RUTINIZIMI I VDEKJES (I)

“Memento mori” (*)
“Huve’l-bākī” (**)

“Përkujtoje vdekjen!”(*), është një shprehje e latinëve të vjetër. “Vetëm Ai është i përhershëm” (**) – shkruan mbi gurët e varreve osmane. Refreni i mirënjohur i këngëtares turke me prejardhje shqiptare, Candan Erçetin, thotë: : ”Në këtë botë gjithçka pos vdekjes është rrenë!” (Dünyada ölümden başkası yalan) Në kohën e pandemisë aktuale kanë ndryshuar shumë gjëra, shumë shprehi, shumë sjellje tonat. Ndryshe frymojmë, keqaz ndjehemi, ditë për ditë përcjellim njerëz, jemi bërë sikur ecim mbi litar, si akrobatë që lëvizin mes jetës dhe vdekjes. Këtë radhë, këta që ikin në botën tjetër edhe i mediatizojmë, i publicizojmë. Çdo ditë s’mund të hapësh rrjetet sociale e të mos vëresh pasazhin hyjnor “Të Zotit jemi, te Ai kthehemi”, forma të shprehjes së dhimbjes si “S’ishte koha të ikje…”, “S’e besoj se s’do të jesh më me ne!”, e shumë të tjera që janë bërë zakon brenda këtyre më pak se dy viteve që jetojmë me Covid-19. Pra turbulencat ndryshojnë perceptimin për gjërat, por kësaj i shtohet teknologjia informatike, del një produkt sui generis. Gjithë kohën në skenë vdekja, që është bërë përcaktuese e përditshmërisë sonë. Bile edhe në shtëpi kur kthehem nga puna, brifing nga nëna: “Sot 32 të vdekur n’Maqedoni” tha TV-ja; “Sot 41”, ditën tjetër rrëfen bashkëshortja. “N’Indi shumë keq, vdekje masovike.” Sikur s’ka mbetur jetë dhe gjallni në mesin tonë. Shikuar sociologjikisht jemi shndërruar në shoqëri të vdekjes, të Thanatosit.

Dhe një ditë i ndikuar nga “mbresat” vdekjeafirmuese, nisën të më vërtiten në kokë rutina, rutinizimi, një shprehje e Max Weberit “rutinizimi i karizmës” (Verwalltäglichung des Charisma). Kështu lindi edhe titulli i këtij shkrimi. Rutina paraqet një tërësi të aktiviteteve të zakonshme, të pandryshueshme ose të kryera në mënyrë mekanike, kurse rutinizimi nënkupton shndërrimin e diçkaje në procedurë të zakonshme (habitual). Rutnizimi i karizmës nënkupton transformimin e pushtetit karizmatik në pushtet tradicional ose racional.

Qytetërimi modern u mundua ta largojë vdekjen, ta eliminojë atë, ta bëjë njeriun të pavdekshëm, të përjetshëm, të gjejë sekretin e pavdekësisë, por deri më sot kot. U mundua që ta marginalizojë atë, ta qesa mënjanë, ta bëjë atë të padukshme, të ndërtojë një shoqëri që, siç shprehet Robert Kastenbaum (2016), kurrë s’e përmend vdekjen (never-say-die society), një shoqëri të shpërfilljes së vdekjes (death avoidance), që mëson se vdekje ekziston, por jo këtu, jo tani, dhe sigurisht, jo për ne (not here, not now, and surely not for us). Kjo është shoqëria që s’mendon rreth vdekjes, ku vdekja është çuar tejandej, ku edhe doktorët, psikologët dhe punëtorët socialë nuk janë ndihmuar të kuptojnë ndjenat rreth vdekjes së vet. Njeriu bashkëkohor është rritur me këtë filozofi jete. Me formulën: “Shfrytëzoje çastin!” Kënaqu, merr sa të mundesh nga kjo botë, injoro fundin e pashmangshëm. Kultura tradicionale e mësonte njeriun që “të vdesë para vdekjes”, kurse moderniteti premtonte eternalitet human. Një qytetërim i tërë  u ndërtua për ta harruar vdekjen – shprehet një shkrimtar amerikan.   Por “engjëlli i vdekjes gjithnjë ka qenë në veprim”. Prej kur është kurdisur kjo botë, çdo ditë vdekje. Në përmasa globale çdo vit vdesin rreth 56 milionë njerëz, pjesa dërrmuese e tyre në vendet e zhvilluara. (Clark et al., 2017) Vdekja është stëraktualizuar në veçanti tani, në kohë pandemie. Atë e ndjejmë më afër se çdoherë, sepse virusi për disa ditë, prej këndej mund të na çojë andej. “Vdekja, sëmundja më tmerruese, s’është asgjë për ne, derisa ekzistojmë, përderisa nuk është me ne, por kur vjen, ne s’jemi, s’ekzistojmë” – thotë Epikuri. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button