Ligji për librat digjital me flamur evropian ende s’ka arritur në Komision (Dokument)

Ligji për libra dhe materiale të tjera didaktike, i cili parashikon digjitalizimin e librave, pasi është kthyer nga Kuvendi, i njëjti do të rikthehet këto ditë, por jo në Komisionin për Arsim dhe Shkencë, por në Komisionin për Çështje Evropiane, pasi i njëjti do të dërgohet me flamur evropian. Kjo do të thotë që opozita s’mund ta bllokojë ligjin me amendamente dhe diskutime pafund ndaj të njëjtave, njofton Portalb.mk.

Kryetarja e Komisionit për Arsim dhe Shkencë në Kuvend, Zhaklina Llazarevska në një deklaratë për Portalb.mk, deklaroi se pasi të rikthehet ligji në Kuvend, i njëjti do të kalojë nëpërmjet Komisionit për Çështje Evropiane.

“Propozim-ligji erdhi te ne po u tërhoq, sipas rekomandimeve të SÇE-së, Qeveria e ka miratuar, ndërkaq procedura në Kuvend do të vazhdojë, jo në Komisioni për Arsim dhe Shkencë, por në atë për Çështje Evropiane, pasi që i njëjti është me flamur evropian. Edhe Ministria ka dhënë sqarime se është harmonizim me standardet evropiane për shtypjen e librave në arsim dhe digjitalizimin që është prioritet në të gjitha fushat, por edhe arsimi në Parlamentin Evropian për ata, por edhe për të gjithë që pretendojnë për Evropë. Kjo nuk do të thotë që ne në komisionin tonë nuk do të hapim debat të caktuar në lidhje me ligjin. Do të marrim pjesë edhe në Komisionin për Çështje Evropiane, edhe me diskutime, vërejtje apo propozime për përmirësim të tekstit”, deklaroi Llazarevska.

Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Komisionit për Çështje Evropiane, në një deklaratë për Portalb.mk, konfirmoi se ende nuk ka arritur deri tek ata ky propozim-ligj.

“Nuk ka ardhur, i kam porositur shërbimet që janë përgjegjëse për komisionin tonë parlamentar që në momentin që vjen ky propozim-ligj menjëherë të më informojnë, por ende nuk më kanë informuar”, thotë Snopçe.

Nga MASH, për Portalb.mk, deklaruan se i njëjti është dorëzuar në procedurë kuvendore.

Kalimi i propozim-ligjit nëpërmjet Komisionit për Çështje Evropiane, parandalon bllokadën nga amendamentet e shumta që mund t’i dorëzojë opozita, pasi që sipas procedurës diskutimi në Komision zgjat dy ditë dhe menjëherë pas kësaj propozim-ligji shkon në seancë plenare, ku pas diskutimit hidhet në votim.

Portalb.mk e ka siguruar propozim-ligjin për librat

Përndryshe digjitalizimi i librave shkollorë ka ngritur polemika të ndryshme. Në Facebook është hapur një grup me emrin “Libra dhe mësim patjetër të ketë” i cili ka afër 76.000 anëtarë të cilët janë kundër këtij propozim ligji. nëpërmjet këtij grupi u organizua edhe bojkoti i mësimit. Gjatë ditës së djeshme partia në pushtet, LSDM ka akuzuar se opozitarja VMRO-DPMNE, qëndron mbrapa bojkotit të mësimit, i cili është organizuar nga një grup i prindërve. Sipas tyre, krijues i grupit në FB është Dragana Spasevska, dhe ajo është anëtare e VMRO-së. Spasevska, të cilës i nxorën fotografi ku ajo kishte marrë pjesë në mitingjet e opozitës, nëpërmjet Fejsbukut tha se ka dhënë dorëheqje nga partia, madje tha se derisa ka qenë në parti “kam humbur kohë të shtrenjtë” dhe e quajti diskriminim.

Kërkesat e iniciativës

  • Librat e shtypur të mbeten në përdorim për të gjitha klasat në shkollën fillore dhe të mesme
  • Të shfuqizohet arsimimi gjithëpërfshirës gjinor sensitiv për nxënësit e shkollave fillore
  • Etika e religjioneve të mbetet lëndë zgjedhore
  • Të mos bashkohen dy ose më shumë lëndë në një,
  • Të argumentohet shkurtimi i fondit të orëve për disa lëndë
  • Të krijohen kushte përkatëse për gjithëpërfshirje të fëmijëve me pengesa
  • Të krijohen protokolle për mësim me prani fizike në kushte të pandemisë
  • Përfaqësuesit tanë dhe të sektorit civil të marrin pjesë në grupin punuese për ndryshimin e ligjit

Sot, nga iniciativa qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë” kanë paralajmëruar organizim të protestave nëpër vend, por edhe “Marsh të qetë’ në Shkup, pasi që sipas tyre, nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me kërkesat e tyre të dorëzuara dhe biseduara në takimin e punës të mbajtur më 6 maj. Por, MASH ka reaguar, duke theksuar se ata janë përgjigjur publikisht dhe në mënyrë transparente ndaj kërkesave që i ka dorëzuar ky grup. Ministria, nëpërmjet kumtesës i publikoi madje edhe përgjigjet ndaj kërkesave që i ka dorëzuar iniciativa qytetare.

Nga ana tjetër kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Blendi Hodai edhe pse nuk është pjesë e organizatorëve të bojkotit, paraprakisht u shpreh se nuk janë kundër digjitalizimit, por se është një proces i vështirë për vendin tonë, që e pamë gjatë pandemisë dhe mësimit onlajn.

Ndërkohë disa mendojnë se digjitalizimi do t’i bëjë më të varur fëmijët ndaj pajisjeve teknologjike. Megjithatë Ministria e Arsimit vlerëson se nuk është një trend, por një nevojë reale e nxënësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button