RMV, paralajmërime për protesta në lidhje me digjitalizimin e librave

Nga iniciativa qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë” sot kanë paralajmëruar organizim të protestave nëpër vend, por edhe “Marsh të qetë’ në Shkup, pasi që deri në fund të ditës së sotme, ata nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me kërkesat e tyre të dorëzuara dhe biseduara në takimin e punës të mbajtur më 6 maj me përfaqësuesit e MASH-it. Ata thonë se nuk e kanë marrë as procesverbalin nga takimi në pajtueshmëri me atë që janë marrë vesh me përfaqësuesit e MASH-it, njofton Portalb.mk.

Në kumtesën e dërguar shtohet se ata do të mbeten të qëndrueshëm ndaj premtimeve para qytetarëve dhe do të vazhdojnë të luftojnë kundër Ligjit për Libra dhe Materiale Mësimore në Shkollat Fillore dhe të Mesme. Më shumë informata për ngjarjet e ardhshme nga kjo iniciativë paralajmërojnë gjatë ditës së nesërme. Epilogu i këtillë vjen pasi që përfaqësuesit e MASH dhe iniciativa qytetare janë takuar më 6 maj, pas së cilës erdhi deri te ndërprerja e mësimit.

Pas kësaj, ka reaguar MASH, duke theksuar se ata janë përgjigjur publikisht dhe në mënyrë transparente ndaj kërkesave që i ka dorëzuar ky grup. Ministria, nëpërmjet kumtesës i publikoi madje edhe përgjigjet ndaj kërkesave që i ka dorëzuar iniciativa qytetare.

Nga MASH thonë se Ligji për Libra dhe Materiale Arsimore për Shkolla Fillore dhe të Mesme është tanimë i dërguar në Kuevnd dhe përmbajtja është tërësisht e harmonizuar me dokumentet strategjike dhe rekomandimet nga ana e Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me arsimin dhe digjitalizimin.

“Në lidhje me akuzat për ndryshime të përshpejtuara, dëshirojmë të informojmë se plani për ndryshimet lidhur me arsimin në shkollat fillore, gjegjësisht punimin e Konceptit të ri për shkollim fillor, punimin e programeve arsimore dhe Ligjit për Libra dhe Materiale tjera Didaktike është parashikuar me programin për Qeveri edhe në mandatin paraprak dhe në aktualin, si dhe me Strategjinë për arsim 2018-2025, është i bazuar në rezultate nga analizat konkrete nga institucione kredibile ndërkombëtare siç janë OECD dhe UNICEF”, thonë nga MASH.

Motiv për ndryshimet janë edhe arritjet shumë të dobëta të nxënësve tanë në testimet ndërkombëtare si pisa dhe TIMSS, por edhe kërkesë e mësuesve, të shumë gjeneratave të nxënësve dhe prindërve të tyre të cilët tregojnë për dobësitë e sistemit nacional arsimor, përfshirë edhe mangësitë, palogjikshmëritë dhe përmbajtjet diskriminuese në libra, a ndaj gjitha atyre është bërë vetëm reformë e pjesshme, shtojnë nga MASH.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, mbrëmë në emisionin debutues në “TV Klan”, sqaroi se ndryshimet në sistemin arsimor nuk janë të përshpejtuara, por se janë të bazuara në Strategjinë për Arsim 2018-2025 e cila është miratuar kur ishte ministre Renata Deskoska dhe Ligjin për Arsim, i cili është miratuar kur ishte ministër Arbër Ademi. Ajo shton se me vite janë bërë analiza të arsimit, hulumtime të brendshme dhe të huaja, se çfarë sistemi arsimor na duhet.

“Koncepti i ri për arsim ka një qëllim kryesor – të sigurojë sistem të ri të mësimit dhe arsim të ri kualitativ, në pajtueshmëri me standardet botërore. As kemi qëllim shfuqizimin e përmbajtjeve mësimore, as librave, e aq më pak fondin e orëve. Të gjitha disiplinat shkencore mësohen edhe me konceptin e ri”, theksoi Carovska.

Ajo përsëriti se reforma do të zhvillohet në faza, a prej shtatorit do të fillojë faza e çarë – vetëm me klasat e katërta. Shteti nuk ka kohë edhe 10 vite të diskutojë nëse në klasë të parë do të aplikohet koncepti i ri.

“Shteti në një moment duhet të vendos dhe të fillojë me reformat. Nëse vetëm analizojmë, humbet mundësia për të hyrë në vendet e zhvilluara me sistem arsimor kualitativ”, theksoi ministrja.

Nga iniciativa kanë kërkuar që të ndalohet propozim-ligji, të hapet debat publik dhe të kyçen në reformat e reja arsimore, të cilat mes tjerash, parashikojnë digjitalizim të materialeve për mësim të cilat duhet të fillojnë prej vitit të ardhshëm shkollor. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë kanë përmendur se garantojnë se në asnjë rast nuk do të lejojnë që asnjë nxënës të mbetet pa libra, qoftë në formë elektronike ose të shtypur.

Përndryshe digjitalizimi i librave shkollorë ka ngritur polemika të ndryshme. Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Blendi Hodai edhe pse nuk kanë organizuar bojkot, paraprakisht u shpreh se nuk janë kundër digjitalizimit, por se është një proces i vështirë për vendin tonë, që e pamë gjatë pandemisë dhe mësimit onlajn. Ndërkohë disa mendojnë se digjitalizimi do t’i bëjë më të varur fëmijët ndaj pajisjeve teknologjike. Megjithatë Ministria e Arsimit vlerëson se nuk është një trend, por një nevojë reale e nxënësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button