RMV, për eksport më të mаdh në tregun global, kompanitë do të hyjnë në bazën e të dhënave të furnitorëve nga Ballkani Perëndimor

Rreth 400 ndërmarrje të Maqedonisë nga të gjithë sektorët duhet të përfshihen në bazën e të dhënave të kompanive nga Ballkani Perëndimor gjatë procesit të krijimit të hartës së furnizuesve për depërtim më të lehtë në tregjet globale, njoftoi Tatjana Shterjova Dushkovska nga Oda Ekonomike, përfaqësuese e Forumit të Investimeve të Odës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Krijimi i kësaj harte të furnitorëve nga Maqedonia është pjesë e mbështetjes për furnitorët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Forumit investues të Odës, për përfshirjen e tyre në zinxhirët globalë të furnizimit.

Sipas Shterjova Dushkovska së pari në bazën e të dhënave, deri në korrik, duhet të hyjnë kompanitë nga industria e automobilave, kurse deri në fund të vitit edhe kompanitë nga industria e lehtë dhe ushqimore.

Në këtë bazë të të dhënave duhet të përfshihen edhe kompanitë nga ekonomia qarkore dhe me këtë do të kontribuohet në zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

“Baza e të dhënave do të përmbajë të dhëna për 2.000 furnitorë nga Ballkani Perëndimor, informacione për ndërmarrjet, produktet, proceset teknologjike, certifikatat, vendet ku ato eksportojnë, kapacitetet, potencialet, por edhe informacione për tregjet e mundshme. 60 kompani do të pranojnë mbështetje për digjitalizim dhe transformim digjital, mbështetje për propozim projekte për përdorimin e fondeve të BE-së” tha Shterjova Dushkovska.

Ajo vlerësoi se kompanitë nga rajoni ngecin në produktivitet, kapacitete dhe proceset e brendshme të prodhimit për t’iu përgjigjur furnitorëve të huaj.

Përmes kësaj harte ata do të marrin mbështetjen e nevojshme për ndërtim të kapaciteteve dhe optimizim të punës. Nga ana tjetër, partnerët e huaj kërkojnë kritere prapa proceseve të menaxhimit dhe përmbushje të afateve të dorëzimit.

Forumi investues i odave përfshin gjashtë oda tregtare nga rajoni, që synon të sigurojë eksport të përbashkët në tregun e BE-së dhe të përmbushë standardin e kërkuar të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button