fbpx

Rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut dhe botë, kërcënimi i vërtetë quhet kapitalizëm mbikëqyrës

Dallimet e padukshme në sjelljen tonë që janë pjesë e manipulimit psikologjik në rrjetet sociale, janë të shkaktuara nga kapitalizmi mbikëqyrës, i cili po minon kulturën demokratike dhe autonominë personale, raporton ResPublica.

Para më shumë se dy dekadave kishte filluar revolucioni digjital. Ndonëse pak njerëz do t’i kuptonin vërtet mënyrat në të cilat bota jonë duhej të ndryshonte, ekziston një konsensus i përbashkët që revolucioni digjital dhe projekti demokratik do të shkojnë dorë për dore. Fillimisht, platformat e mediave sociale, siç është Facebook, do të duhej të ishin forca lëvizëse, mbase edhe forca çliruese, e demokracisë në shekullin e njëzet e një. Ishte një argument i shpjeguar mirë – në fund të fundit, na u premtua një botë e re, një botë tjetër: qasje e pakufizuar dhe e barabartë në informacion, fuqizim qytetar dhe diskutim i fortë publik. Por, a ka ndodhur vërtet kjo?

Revolucioni digjital duhet t’i mbajë pasojat që ka shkaktuar

Bota jonë me të vërtetë ka ndryshuar. Por natyra e këtij ndryshimi, kur dikush e analizon atë, ishte në mënyrë tronditëse e paparashikueshme – mediat sociale morën plotësisht botën brenda pak vitesh. Kjo infrastrukturë masive virtuale, e cila dikur besonim se do të lehtësonte përhapjen e kulturës demokratike, sot promovon qëllimet e autoritarizmit, përhap dezinformimin, mbjell përçarje dhe rrit polarizimin. Ku duhet ta kërkojmë përgjegjësinë për këtë fenomen? Pa u menduar shumë, te krijuesit e këtyre mjeteve/veglave digjitale. Një shembull klasik i abuzimit me mediat sociale janë pikëpamjet e shprehura përmes cicërimave në llogarinë e Donald Trump (tani, një llogari e shuar përgjithmonë) në Twitter. Rregullimi i këtij profili është një hap në drejtimin e duhur, duke marrë përgjegjësi dhe duke iu përgjigjur si duhet pasojave.

Por pse Twitter ia hoqi platformën kryesore Trump-it? Rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA kanë shkaktuar pakënaqësi te Trump dhe mbështetësit e tij. Në fakt, ata donin të ndërprisnin numërimin e votave nga zgjedhjet, sepse pasi filloi numërimi i votave të dërguara me postë, ishte e qartë se Joseph Biden do të fitonte. Pra, edhe pse Biden u shpall president në 14 dhjetor, tashmë në 19 dhjetor Trump shkroi një cicërimë në Twitter duke bërë thirrje për një protestë për datën 6 janar: “Një protestë e madhe në Uashington. Ejani aty, do të jetë çmenduri! ” Brenda disa ditësh, ai shkroi dhjetëra cicërima të ngjashme duke bërë thirrje për protestë për shkak të “vjedhjes së votës”. Të ndikuar nga qëndrimet e Trump, në mediat sociale, supremacistët e bardhë – anëtarët e grupeve “Djemtë krenarë” (Proud Boys) dhe “Kuanon” (QAnon) u organizuan në Facebook për t’u dakorduar mbi detajet e prostestës. Më 6 janar, ato grupe hynë në Capitol Hill, duke krijuar kaos që rezultoi në mbylljen e Uashingtonit dhe me një rast vdekje. Në ditët në vijim, Facebook pezulloi profilin e Trump për një kohë të pacaktuar, Twitter e pezulloi atë përgjithmonë për shkak të thirrjes për dhunë, shkeljes së kushtetutës dhe bllokimit të transferimit të presidencës. Ky nuk është një rast i izoluar i përdorimit të mediave sociale për të ndikuar te qytetarët në një mënyrë negative dhe për të shtrembëruar të vërtetën. Pas ndërhyrjes në Parlament më 27 prill nga mbështetësit e VMRO-DPMNE-së, ish Presidenti Gjorgje Ivanov, ndërsa kërkonte drejtësi për të akuzuarit nga ajo ditë, akuzoi mediat se përmes mediave sociale ata po përhapnin lajme të rreme dhe ia njollosnin imazhin.

Ekzistojnë shumë shembuj të tjerë të abuzimit në të gjithë botën: Në Brazil, në mes të zgjedhjeve presidenciale, një grup biznesi përdori Whatsap si një medium për të filluar një fushatë dezinformimi që dëmtoi shanset e kandidatit të krahut të majtë dhe mundësoi Presidentin Jair Bolsonaro të shpallte fitore. Kohët e fundit, Wall Street Journal publikoi një raport që zbulonte bashkëpjesëmarrjen e Facebook në lehtësimin e ndarjes së komunave dhe nacionalizmit të mbushur me urrejtje në Indi – politikani i partisë Baratija Xhanata, T. Raxhaa Sing bëri komente fyese për myslimanët Rohinga. Personat zyrtarë në departamentin për Indinë thanë se ndëshkimi i sjelljes së politikanëve të partisë BJP do të dëmtonte suksesin afarist të Facebook në këtë vend. Keqpërdorimi i vrazhdë i Facebook si një platformë për përhapjen e dezinformatave dhe nxitjen e urrejtjes midis grupeve të ndryshme etnike mund të shihet gjithashtu edhe në Mianmar, ku Facebook pranoi se përfshirja e kompanisë ndihmoi në nxitjen e spastrimit etnik të myslimanëve Rohinga.

Manipulimi psikologjik i përdoruesve të rrjeteve sociale

Gjëja më e rëndësishme për t’u theksuar, megjithatë, është se këto ngjarje janë tregues i një ndryshimi masiv kulturor, ose ndoshta në shumë mënyra, madje edhe psikologjik dhe social që po ndodh pikërisht tani. Rrjetet sociale po abuzohen gjithnjë e më shumë, kështu që njerëzit që janë të ekspozuar ndaj informacionit që kanë për qëllim manipulimin hyjnë në një lloj komuniteti, një lloj baloni, të njerëzve me pikëpamje të njëjta. Të dhënat që dërgohen për çdo ditë në këto komunitete virtuale kalojnë nëpër “duart” e njerëzve të punësuar në kompanitë që krijuan këto rrjete sociale, në mënyrë që të „analizojnë dhe përmirësojnë përvojën e përdoruesit“. Në një botë utopike, të dhënat alarmante – gjërat që bëjnë thirrje për urrejtje, dhunë, krime – duhet të etiketohen menjëherë si të tilla dhe t’u dërgohet një raport institucioneve përkatëse për veprim të mëtejshëm. Në botën reale, kjo nuk ndodh – të dhënat nxirren për t’u ѕhitur reklamuesve, gjë që sjell më shumë fitim për rrjetin social. Shoshana Zubof (Shoshana Zuboff), një psikologe sociale, e quan këtë ndryshim masiv kulturor “kapitalizëm mbikëqyrës”. Kapitalizmi mbikëqyrës është në thelb një formë mutante e sistemit ekonomik që është i specializuar për gërmimin apo gjuetinë e të dhënave të njerëzve.

Të dhënat mbi sjelljen tonë – informacione që zbulojnë shprehitë, mendimet, marrëdhëniet tona shoqërore, dëshirat, madje edhe modelet e gjumit – në mënyrë efektive gërmohen dhe ѕhiten si produkti i synuar i ofertuesit më të lartë. Rrjetet sociale janë vetëm një pjesë e problemit më të madh – në vend që të përdoren për siguri më të madhe kibernetike dhe çrrënjosjen e dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, ata po manipulojnë psikologjikisht përdoruesit për interesat e tyre. Qëllimi është që të nxjerrim apo gërmojnë sa më shumë informacion nga përdoruesi, dhe pasi këto produkte parashikuese t’u ѕhiten reklamuesve, të dhënat pastaj përdoren për reklamim të synuar dhe forcim të përmbajtjes. Algoritmet me ndërgjegje të plotë mbledhin sasi të mëdha të të dhënave të përdoruesve që përdorin platformat e mediave sociale për t’i eksploatuar pikat dhe dobësitë tona më të ndjeshme individuale. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, algoritmet kanë përparuar deri në pikën ku reklamat e shënjestruara dhe personalizimi i përmbajtjes ndikojnë në mënyrë subjektive në mendimet, sjelljet dhe vendimmarrjen tonë.

Ndjenja perceptuese e ndikimit që shoqëron lëvizjen dhe klikimin tonë të dyfishtë është e rrezikshme. Megjithëse është një iluzion, është një mendim ngushëllues: lajmet dhe artikujt e dikujt në internet janë pasqyrim i prirjeve të tyre ideologjike dhe një përfaqësues i autonomisë së tyre. Në realitet, sidoqoftë, thjesht nuk është kështu. Algoritmet na robërojnë në dhomat ideologjike dhe krijojnë realitete të personalizuara që forcojnë perceptimet tona për botën. Një shembull i kësaj është mënyra se si rrjetet sociale krijojnë një ndjenjë të sigurisë dhe përkatësisë ndaj anëtarëve të tyre. Duke i ekspozuar me të njëjtit lloj fotografish, reklamash dhe qëndrimesh, ato eliminojnë mundësinë e diskutimit dhe izolojnë mendimet ndryshe. Kjo përshkallëzon polarizimin politik, lehtëson fragmentimin e shoqërisë dhe mjegullon dallimin midis së vërtetës dhe trillimit.

Ne po e humbim „unin“ tonë dhe po bëhemi një produkt me çmim të lirë

Sidoqoftë, ky është vetëm fillimi i problemit. Këto janë vetëm efekte, në rastin më të keq, manifestim i një dileme më të madhe, më të përhapur, e cila shpesh kalon pa u vënë re. Ne nuk jemi më në gjendje të bëjmë dallimin midis ideve ose vendimeve që janë tonat dhe atyre që janë të rrënjosura tek ne për t’i shërbyer interesave të kompanive reklamuese. Sa herë e keni vërejtur që nëse flisni për një temë të caktuar dhe telefoni juaj është afër jush, pas një kohe do të shfaqet një reklamë në Facebook, Instagram ose Twitter për atë temë? Edhe para se ta kuptojmë, ne, respektivisht ndryshimi i padukshëm në sjelljen tonë, bëhet produkt. Ajo që ka humbur në këtë transaksion manipulues është e drejta jonë për një kohë të ardhshme. Ne nuk mund ta imagjinojmë më të ardhmen dhe të projektojmë veten në të. Vullneti ynë i lirë, mendimi kritik dhe gjykimi moral janë nën hijen e modifikimit të sjelljes, karakteristike për kapitalizmin mbikëqyrës. Ky rrëmbim i vullnetit të lirë dhe të ardhmes sonë kolektive gërryen kulturën demokratike në thelbin e saj. Dhe me çfarë çmimi bëhet e gjithë kjo? Me një çmim prej një dollar! Kjo ndodh në një proces të quajtur „ankand në kohë reale“, ku derisa të shfaqet faqja plotësisht, serveri tashmë ka kërkuar hapësirë ​​për reklama falas, ѕhitësi ka lexuar “cookies” që përmbajnë të gjitha të dhënat në lidhje me aktivitetin tonë në internet, kështu që serveri e ka gjetur një reklamë përktëse dhe ka dhënë në ankand, kurse ѕhitësi e ka pranuar atë nëse ka çmimin më të lartë.

Rrjetet sociale duhet të rregullohen

Skeptikët mund të thirren me naivitet në mbrojtjen e lashtë se duhet të bëhet një dallim midis platformës dhe përdoruesit. Është koha për të kuptuar përmasat e krizës me të cilën përballen shtetet demokratike. Platformat e mediave sociale kanë fuqinë të ndikojnë në zgjedhje, të lëkundin opinionin publik dhe të formësojnë preferencat dhe perceptimet e konsumatorëve. ndikojnë në zgjedhje, formësojnë preferencat dhe perceptimet e konsumatorëve. Duke pasur parasysh madhësinë e këtij ndikimi, i vetmi entitet i zbatueshëm të cilit mund t’i atribuohet përgjegjësia është vetë platforma. Alternativa është vendosja e barrës së përgjegjësisë mbi individin. Sidoqoftë, të kërkosh përgjegjësinë e individëve pa një mekanizëm të vendosur rregullator është plotësisht e panevojshme. Vetë bota jonë fizike është e rregulluar nga sisteme ligjore të përcaktuara mirë që promovojnë përgjegjësinë individuale kur shkeljet shoqërohen me pasoja. Mospërputhja irracionale midis nocioneve tona të rregullimit, ligjit dhe llogaridhënies në botën reale dhe hapësirave virtuale duhet të hiqet.

Kur bëhet fjalë për përgjegjësinë, ne duhet të ndalemi për të marrë parasysh konotacionet e fjalës “platformë”. Kjo fjalë përqafon një nocion të pasivitetit që përjashton kompanitë e mediave sociale nga përgjegjësia. Kjo dukshëm paraqet keq natyrën e brendshme të kompanive të rrjeteve sociale, të cilat në mënyrë aktive dhe me vetëdije i trajtojnë, përhapin dhe synojnë ato. Është kritike të rivlerësohet gjuha që përdorim për të përshkruar këto platforma, pasi kjo ndikon në perceptimin më të gjerë. Ndoshta, ato mund të shihen si “institucione” në vend si platforma, sepse kjo do të kapte saktësisht shkallën dhe ndikimin e tyre.

Çdo përpjekje për të qeverisur dhe rregulluar institucionet e mediave sociale duhet të ketë njohuri për modelet e biznesit me të cilat ata punojnë. Qëllimet e tyre shpesh ekzistojnë për të rritur angazhimin, për të zgjeruar rritjen dhe për të rritur të ardhurat në kundërshtim të drejtpërdrejtë me demokracinë. Çdo formë e rregullimit do të duhet të korrigjojë stimujt financiarë deri në rrënjë. Në mënyrë që të sigurohet mbijetesa e demokracisë ose e këtyre institucioneve, është e rëndësishme që modeli i fitimit të zhvillohet në mënyrë të tillë që të vlerësojë sigurinë dhe privatësinë e të dhënave të përdoruesit aq sa të ardhurat e reklamuesit. Është thelbësore që ne të fillojmë të zhvillojmë legjislacion dhe mekanizma rregullues që janë të vetëdijshme për përmasën dhe ndikimin e kapitalizmit mbikëqyrës. Këto institucione u rritën kaq shpejt dhe u rrënjosën aq shumë në jetën tonë sa asnjë subjekt i vetëm – madje as vetë institucionet, qeveritë ose publiku – nuk ushtron kontroll të plotë mbi to. Si shoqëri, kemi arritur në pikën kur i kemi pranuar këto teknologji me një farë pamaturie që nuk respekton rreziqet dhe implikimet ekzistenciale që ato mund të kenë.

Kërkesa për një transparencë dhe përgjegjësi më të madhe garanton progres

Ne duhet të pamundësojmë aftësinë e institucioneve që të mbledhin të dhëna, të ndajnë shërbimet e tyre dhe të angazhohen për ligje të monopoleve që rikthejnë ekuilibrin dhe konkurrencën e shëndetshme në industrinë e monopoleve. Kohë më parë, Shtetet e Bashkuara inicuan tre procese gjyqësore kundër Google për mosbesim ndaj veprimeve të kompanisë kundrejt përdoruesve të saj. Këto raste synojnë të privojnë kompaninë nga pozicioni i saj si monopol në tregun e reklamave dhe janë një hap në drejtimin e duhur. Por, rruga drejt një kërkese konstruktive dhe të rregulluar ligjërisht për përgjegjësi të këtyre kompanive është tepër larg. Mekanizmat tanë të zbatimit duhet të jenë të jashtëm dhe të pavarur, pasi është vërtetuar qartë se vetë-rregullimi është i qëndrueshëm, por pa u çuditur, shumë joefektiv. Ne kemi nevojë për organe të pavarura, me autoritet të konsiderueshëm dhe ekspertizë ligjore dhe teknologjike, për të ruajtur mbikëqyrjen e rreptë ndaj këtyre institucioneve.

Një parakusht për këto lëvizje të mëdha strukturore është një ndryshim ligjor në politikë dhe modelin e biznesit. Është thelbësore të inkurajohet dialogu publik dhe përmes tij palët e interesuara të angazhohen për një legjislacion që i jep të drejta dhe mbrojtje më të madhe digjitale individit. Publiku duhet të kuptojë plotësisht natyrën e kudondodhur të kapitalizmit mbikëqyrës, si dhe efektin e tij gërryes mbi demokracitë dhe vullnetin tonë të lirë. Na duhet një valë ndryshimesh e opinionit publik. Kjo fillon me emërtimin dhe identifikimin e problemit. Pastaj, ne mund të mendojmë për përmirësimin e sistemeve të arsimit publik që përqendrohen në shkrim-leximin mediatik, etikën dhe teknologjinë. Këto janë ndryshime që janë thelbësore për t’u zbatuar në afatin e parashikuar. Në fund të fundit, të gjitha këto ndryshime çojnë në një qëllim të përbashkët, të fundit – ne duhet të krijojmë një kulturë në të cilën ne perceptojmë, trajtojmë dhe rregullojmë mjediset tona të informacionit në të njëjtën mënyrë si ne i trajtojmë mjediset tona fizike, duke investuar në zhvillimin e tyre dhe duke u përpjekur të praktikojmë menaxhimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button