fbpx

Shekerinska: Çekia dhe Maqedonia e Veriut e ndajnë vizionin për një Ballkan stabil

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, duke theksuar se Çekia dhe Maqedonia e Veriut e ndajnë vizionin për një Ballkan stabil, tha se receta për këtë është edhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Mbrojtjes i Republikës Çeke, Lubomir Metnar, sot qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ministri Metnar u prit nga ana e ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, në pllajën para Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas takimit kokë më kokë të dy ministrave dhe takimit të delegacionit maqedonas dhe çek, u mbajt konferencë e përbashkët shtypi.

Shekerinska, duke theksuar se gjatë tre viteve kanë pasur bashkëpunim intensiv mbrojtës me Çekinë, tha se ky bashkëpunim është zhvilluar veçmas në pjesën e shërbimeve për siguri dhe zbulim.

Duke theksuar se në takimin e sotëm është biseduar edhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, që u realizua me ndihmën e Republikës Çeke, Shekerinska tha se qëllimi i dytë strategjik i vendit është fillimi i negociatave për Bashkimin Evropian (BE).

“Republika Çeke dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vizionin për një Ballkan stabil. Nëse dëshirojmë të zhvillojmë një Ballkan stabil, receta është fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut”, tha ministrja Shekerinska.

Mes tjerash, ministrja Shekerinska shprehu mirënjohje të madhe për mbështetjen e vazhdueshme publike, të qartë dhe shumë të drejtpërdrejtë të Republikës Çeke, vitin e kaluar në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në konferencën për shtyp, ministri i Mbrojtjes i Republikës Çeke, Lubomir Metnar, theksoi se Maqedonia e Veriut është një partner shumë i rëndësishëm për Republikën Çeke, duke shtuar se Ballkani Perëndimor për Çekinë paraqet prioritet afatgjatë të politikës së jashtme.

Metnar shprehu bindjen e tij se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të forcojë stabilitetin në gjithë rajonin dhe se Republika Çeke mbështet fuqimisht hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

I pyetur në lidhje me ndarjen e mundshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, ministri Metnar theksoi se Republika Çeke mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ai nuk ndan idetë rreth pozitës historike të Bullgarisë.

“Republika Çeke mbështet hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE, sigurisht që do të dëshironim që ky proces të ketë një ritëm më të shpejtë. Ajo që biseduam me ministren është se duke pasur parasysh pasojat historike, ofrova ndihmë në komunikim dhe nëse ka interes, ne mund të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut me përvojat tona. Sa i përket aspekteve historike, Republika Çeke gjithashtu kishte probleme me këtë. Unë mund të them se ne mbështesim Maqedoninë e Veriut, nuk i ndaj idetë për pozicionin historik të Bullgarisë”, tha Metnar.

Duke u përgjigjur në pyetjen e njëjtë, ministrja e Mbrojtjes Shekerinska theksoi se mungesa e qeverisë politike me kapacitet të plotë në Bullgari është faktor i cili do të ndikojë në proceset, por theksoi se kjo nuk duhet të ndikojë në angazhimin e Shkupit për arritjen e qëllimit.

Në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit të Mbrojtjes së Republikës Çeke sot u nënshkrua edhe Memorandum për Mirëkuptim për Bashkëpunim Teknik mes Ministrive të Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Çekisë.​​​​​​​

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button