigje është edhe se si do të vazhdojnë Shtetet e Bashkuara trajnimin e partnerëve afganë.

“Jemi ende duke planifikuar se si do ta ofrojmë këtë lloj mbështetjeje kur nuk do të kemi prani në terren”, tha David Helvey, Ndihmës Sekretar Mbrojtjeje në detyrë për Çështjet e Rajonit Indo-Paqësor.

Apo se ku do të stacionohen forcat amerikane në mënyrë që rrjetet ushtarake dhe ato të zbulimit të vazhdojnë të identifikojnë dhe eliminojnë kërcënimet e terrorizmit rajonal.

“Duhet të ruajmë qasjen tek bazat ushtarake dhe të drejtat e fluturimit ajror. Këto janë gjërat që po diskutojmë”, tha zoti Helvey.

Pothuajse të gjithë anëtarët e Kongresit të pranishëm në seancën dëgjimore i kërkuan Pentagonit të gjejë me shpejtësi mënyrën për t’i ofruar viza speciale emigrimi afganëve që ndihmuan personelin amerikan. Rreth 18 mijë afganë kanë aplikuar për këto viza, të frikësuar se talebanët do t’i vrasin, pasi të jenë larguar Shtetet e Bashkuara.

Një koleg afgan i Ligjvënësit Jason Crow u vra nga talebanët në janar.

“Vrasësit i dolën përpara dhe e vranë në sy të të birit. Pak javë më vonë, djali i tij i madh u kërcënua me vdekje nga talebanët. Ai dhe shumë të tjerë së shpejti do të vdesin nëse ne nuk veprojmë”, tha ligjvënësi Crow.

Përfaqësuesit e të dyja partive thanë se tërheqja është gjëja e duhur pas vitesh ngërçi ushtarak.

“Pas 20 vitesh nuk mund të themi se një, dy, pesë apo 10 vite të tjera do të ndryshonin diçka. Do t’u kërkonim kështu njerëzve të vdisnin pa arritur ndonjë gjë”, tha ligjvënësi Adam Smith, Kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Por ligjvënës të tjerë republikanë dhe demokratë shqetësohen se talebanët, të cilët ende mbajnë lidhje me al-Kaidën, mund ta mposhtin qeverinë afgane në mungesë të një pranie ushtarake amerikane.

“Jam i shqetësuar se po ua japim vendin njerëzve që synojnë të zhvillojnë aftësinë për t’u rikthyer dhe për të sulmuar Shtetet e Bashkuara”, tha Ligjvënësi republikan Joe Wilson.

Nëse qeveria bie, shumë frikësohen se ushtrisë amerikane do t’i duhet të rihyjë në vend, me një kosto të lartë financiare dhe në jetë njerëzish, për të rindërtuar bazat e mëparshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button