BERZH-i, me kredi prej 1 milion euro, vazhdon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në RMV

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vazhdon me mbështetjen e Programit të Konkurrencës së NVM-ve në Maqedoninë e Veriut duke siguruar kredi prej 1 milion € për Sparkasse Leasing doo Shkup për kreditim të mëtutjeshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), transmeton Portalb.mk.

“NVM-të do të mund të aplikojnë për fonde të destinuara për investime në përditësimin e tyre, me qëllim që të arrijnë standardet e BE-së, cilësinë dhe sigurinë e produktit, shëndetin dhe sigurinë dhe efikasitetin energjetik. Këtu përfshihen investimet në teknologji, pajisje, automjete, etj. Pritet që të paktën 60 përqind e investimeve të jenë në teknologjitë e gjelbra dhe efikasitetin energjetik. Pas përfundimit të suksesshëm të investimit, NVM-të do të mund të kualifikohen për kthim të fondeve,  gjegjësisht grant në shumën prej 15 përqind të shumës totale të kredisë”, thuhet në deklaratë.

Kjo mbështetje është siguruar nga Bashkimi Evropian. Kredia është pjesë e Programit për mbështetje të konkurrencës së NVM-ve në Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit BERZH-i siguron hua, ndërsa Bashkimi Evropian ofron ndihmë teknike dhe grante. Qëllimi është të ndihmojë NVM-të të modernizojnë aktivitetet e tyre dhe të kapin mundësitë për rritje të tregtisë me Ballkanin Perëndimor dhe tregun më të gjerë evropian.

Andy Aranitasi, Përfaqësuesi i BERZH-it për Maqedoninë e Veriut, tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë baza e ekonomisë në Maqedoninë e Veriut dhe u goditën veçanërisht nga kjo krizë.

“Linja kreditore do t’i lejojë të investojnë në konkurrencë dhe të forcojnë qëndrueshmërinë, e cila do t’i ndihmojë të dallohen në tregun vendas, por edhe do t’i rrisë shanset eeksport në vendet e BE-së”, shtoi Aranitasi.

Euroambasadori David Gir theksoi se aksesi në financa është baza për zhvillimin e çdo NVM-je.

“Mbështetja që ne ofrojmë jep mundësi për përmirësim të aktivitetet e biznesit në drejtim të përmirësimit të rrjeteve dhe përmirësimit të punës. Do të ndihmojmë në investim, në përditësime digjitale dhe do të përdorim burimet në mënyrë më të qëndrueshme, duke rritur performancën mjedisore dhe duke përmirësuar më tej konkurrencën”, shtoi Gir.

BERZH-i është investitori kryesor institucional në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani ka investuar mbi 2.14 miliardë euro përmes 143 projekteve në vend. Banka përqendrohet në zgjerimin e sektorit privat lokal, promovimin e integrimit rajonal dhe ndërkombëtar dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button