Pse Rusia po bëhet gjithnjë e më nervoze dhe si vendet evropiane dhe SHBA-ja po i përgatisin një realitet të ri gjeopolitik

Viktor Jakimovski

Evropa është e vendosur të çlirohet nga fuqia e butë (energjia) e Moskës, madje edhe në fushën diplomatike dëshiron t’ia bëjë me dije se edhe për të do të ketë „vija të kuqe“. Siç qëndrojnë gjërat, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shkojnë përsëri drejt një konfrontimi, veçanërisht për pozicionet në pjesë të caktuara të botës, të cilët mund të çojnë përsëri në një ftohje të marrëdhënieve.

Në një kohë ndryshimesh, asgjë nuk është më e ndryshueshme sesa gjeografia dhe politika. Prandaj, jo vetëm kriza e disa gjeostrategjive, por edhe lindja e një dëshire për dominim në vende të caktuara i bën të tjerët nervozë, gjë që shpesh i çon ata drejt lëvizjeve iracionale. Edhe shtetet e mëdha dhe të forta nuk janë imune ndaj kësaj, kurse dilema e sigurisë që vazhdimisht pluskon në ajër është pothuajse gjithmonë arsyeja për ndryshimet në skenën gjeopolitike.

Gjatë muajit të kaluar kemi qenë dëshmitarë të një “loje gjeopolitike shahu” mjaft komplekse, e cila, mund të thuhet, paralajmëron një periudhë të trazuar në vendet përreth Detit të Zi dhe Mesdheut Lindor. Sipërfaqësisht, aktivitetet ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit me Ukrainën duket se janë një demonstrim i fuqisë së Moskës për të imponuar negociata me Kievin dhe që në fillim të fitojë një avantazh, si dhe një mesazh për rebelët në Donbas se ata nuk janë të pambrojtur. Por kjo nuk është as gjysma e historisë.

Në fakt, arsyeja kryesore pse Moska vendosi të aneksojë Krimenë në vitin 2014 ka dy dimensione – njëra është historike, sipas së cilës Krimea historikisht ka qenë nën sundimin rus për një periudhë më të gjatë sesa nën sundimin ukrainas; dhe dimensioni i dytë është gjeopolitik. Aneksimi i Krimesë ishte faza e parë e një skenari më të gjerë. Në shkurt të vitit 2016, Moska filloi ndërtimin e urës së famshme të Krimesë në Ngushticën e Kerçit me arsyetimin se dëshironte të lidhte Krimenë me territorin e Rusisë. Ajo që është e diskutueshme rreth ndërtimit të kësaj ure është lartësia e saj, e cila është 35 metra dhe është një problem (bllokim) për kalimin e disa llojeve të caktuara të anijeve.

Me ndërtimin e kësaj ure, Moska në masë të madhe u lirua nga frika e mundësisë së depërtimit të forcave të huaja përmes Detit Azov direkt në “barkun” e saj. Moska gjithashtu në masë të madhe arriti të izolonte Kievin nga ngushtica e Kerçit, sepse pas aneksimit të Krimesë, ata kishin një justifikim “të vlefshëm” për të thënë se bëhej fjalë ekskluzivisht për një territor rus, i cili shërbeu si një justifikim për të anuluar Marrëveshjen e vitit 2003, sipas së cilës të dy vendet kanë të drejtë të barabartë për të pasur qasje dhe për të kryer patrullime në ngushticë.

Zosto Rusija stanuva se ponervozna i kako evropskite zemji i SAD i spremaat nova geopoliticka realnost 1Burimi: ft.com

Megjithatë, në të gjithë situatën me Krimenë, Kievi ka ende një letër atu kundër Moskës dhe pikërisht kjo është një nga dy arsyet që e bën Moskën nervoze në mosmarrëveshjen me Kievin. Letra fituese atu e Kievit është ujë i pijshëm. Menjëherë pas aneksimit, Ukraina vendosi të mbyllë Kanalin e Krimesë Veriore i cili është i gjatë 400 kilometra. Më parë, përmes këtij kanali sigurohej rreth 85 përqind e nevojave për ujë, i cili vie nga Lumi Dnjepër në pjesën ukrainase. Moska zyrtare këtë lëvizje e dënoi si një masë të paligjshme dhe thirrej në të drejtën ndërkombëtare, por njëherësh kjo ishte me të vërtetë ironike, sepse vetë aneksimi i Krimesë ishte i paligjshëm. Sekretari i Përhershëm i Rusisë në OSBE e ka përshkruar bllokimin e kanalit si një “gjenocid në tentativë”, megjithëse nën Konventat e Gjenevës përgjegjësia për furnizimin me ujë të territoreve të okupuara i takon pushtuesit/okupatorit.

Situata aktuale në Krime

Krimea është e ndarë në katër zona – zona perëndimore dhe jugore furnizohet me ujë kryesisht përmes një numri rezervuarësh natyralë, lumenjsh dhe liqenesh. Për dallim nga to, zona lindore dhe veriore janë pjesët më të thata të gadishullit dhe më së shumti varen nga Kanali i Krimesë Veriore. Që situata me të vërtetë të jetë shqetësuese në aspektin ekologjik është fakti që viti 2020 për Krimenë ishte një nga vitet më të thata në histori. Me mbylljen e kanalit nga ana e Kievit zyrtar, Krimea filloi të kthehej në vitet para viteve 1960, kur kryesisht përbëhej nga stepat e thata. Madje edhe toka e punueshme po zhduket në mënyrë dramatike – nga 130000 hektarë në vitin 2013, në 14.000 hektarë në vitin 2017.

Nga ana tjetër, pas aneksimit në vitin 2014, popullsia pothuajse është dyfishuar, kryesisht me shpërnguljen e rusëve, e cila afërsisht dyfishon kërkesën për ujë të pijshëm dhe e ndërlikon më tej situatën. Ndër të tjera, me këtë lëvizje, Kievi goditi Moskën edhe ekonomikisht. Për të përmbushur nevojat e Krimesë me ujë të pijshëm, Moska për çdo vit shpenzon shuma të mëdha parash. Rusia pritet të investojë 48 miliardë rubla (pak më shumë se 650 milion dollarë) deri në vitin 2024 për të zgjidhur furnizimin e saj me ujë. Kjo është arsyeja e parë pse Moska po bëhet aq e padurueshme.

Sa më të vërtetë është i rëndësishëm Donbas-i për Rusinë?

Arsyeja e dytë për nervozizmin e Moskës është Donbasi, dhe kjo është një arsye gjeopolitike. Në vitin 2014, Rusia dukej se po llogariste shkallën e sanksioneve të mundshme nga vendet perëndimore, si dhe kërcënimin për izolim, kështu që ata vendosën të aneksonin vetëm Krimenë, kurse Donbasi në një të ardhme të afërt ose të aneksohet ose të fitojë autonomi të plotë në mënyrë që Moska të formësojë politikën e jashtme të Kievit ose të përjetojë skenarin Abkhazisë.

Megjithatë, në vitin 2016 në skenën gjeopolitike u rimishërua ideja e Intermarium-it përmes Three Seas Initiative, me shumë gjasë si një reagim ndaj ekspansionizmit rus që po merrte vrull. Kjo ndezi alarmin e Moskës. Një nga dobësitë më të mëdha nga aspekti i sigurisë së Rusisë është terreni i rrafshët nga Donbasi deri në Volgograd dhe më pas lugina e lumit Volga e deri në qytetin Astrahan – një terren i sheshtë, në formën e një të çare. Kështu, nëse një forcë do të fitonte ndikim ose kontroll mbi Ukrainën, ajo lehtë mund të depërtonte dhe të kapte Kaukazin nga Rusia duke pushtuar Volgograd-in dhe Astrahan-in, duke pamundësuar në këtë mënyrë qasjen në Detin e Zi, si dhe mundësinë e një ushtrie armike për të arritur në brigjet e detit Kaspik.

Zosto Rusija stanuva se ponervozna i kako evropskite zemji i SAD i spremaat nova geopoliticka realnost 2

Se kjo nuk është vetëm një fantazi e bujshme apo teori konspiracioni tregon fakti se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjermania naziste arriti lehtësisht të arrinte në këto territore, kurse BRSS-ja e atëhershme luftoi fuqishëm për të ndaluar shkëputjen e Kaukazit dhe mundësinë e depërtimit të mëtejshëm. Këtu u zhvillua edhe beteja për Stalingradin (Volgogradin e sotëm). Gjithashtu, për të kuptuar pozicionin strategjik dhe rëndësinë e kësaj, për ta quajtur atë një rrip, në rast lufte, një pasqyrë më të mirë të na jepnin (nëse shikoni në një hartë) Operacionet Uran dhe Saturni i Vogël nga Lufta e Dytë Botërore.

E gjithë kjo pasqyron nevojën e Rusisë për një zonë tampon në kufirin e saj perëndimor, kurse Iniciativa Three Seas Initiative paraqet një kërcënim për atë “zonë tampon”.

Three Seas Initiative

Three Seas Initiative (3SI), me fjalë të tjera është një platformë për bashkëpunim midis Polonisë, Kroacisë, Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë, Republikës Çeke, Rumanisë, Bullgarisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Ideja është të zhvillohet një bashkëpunim dhe zhvillim të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, telekomunikacionit dhe energjisë. Në këtë drejtim, sigurimi i pavarësisë nga energjia ruse është një nga qëllimet kryesore në fushën e energjisë, me çrast Polonia dhe Kroacia kanë përfunduar ndërtimin e impianteve të rigazifikimit për importin e gazit, të cilat do t’ju siguroin pavarësi energjetike nga fuqia që disa nga vendet në rajon e konsiderojnë atë si një kërcënim.

Sidoqoftë, ky nuk është një qëndrim unanim brenda iniciativës. Hungaria dhe/ose Bullgaria duket se i përkasin më shumë energjisë së lirë sesa pavarësisë së energjisë. Në të njëjtën kohë, disa tubacione gazi që drejtohen nga veriu në jug janë aktualisht në ndërtim e sipër. Një projekt kryesor i 3SI lidh portet e gazit natyror të lëngshëm në Kroaci dhe Poloni përmes një tubacioni që do të përshkojë disa vende të Evropës Qendrore si Republika Çeke, Sllovakia ose Hungaria. Nga ana tjetër, Rumania – shpesh e shpërfillur nga disa projekte kryesore “veri-jug” për shkak të vendndodhjes së saj, ka vendosur të rezantojë projektet e veta të gazit.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj iniciative është zhvillimi i infrastrukturës tokësore të transportit veri-jug, duke kombinuar projekte të autostradave, hekurudhave dhe projekteve detare. Projekti më i rëndësishëm rrugor është Via Karpatia, i cili do të lidhë Selanikun (Greqi) me Klapeida (Lituani); për sa i përket hekurudhave, Via Baltika do të lidhë Varshavën me Helsinkin, duke e bërë Poloninë nyjen kryesore të transportit në rajon. Gjithashtu janë planifikuar edhe iniciativa të ndryshme të transportit lumor. Në nivelin gjeopolitik, kryesori është projekti E40 Inland Waterway, i cili do të lidhte bregdetin Baltik në Poloni me Detin e Zi në Rumani, duke kaluar përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara të Amrikës nuk menduan shumë dhe menjëherë mbështetën një iniciativë të tillë, veçanërisht duke investuar 1 miliard dollarë në fondin e investimeve të 3SI. Gjermania gjithashtu ka mbështetur iniciativën, megjithëse në masë të madhe është kryesisht kundër interesave të saj. Gjermania duket se po luan në mënyrë oportuniste. Nga njëra anë, ajo është një mbështetëse e iniciativës dhe dëshiron të realizojë interesat e saj përmes tij, por brenda kornizës së politikës së BE-së, kurse nga ana tjetër, ajo përdor iniciativën për të krijuar një pozicion më të mirë në negociatat me Rusinë dhe Kinën

Efektet mbi vendet e Ballkanit Perëndimor

Meqenëse Kroacia është një nga nismëtarët e iniciativës, si dhe të projekteve të planifikuara në atë vend, kjo sigurisht do të shkaktonte një shqetësim në Beograd, pasi do të sfidonte rolin e Beogradit si një “udhëheqës në rajon”. Përveç Kroacisë, këtu është edhe Sllovenia. Gjithashtu, Beogradi, dëshiron apo nuk dëshiron, nuk do të jetë në gjendje t’i hyjë kësa aventure, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të tij të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Prandaj, është vetëm çështje kohe para se ta kundërshtojnë këtë ide. Përveç Rusisë, Beogradi mund të gjejë një partner oponence te Turqia, pasi siç qëndrojnë gjërat, një zhvillim i tillë nuk do t’i shkonte për shtati as Ankarasë, kryesisht për shkak se ata po veprojnë gjithnjë e më shumë në mënyrë që të imponojnë ndikimin e tyre në Ballkan.

Situata tjetër që shqetëson Ankaranë është hipotetike – nëse vendet anëtare të 3SI, si dhe vendet e Ballkanit, arrijnë të bëhen plotësisht ose pjesërisht energjetikisht të pavarura nga gazi rus, ndërtimi i mundshëm i korridoreve të reja do të anashkalonte Turqinë, duke e përfshirë më pak në projektet e mëdha ekonomike dhe zhvillimet gjeopolitike në të ardhmen.

Për shkak të pozitës së saj gjeografike, pas Ukrainës, Maqedonia do të jetë një nga vendet që do të jetë më në qendër të konfliktit të interesave. Pozicioni qendror i Maqedonisë në Ballkan është thelbësor për sa i përket infrastrukturës rrugore dhe kalimit të korridoreve të rinj të mundshëm të energjisë. Kështu, blloku perëndimor i vendeve dëshiron të sigurojë që të mos ketë “surpriza” në Maqedoni, kurse ata që janë kundërshtarë do të dëshirojnë të imponojnë ndikimin e tyre.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të reagojnë dhe të merren me këtë çështje. Duket vendimtare për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që “lojtarët” e saj të kontrollojnë sistemin energjetik të vendit, veçanërisht naftën dhe gazin. Sipas një logjike, kjo siguresë duhet të jetë miratimi i Ligjit të famshëm për GA-MA. Ndër të tjera, Maqedonia duhet të sigurohet gjithashtu me energji përmes gazit nga Mesdheu Lindor, i mbështetur gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në rrafshin politik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbështesin Maqedoninë në kontestin me Bullgarinë, një mosmarrëveshje për të cilën Bullgaria duket se është nxitur nga dikush dhe një mosmarrëveshje që irriton Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse krijon probleme në krahun jugor të NATO-s. Këtë e konfirmoi një deklaratë e fundit për Zërin e Amerikës nga kongresmeni demokrat nga Karolina e Veriut, Dejvid Prajs (David Price).

“Pritjet për hyrjen e vendit në BE ishin menduar shumë vite më parë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes me Greqinë ishte një garanci se kjo do të ndodhte. U deshën shumë vite për të zgjidhur mosmarrëveshjen, dhe për fat të mirë ajo ishte zgjidhur. Kishte pyetje në lidhje me të gjithë procesin, të ngritura nga Franca dhe vendet e tjera, kurse tani kjo seri e kundërshtimeve nga Bullgaria. Natyrisht edhe pasiguria nëse Bullgaria do të ketë një qeveri që me vendosmëri do të vazhdojë me këtë politikë. Premtime i janë dhënë Maqedonisë Veriore për një kohë të gjatë. Vendosja e pengesave të reja tani është veçanërisht zhgënjyese edhe për vendin tonë, dhe natyrisht edhe për Maqedoninë e Veriut.”, deklaroi David Price.

Evropa është e vendosur të çlirohet nga fuqia e butë (energjia) e Moskës, madje edhe në fushën diplomatike dëshiron t’ia bëjë me dije se edhe për të do të ketë „vija të kuqe“. Siç qëndrojnë gjërat, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po shkojnë përsëri drejt një konfrontimi, veçanërisht për pozicionet në pjesë të caktuara të botës, të cilët mund të çojnë përsëri në një ftohje të marrëdhënieve. Qëndrim të tillë ka edhe Medvedev, që na bën me dije se e gjithë kjo situatë është shumë më serioze sesa duket sipërfaqësisht.

Kjo do të jetë një zhvillim ku fituesi mund të mos marrë gjithçka, por sigurisht që do të luajë sikur të ketë marrë gjithçka.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button