Festë e përgjysmuar

Festa e Bajramit sjell gjithmonë gëzim në çdo familje. Është gjithmonë e njëjta atmosferë festive, e njëjta aromë e fëmijërisë e cila ndjehet që disa ditë më parë dhe fillon që në orët e hershme të mëngjesit të ditës së shënuar. Atë ditë ora ndalon dhe fillon një rrotullim tjetër të cilin e bën vetëm në çaste të jashtëzakonshme. Atë ditë mëngjesi fillon me urimet e zakonshme kur përshëndetjen e parë gjithmonë e bëjmë me prindërit.

Ky ishte Bajrami i parë familjen tonë në kushte post-covid i cili na gjeti me forca të përgjysmuara. Në çdo shtëpi nga një humbje, në shtëpinë e prindërve të mi, poashtu. Edhe urimi i mëngjesit mu duk gjysmak, dhe sa kishte gëzim po aq kishte dhimbje. Gëzimi i fëmijëve për të cilët jeta vazhdon i kombinuar me dhimbjen e humbjes së njeriu të dashur, nënës e cila më nuk do ti dëgjojë nipat e mbesën ta urojnë në këtë ditë të shenjtë për të, nënës të cilës vizitën e Bajramit për herë të parë ia bëmë në një vend që nuk ishte shtepia e saj. Ishte një Bajram gjysmë bosh.

Ajo kënaqej kur i mbushej shtëpia me njerëzit e dashur, fluturonte nga gëzimi. Tani shtëpia mbushet sërish plot me të gjithë njerëzit e dashur të saj por zbrazëtia që ajo la pas mbetet e madhe dhe e paplotësuar. E megjithatë kujtimi për të është i dukshëm në çdo cep të shtëpisë dhe në çdo qelizë të trupit tonë ku ajo vazhdon të jetojë.

Ky muaj më përball disa herë me mungesën e saj, si me rastin e Ditës së Nënës, ashtu edhe me rastin e ditëlindjes së saj që duhej ta festojmë javën e ardhshme. Por në asnjë çast nuk ndihet më shumë mungesa se sa në mëngjesin e Bajramit kur dera e shtëpisë hapet dhe ajo nuk është aty.

Nëna ishte njeri që e donte paqen dhe harmoninë dhe dëshironte të jetë e rrethuar me to. Shqetësohej për gjithçka që e prishte paqen dhe solidarizohej me gjithkë që kalonte ndonjë vështirësi. Ajo e donte jetën dhe gëzohej në çdo sukses dhe në çdo gjë të mirë që i ndodhte kujtdo. Gëzohej me gjithë shpirt për çdo gjë të bukur që dëgjonte për dikë.

Në këtë kohë, kur shumë pak njerëz sinqerisht gëzohen për njëri tjetrin dhe e duan me të vërtetë njëri tjetrin, është mirë të bëjmë përpjekje për një mirëkuptim të ndërsjellë, pak më të thellë e pak më pak sipërfaqësor. Është mirë tu kthehemi vlerave bazike njerëzore të solidaritetit të cilat shpesh duket se po i humbim, dalë ngadalë por në mënyrë të sigurtë. Është mirë që përpara se të shahemi ndërmjet vetes me aq pasion, të mendojmë për gjërat e mira që mund ti bëjmë së bashku. Sepse paqja vjen tek ata që duan paqe.

Prandaj paqja qoftë me të gjithë ne gjersa e nderojmë kujtimin e atyre që nuk janë më midis nesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button