Italianët janë larguar, kërkohet kontraktues i ri për të përfunduar ekspres rrugën Rankovc-Kriva Pallankë

Pasi u ndërpre kontrata me kompaninë italiane “Tirena Skavi”, për përfundim të ndërtimit të ekspres rrugës Rankovce-Kriva Pallankë në Korridorin 8 kërkohet kontraktues i ri. Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore ka shpallur tender ndërkombëtar për zgjedhjen e një kontraktuesi i cili do të përfundojë ndërtimin e pjesës parë prej 15.5 km nga Dllaboçica në Çatall. Dokumentacioni i tenderit është në dispozicion në Sistemin elektronik për prokurime publike, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndërtimi i lidhjes së re rrugore me Bullgarinë në gjatësi prej 25 km është i ndarë në dy nënseksione. Punët ndërtimore filluan më 22 qershor 2018, dhe premtimi i atëhershëm i qeverisë ishte që ekspres rruga me vlerë prej 58 milionë euro do të jetë gati deri në qershor të vitit 2021. Sidoqoftë, për tre vjet punë, kontraktuesi italian ka përfunduar vetëm rreth 30 përqind të trasesë, e cila është gjatë 15,5 km dhe që kontraktuesi i ri, i cili po kërkohet tani me tender ndërkombëtar, do të duhet ta përfundojë brenda 16 muajsh.

Kontraktuesi i ardhshëm i rrugës midis Dllaboçicës dhe Çatallit duhet të përfundojë punimet tokësore në vlerë prej mbi 1,5 milionë metra kub, për të realizuar punime të asfaltit dhe betonit të armuar për rrugën e ardhshme. Ofertat e ndërmarrjeve ndërtimore për këtë tender pritet të paraqiten më së voni deri më 18 qershor, e pas kësaj do të fillojë përzgjedhja e ofertuesit më të favorshëm.

Ndërkohë, konsorciumi nga Maqedonia, i ndërmarrjeve “Granit” dhe “Beton”, vazhdon realizimin e punimeve në nën-seksionin e ë dytë të ekspres rrugës Rankovce-Kriva Pallankë, në pjesën midis Kriva Pallankë dhe Dllaboçicës. Aktivitetet ndërtimore në këtë pjesë të rrugës së re, e gjatë gati 9 km, aktualisht nuk kanë vonesë dhe po zhvillohen sipas ritmit të planifikuar.

Ekspres rruga e ardhshme do të ketë nga një korsi për vozitje dhe nga një korsi ndihmëse për ndalim në secilin drejtim, gjë që do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Kumanovës dhe Kriva Pallankës. Ky projekt financohet nëpërmjet një kredie nga Banka Botërore.

Me përzgjedhjen e kompanisë së re që do të përfundojë ndërtimin e njërës nga dy pjesët e ekspres rrugës së re, tashmë është e sigurt që rruga midis Rankovcës dhe Kriva Pallankës nuk do të përfundojë këtë vit. Nga ana tjetër, nuk ka shpjegime për tërheqjen e ndërmarrjes italiane “Tirena Skavi” nga vendi, përveç se ata gjithashtu ndërtuan fazën e dytë të ekspres rrugës Gradsko-Prilep, në pjesën midis Gradsko dhe Drenovo. Ndërtimi i kësaj linje filloi në verën e vitit 2018, dhe në fund të vitit të kaluar, Ministri i transportit dhe lidhjeve Blagoj Boçvarski njoftoi se po ndërrohej kontraktuesi.

“Dua të informoj se për seksionin e parë Gradsko-Drenovo, Qeveria vendosi të marrë përsipër punimet e ndërtimit nga kontraktuesi aktual dhe në periudhën tjetër kjo pjesë do të ndërtohet nga një kompani tjetër që ka burime teknike dhe njerëzore për të përfunduar këtë pjesë në kohë”, tha Boçvarski më 30 dhjetor, 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button