70 për qind e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë jashtë vendit

Fondacioni ‘Fridrih Ebert’ publikoi studimin “Rinia shqiptare 2011 me besim për të ardhmen dhe dyshim për të tashmen”, ku janë përfshirë grupmoshat nga 16-27 vjeç dhe ku janë pasqyruar mendimet e rinisë shqiptare për të sotmen dhe të ardhmen e afërt, bazuar tek një sondazh i gjerë në të gjithë territorin e vendit, shkruan Shqip.

Sipas këtij studimi, të rinjtë nuk duket se kanë ndonjë ndikim në rrjedhën e ngjarjeve, ndërsa shprehen skeptikë për shumicën e pyetësorit.

Sipas shifrave të studimit, 96% e rinisë shqiptare nuk kanë besim tek politika dhe drejtimi politik në vend, 70% e tyre duan të emigrojnë jashtë shtetit dhe 80% e rinisë shqiptare kanë shqetësim kryesor papunësinë dhe varfërinë.

Për drejtorin e fondacionit, ‘Friedrich Ebert’, i cili mundësoi edhe këtë studim, Frank Hantke, këto gjetje janë të habitshme për një vend demokratik, duke e quajtur jetën e rinisë shqiptare si skizofrenike.

“Rinia shqiptare mendon në mënyrë paralele, nuk ka besim tek politika por nga ana tjetër futen në parti sepse duan të zënë vende pune. Kjo tregon se çfarë probleme ka në Shqipëri, siç është papunësia. Lidhja me politikën shikohet si siguri për të ardhmen. Duhen planifikuar sa më parë politika dhe vende të reja pune, rinia duhet të jetë kryefjala e çdo gjëje, kjo është e çuditshme për një vend demokratik”, thotë ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button