RMV, për një ditë u vaksinuan mbi 14.000 persona

Vaksinimi po zhvillohet në mënyrë të pandërprerë në të gjitha pikat e vaksinimit në tërë vendin, ndërsa deri më tani 318,793 qytetarë kanë shprehur interes për vaksinën përmes platformës vakcinacija.mk, transmeton Portalb.mk.

“Dozën e parë të vaksinës dje e morën 13,976 qytetarë, ndërsa dje janë vaksinuar gjithsej 14,976 qytetarë. Në të gjithë vendin, janë aplikuar gjithsej 160,425 doza, ndërsa janë rivaksinuar 24,851 qytetarë. Sipas shifrave të fundit, 35% e popullsisë mbi moshën 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine”, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksinimi kryhet në përputhje me planin kombëtar të imunizimit. Vaksinohen personat e rritur, qytetarët të cilët kanë shprehur interes për vaksinim në faqen e internetit vakcinacija.mk, ndërsa po vaksinohen edhe personat e punësuar në infrastrukturën kritike.

“Vaksinimi masiv zhvillohet në disa qytete të vendit edhe atë në qendrën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir dhe Ohër. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të regjistrohen masivisht në vakcinacija.mk, pasi është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për tu vaksinuar”, informojnë nga Ministria.

Kujtojmë se të premten në vend do të arrijnë 38.400 doza të reja të vaksinës “AstraZeneca”. Vaksinat janë të siguruara përmes mekanizmit Kovaks.

Deri më tani në vend janë vaksinuar 24.000 persona me vaksinën AstraZeneca mbi 60 vjeç nga dërgesa e parë që mbërriti më 28 mars  përmes mekanizmit Kovaks. Ndërsa, përmes programit të Kombeve të Bashkuara duhet të arrijnë gjithsej 100.000 doza të vaksinave. Por, edhe pse ishte e paralajmëruar në prill, u vonua për shkak të gjendjes me korona virusin në Indi, ku dhe ndodhet njëra nga fabrikat për prodhimin e vaksinës “AstraZeneca”.

Në vend vaksina AstraZeneca jepet vetëm te personat me moshë mbi 60 vjeç. Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se me AstraZeneca do të mund të rivaksinohen edhe qytetarët që kanë kaluar vaksinimin në Serbi, por vetëm më të vjetrit me moshë mbi 60 vjeç.

Për momentin në vend vaksinimi masiv kryhet me vaksinat “Sinofarm” dhe “Pfizer”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button