Tre subjekte në garë për blerjen e Vllaznisë, ja kur shpallet fituesi

Ditë mjaft të rëndësishme për Vllazninë, që përveçse është në garë për të fituar të dy trofetë e mundshëm sezonalë, pret të mësojë edhe pronarin e ri të klubit, vendim që mund të ndryshojë jo pak planet për të ardhmen, raporton SS.

Në ambientet e Bashkisë së Shkodrës është zhvilluar sot seanca e parë e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve të klubit të futbollit Vllaznia, ndërsa siç njoftohet në një komunikatë zyrtare, kanë marrë pjesë tre subjekte të interesuara.

Ofertat e tyre janë hapur ashtu siç e parashikon edhe legjislacioni për ankande të tilla dhe dokumentacioni është administruar nga Njësia e Ankandit dhe protokolluar nga zyra përkatëse në Bashkinë e Shkodrës.

Në njoftim thuhet se më datën 19 maj do të vijë edhe përgjigja zyrtare mbi rezultatin e vlerësimit ligjor dhe financiar të ofertave, që do të zbulojë subjektin fitues të të drejtës për të blerë 100% të aksioneve të klubit shkodran.

Njoftimi i Bashkisë Shkodër:
Sapo ka përfunduar seanca parë e zhvillimit të procedurës “Shitje me anand të aksioneve të Klubit të Futbbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%.”.
Në këtë fazë ishin prezent të gjithë anëtaret e Njësise së Ankandit dhe subjektet e interesuara personalisht ose me përfaqësues.

Dorëzimi i zarfave të dokumentacionit të ofertuesve u administrua nga Sektori i Protokollit në Bashkinë Shkodër në zbatim të afatit të përcaktuar: Data 11.05.2021 ora 10.00.

Në këtë seancë Njësia e Ankandit hapi dhe lexoi ofertat, në përputhje me nenin 35 të ligjit “Për ankandin publik” dhe me përcaktimet në rregullat e ankandit publik si dhe, bëri administrimin e dokumentacionit të subjekteve ofertues pjesëmarrës.

Të gjitha veprimet u shënuan në proçesverbalin përkatës të zhvillimit të ankandit ku u pasqyruan të gjitha dokumentet që shoqërojnë ofertën për secilin subjekt ofertues.

Në procedurën “Shitje me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%”, morën pjesë 3 subjekte ofertuese.
Njësia e Ankandit vuri në dijeni përfaqësuesit e subjekteve ofertuese që më datë 19.05.2021, ora 10.00, do t’u komunikohet rezultati i vlerësimit të dokumentacionit ligjor dhe ofertës ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button