fbpx

Urgjentisht duhet të zhbllokohet rruga evropiane, pa biseduar për identitetin maqedonas, paralajmëroi Zaev në takim me Sasolin

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, vazhdoi takimet me udhëheqësit e institucioneve evropiane, duke takuar edhe kryetarin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, ku u diskutua rruga evropiane e RMV-së, transmeton Portalb.mk.

“Në Bruksel jemi për të kërkuar që urgjentisht duhet të zhbllokohet rruga evropiane, por negociatat për identitetin maqedonas nuk janë opsion”, deklarojnë nga kryeministria.

Ndryshe, Zaev është i shoqëruar nga zv.kryeministri Nikolla Dimitrov dhe ministri Bujar Osmani, duke falënderuar vendet e BE-së për gatishmërinë për të mbajtur konferencën e përbashkët ndërqeveritare, që llogaritet fillim i procesit negociues.

“Zaev në takimin me Sasolin, theksoi se vizita e tij në Bruksel në ditët kur ministrat e punëve jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, sot po debatojnë në Bruksel për strategjinë e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor kishte për qëllim të dëgjohet mesazhi që maqedonasit dhe qytetarët e Maqedonisë Veriore nuk do të negociojnë identitetin e tyre dhe nuk do të lejojnë që kjo temë të vihet në tryezë për debat në emër të fillimit të negociatave me BE”, raportojnë nga kryeministria.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, sot realizoi takim edhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen dhe me eurokomisarin për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim të BE-së, OIiver Varheji, derisa është paralajmëruar takim edhe me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrel.

Portugalia, si kryesuese e Bashkimit Evropian, dhe Komisioni Evropian ende shpreson që deri në fund të presidencës Portugeze, 30 qershor, të mbahet konferencë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button