RMV, për Mevmedin nuk ka ndihmë nga shteti

Për Mevmed Xhemailoskin, pronarin e fabrikës “Podgorka”, ka qenë e pamundur që të aplikojë për ndihmën që ka ndarë shteti i Maqedonisë së Veriut, për kompanitë e prekura nga pandemia e koronavirusit, shkruan REL.

Xhemailoski, fabrika e së cilit gjendet në Strugë dhe merret me paketimin e mishit dhe prodhimit të tij, tregon se ai nuk arriti që të aplikonte për ndihmë shtetërore, pasi nuk përmbushi kriteret.

Me qëllim që të përfitonte nga njëra nga gjashtë pakot e ndihmave që ka ndarë Qeveria maqedonase, biznesi i Mevmedit do të duhej të kishte humbje mbi 30 për qind.

“Ne nuk kemi aplikuar për masat e qeverisë pasi duhej të kishim ulje të prodhimit apo humbje në masën e mbi 30 për qind. Sikur të kishim mundësinë, ne gjithsesi se do të aplikonim. Kushtet duhej të ishim pak më liberale që të mundësohej që të gjitha kompanitë të aplikonin për ndihmë. Ne kemi pasur humbje, por unë kam arritur që të mos u ngelem borxh punëtorëve. Kam shlyer pagat e 61 punëtorëve, por me fondet rezervë. Pra, gjatë kësaj periudhe kemi punuar me shumë humbje, ndërsa gjendjen e ka rënduar edhe kredia që morëm në vlerë prej mbi 7 milionë euro për zgjerimin e kapacitetit të fabrikës tonë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mevmed Xhemailoski.

Ai pret që të normalizohet situata me pandeminë, në mënyrë që edhe biznesi i tij t’i kthehet normalitetit.

“Ishte një periudhë e vështirë për të gjithë, kishte kufizime në punë, në lëvizjen e qytetarëve dhe gjithë këto na shkaktuan vështirësi në bërjen e biznesit. Por, mbi të gjithë duhet të jemi falënderues se e mbijetuam më të keqen, jemi mirë me shëndet dhe shpresojmë të kthemi në gjendjen normale. Shpresojmë të kemi lehtësira pasi kemi ambicie të mëdha, planifikojmë të zgjerojmë biznesin me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, por këto synime mund t’i arrijmë vetëm nëse kthehemi në gjendje normale”, thotë Mevmed Xhemailoski.

Sipas të dhënave zyrtare, për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, rreth 40 mijë persona në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur pa punë dhe janë mbyllur rreth 6 mijë biznese.

Që prej marsit të vitit 2020, kur u paraqitën rastet e para me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, autoritetet kanë miratuar gjashtë pako të ndihmës ekonomike në vlerë prej mbi një miliard euro. Këto mjete janë dedikuar për ndihmë të kompanive dhe kategorive më të rrezikuara për qytetarët.

Por, nuk është vetëm Mevmed Xhemailoski që kërkon që qeveria të zbusë kriteret në mënyrë që të gjitha kompanitë të mund të përfitojnë nga ndihma e shtetit. Për procedurat e ndërlikura për aplikim për këtë ndihmë, shqetësimin e ka ngritur edhe Oda e Pavarur e Gastronomëve.

“Konsiderojmë se është padrejtësi e madhe nëse shteti, qeveri apo ndonjë ministër mendon se me vendim mundet që ndihmë t’i jepet vetëm ndonjë subjekti afarist, ndërsa të tjerëve jo. Qeveria me një vendim mbylli të gjitha objektet e gastronomisë dhe me një vendim tjetër nuk guxon që ndihmë apo mbështetje financiare të sigurojë vetëm për disa prej tyre, vetëm sepse legjislacioni parasheh kritere të ndryshme. Kërkojmë nga qeveria që të ketë qasje të njëjtë për të gjitha bizneset që të mund të marrin ndihmë, për të mbuluar sado pak humbjet e mëdha që kanë pësuar nga masat shtrënguese për mbrojtje nga pandemia”, ka deklaruar Zdravko Josifovski, kryetar i Odës së Pavarur të Gastronomëve.

Qeveria e Maqedonisë, të mërkurën doli me një njoftim të ri për kompanitë, duke iu bërë thirrje që të aplikojnë për një ndihmë të shtetërore në vlerë prej 17.8 milionë eurosh. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka thënë se masa do të përfshijë të gjitha bizneset e sektorëve më të goditur nga masat shtrënguese. Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 10 mijë kompani me mbi 60 mijë të punësuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button