Fitër Bajrami festohet në RMV dhe botën islame, gëzuar!

Besimtarët musliman, sot në mbarë botën e festojnë Fitër Bajramin, pas 30 ditëve agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit. Bota vazhdon në jetë në luftë me pandeminë COVID-19 dhe për këtë në disa vende, vazhdon që kjo ditë të festohet me kufizime të caktuara për të parandaluar shpërndarje e virusit korona. Në Maqedoninë e Veriut, për hir të festës janë hequr kufizimet, besimtarët duhet që t’i respektojnë masat anti-kovid, shkruan Portalb.mk.

Besimtarët sot në mëngjes, në ora 05:56, e kanë falur namazin e Fitër Bajramit. Pas faljes së namazi i Fitër Bajramit, myslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire. Sipas traditës myslimanët e festojnë këtë Bajram 3 ditë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, e shkurtoi orën policore, me çka iu lejua besimtarëve që të mblidhen nëpër iftare, ndërkaq për hirë të festës së sotme e ka shfuqizuar tërësisht. Gjithsesi, besimtarët duhet t’i respektojnë masat anti-kovid, gjegjësisht të mbajnë maska dhe distancë.

Pas një viti ndalesë për shkak të virusit, këtë herë Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut organizoi dhe programin tradicional në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, në të cilin u kënduan ilahi.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, me rastin e festës së Fitër Bajramit ka theksuar rëndësinë e kësaj feste duke nënvizuar se bëhet fjalë për një simbol të kryerjes së amanetit të besuar nga Zoti.

“Ky Ramazan i bekuar, ishte bashkë me ne në momentet më të vështira që solli sëmundja e rrezikshme Covid-19 dhe bashkëjetoi me ne gjatë tërë ditëve të agjërimit. Kjo bëri që të jetë një vlerë edhe më e madhe për besimtarin, sepse ne bëmë një luftë të dyfishtë, ajo kundër shejtanit të mallkuar dhe tjetra në përpjekjet tona për të dhënë kontribut në zbehjen dhe evitimin e prekjes nga virusi. Andaj, sot po i drejtohemi të Madhit Zot me lutje të pranojë agjërimin tonë, ibadetet tona, duatë tona, lëmoshat tona, të gëzojë zemrat e të gjithë njerëzve anembanë globit, t’i shpëtojë dhe t’i ngritë të dobëtit, t’i pajtojë zemrat e njerëzve me qëllim për të jetuar në paqe e harmoni, t’i shërojë zemrat dhe plagët e familjeve të viktimave që solli sëmundja e rrezikshme dhe të forcojë unitetin tonë për të mirën e familjeve tona, popullit tonë dhe gjithë gjinisë njerëzore”, thuhet mes tjerash në urimin e kreut të BFI-së, Shaqir Fetahu.

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet. Me shëndet!

Me rastin e Fitër Bajramit, redaksia e Portalb.mk, vizitoi xhaminë e Shkupit “Allaxha” e cila gjendet në afërsi të tregut të Bit Pazarit, për të diskutuar me hoxhën Llokman Kamberi në lidhje me Ramazanin, Fitër Bajramin dhe tema tjera. Festa e Fitër Bajrami është festë solidarizimi mes muslimanëve, ndërkaq vlera e humanitetit është e madhe. “Ai që ia shtrinë dorën fukarasë, Zoti ia shtrinë dorën ditën e gjykimit”, tha hoxhë Kamberi duke cituar fjalët e profetit Muhamed.

<em>Më poshtë mund ta shikoni intervistën e plotë me hoxhën Llokman Kamberi.</em>

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button