Zaev dhe Bërns në Vratnicë të Tetovës u përkulën para monumentit të pesë pilotëve amerikanë

Me rastin e 9 majit, Ditës së Fitores mbi Fashizmin në Luftën e Dytë Botërore, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, së bashku me ambasadoren e SHBA-ve në vend, Kate Mary Burns dhe përfaqësuesit e Lidhjes së Veteranëve u përkulën përpara monumentit të ngritur për nder të pesë pilotëve amerikanë, në fshatin Vratnicë të Tetovës, njofton Portalb.mk.

Dy prej tyre humbën jetën kur më 26 gusht 1944, avioni i tyre u rrëzua nga forcat okupuese në territorin e Maqedonisë së atëhershme. Tre anëtarët e tjerë të ekuipazhit të bombarduesit amerikan “Liberator B-24 G”, me emrin e koduar “Dashuria Jonë”, e cila u godit dhe ra në shpatet e Malit Shar mbi fshatin Vratnicë, u shpëtuan dhe u evakuuan.

Zaev tha se veprimi për shpëtimin e tyre nga banorët e Vratnicës është një ngjarje e rrallë dhe e çmuar që konfirmon angazhimin e qartë dhe të palëkundur të popullit të RMV-së gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Përkujtimi i ngjarjes së 1944 në Vratnicë dhe përkujtimi i pesë pilotëve tashmë është pranuar si një nga momentet më simbolike të bashkëpunimit tonë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara,” tha Zaev.

Duke iu referuar bashkëpunimit të suksesshëm me Shtetet e Bashkuara, ai kujtoi aleancën zyrtare si anëtare të NATO-s dhe si vlerën e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik të vitit 2008.

Ambasadorja amerikane Bërns theksoi rëndësinë e ngjarjes së sotme dhe vendin ku u ngrit pllaka përkujtimore.

“Banorët, me një rrezik të madh personal dhe familjeve të tyre, ndihmuan tre të mbijetuarit poshtë malit dhe zhvarrosën trupat e dy të tjerëve dhe i varrosën. Ishte një veprim i thellë njerëzor për të cilin vendi im mbetet mirënjohës,” tha Bërns.

“Së bashku do t’i rindërtojmë ekonomitë tona, do t’i ringjallim partneritetet tona dhe do të mësojmë nga tragjedia, ashtu siç i përdorëm tmerret e Luftës së Dytë Botërore për të ndërtuar një rend të ri nga rrënojat e Evropës. Ky rend shërben si një gur themeli i stabilitetit dhe prosperitetit për këtë kontinent, i cili mbetet një partner i qëndrueshëm për Shtetet e Bashkuara. Më e rëndësishmja, bazohet në unitet, bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë”, tha ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button