Blinken: SHBA s’do të hezitojë t’i përgjigjet agresionit rus

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut rus, Sergei Lavrov, se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nuk do të hezitojë për t’iu përgjigjur agresionit nga Moska në SHBA ose gjetkë.

“Sekretari Blinken përsëriti vendosmërinë e presidentit Biden për të mbrojtur qytetarët amerikanë dhe interesat e SHBA-së, në përgjigje të veprimeve ruse, që na dëmtojnë ne ose aleatët tanë”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, pas bisedës telefonike që Blinken zhvilloi me Lavrovin, transmeton REL.

Biseda vjen në kohën e tensioneve të vazhdueshme midis Uashingtonit dhe Moskës për një varg çështjesh, përfshirë grumbullimin e trupave ruse në dhe përreth Ukrainës, akuzat se Rusa ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe sulmet kibernetike në një tubacion të naftës në SHBA, që dyshohet se janë kryer nga një rrjet kriminal i lidhur me Rusinë.

Blinken dhe Lavrov pritet të takohen për herë të parë ballë për ballë javën e ardhshme, në margjina të një samiti në Reikiavik.

Dy zyrtarët do të diskutojnë për “çështjet kryesore të marrëdhënieve të ndërsjella dhe agjendën ndërkombëtare”, gjatë takimit të planifikuar për 20 maj, tha të mërkurën Ministria e Jashtme ruse.

Departamenti amerikan i Shtetit e konfirmoi po ashtu datën.

Është e paqartë nëse dy zyrtarët do të diskutojnë për një takim të mundshëm midis presidentit amerikan, Joe Biden, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Biden ka sugjeruar më herët që takimi mund të mbahet në një vend të tretë, por Putin nuk e ka komentuar ende publikisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button