RMV, Fronti Qytetar: Të tërhiqet iniciativa për shitje të tokës bujqësore në pronësi të shtetit

Iniciativa “Fronti qytetar” ka dalë me reagim kundër iniciativës për shitje të tokës bujqësore që është në pronë të shtetit. Sipas tyre, ky ligj është në dëm të shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe nga ai, do të përfitojnë vetëm një grup i vogël i “oligarkëve”, transmeton Portalb.mk.

“Me shitjen e tokës shtetërore, shkatërrohet mundësia e vetme të dalim nga rrethi i varfërisë. Zgjidhja për dalje nga rrethi i varfërisë, është ndarja e tokës bujqësore gjithë qytetarëve të Maqedonisë në mënyrë të barabartë dhe fer. Në atë mënyrë do të krijojmë mundësi që qytetarët të kenë të ardhura të shtuara dhe të gjithë së bashku të dalim nga varfëria. Për këtë themi se kjo është një iniciativë e tmerrshme dhe për këtë vlerësojmë se, kjo iniciativë duhet të tërhiqet. Nëse Qeveria nuk e bën atë, u bëj thirrje deputetëve të refuzojnë të diskutojnë për një propozim ligj të tillë, ky nuk është opsion për neve, qytetarët e Maqedonisë. Kreatorët e kësaj ideje na bindim se me realizim, do të menaxhohet më mirë me tokën, do të ketë punësime dhe do të gjenerohen 300-500 milionë euro me të cilat do të kthehen një pjesë e kredive që i ka Maqedonia. Por kjo është qesharake përballë vlerës reale të tokës sonë, nuk guxojmë ta tëhuajësojmë atë resurs të rëndësishëm strategjik”, thanë nga Fronti Qytetar.

Ata vlerësojnë se, me miratimin e këtij ligji do të ketë edhe më shumë korrupsion dhe se qëllimi i vërtetë nuk është që bujqit të fitojnë tokë, por me këtë propozim ligj parashihet shitje të tokës edhe individëve dhe kompanive të huaja, “me prejardhje të dyshuar të parave dhe me qëllime të dyshimta”.

“Në shikim të parë, në tekstin e propozim ligjit, fitohet përshtypje si qëllimi të jetë që bujqit tanë të fitojnë pronë personale, me tokë të tyre bujqësore. Çmimi është vendosur nga 0.30 deri në 1 euro metër katror dhe mund të mendosh se ai është çmim i mirë dhe bujqit mund të blejnë tokë. Megjithatë nuk është ashtu, planifikohet shitja e sipërfaqeve të mëdha, kështu që sipërfaqja e madhe e tokës shumëzuar me çmimin e ulët jep një shumë të konsiderueshme të parave që financiarisht bujqit nuk do të mund ta paguajnë. Ato që do të dëshirojnë të blejnë tokë do të marrin kredi, të hyjnë në borxh. Rezultati i kësaj do të jetë që një pjesë e vogël, oligarkë të tranzicionit dhe të huaj do të grabisin tokën tonë. Grabitësit nuk do ta kenë të rëndësishëm që të prodhojnë ushqim për ne, pronësia private do t’u jep të drejtë që të prodhojnë atë që ata dëshirojnë. Ne do të duhet të importojmë ushqim jocilësor dhe të shtrenjtë që do të na fus në varfëri edhe më të madhe, në jetë edhe më të pashëndetshme, në pa perspektivë edhe më të madhe”, thanë nga kjo iniciativë.

Ministria e Bujqësisë ka përgatitur draft propozim për shtije të tokës bujqësore që është në pronë të shtetit. Ky tekst është dorëzuar në Regjistrin Nacional Elektronik dhe më pas pritet që të hyjë edhe në procedurë parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button